Ish-presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke kujtuar Havzi Nelën, shkruan se akti terrorist ndaj “News 24” dëshmon se Narkoregjimi i sotëm është po aq kriminal në përpjekjet për të asgjësuar demokracinë, pluralizmin, lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut

Ilir Meta i fton të gjithë shqiptarët e ndershëm e patriotë të bashkohen në protestën e gazetarëve nesër për mbrojtjen e lirisë së fjalës, themelit të demokracisë dhe garancisë së çdo të drejte njerëzore.

Postimi i Ilir Metës:

“Liria më thërret, vdekja nuk më tund” – Havzi Nela.

Sot përkujtojmë me nderim të thellë kujtimin e paharruar dhe veprën e lavdishme të poetit dhe disidentit martir, Havzi Nela, i cili sfidoi diktaturën dhe shpërfilli edhe vdekjen, për të mbetur përjetësisht simbol i fjalës së lirë dhe dinjitetit njerëzor.

Havzi Nela, edhe në këto kohë të errëta për lirinë e fjalës, të rrezikuar më shumë se kurrë, veçanërisht pas atentatit të fundit ndaj saj, ndërprerjes brutale të sinjalit të “News24, vazhdon të jetojë përmes vargjeve të tij që gjëmojnë me forcë të jashtëzakonshme dhe frymëzojnë një fjalë të vetme: LIRI!

Akti terrorist ndaj “News24” dëshmon se Narkoregjimi i sotëm është po aq kriminal në përpjekjet për të asgjësuar demokracinë, pluralizmin, lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut.

Prandaj, nesër, i ftoj të gjithë shqiptarët e ndershëm e patriotë të bashkohen në protestën e gazetarëve për mbrojtjen e lirisë së fjalës, themelit të demokracisë dhe garancisë së çdo të drejte njerëzore.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb