Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thote se Forcat e Armatosura po përdoren për qëllime politike, duke i angazhuar për ndërprerjen e sinjalit të “News24” dhe sekuestrimin e dosjeve investigative, në vend që t’i përdorë për të shuar zjarret që kanë përfshirë vendin.
“Në vend të angazhojë ushtrinë për të shuar flakët, e përdor për t’i fikur sinjalin dhe për të grabitur zyrat e dosjet investigative të NEWS 24”, shkruan Meta në Facebook.
REAGIMI I METES:
Zjarrvënësi i vërtetë i Shqipërisë është Edi Rama.
Në 12 vite në pushtet i pati të gjitha mundësitë për të marrë masa efektive parandaluese për mbrojtjen nga zjarret, por bëri të kundërtën.
Pyjet, kjo pasuri kombëtare, nuk kanë qenë kurrë prioritet i tij, por objekt i plaçkitjes, prerjes dhe kontrabandës nga deputetë dhe qeveritarë të tij.
Nuk shpenzoi asnjë cent për të blerë avionë zjarrfikës si Maqedonia e Veriut, por djeg çdo vit qindra milion euro për inceneratorë që nuk ekzistojnë, koncesione dhe “tigra” lundrues (TEC-e), që vetëm energji elektrike nuk prodhojnë.
Në vend të angazhojë ushtrinë për të shuar flakët, e përdor për t’i fikur sinjalin dhe për të grabitur zyrat e dosjet investigative të NEWS 24.
Qytetarët janë braktisur pa mëshirë mes zjarreve ndërsa Rama shullehet në plazh, ndaj çdo propagandë e justifikim vetëm sa provon përgjegjësitë shumë të rënda penale dhe politike të kësaj Narkoqeverie.
Le të shpresojmë që te “Syri i Kaltër”, flakët, që përpinë këtë perlë të papërsëritshme të natyrës shqiptare të mos jenë preludi i ndërtimit të resortit të radhës për ndonjë oligark ose klient “strategjik” të Qeverisë.
