Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu, në një deklaratë për shtyp nga selia blu, ka deklaruar se largimi i Ilir Prodës nga detyra, ka qenë si pasojë e presionit qytetar dhe denoncimeve të vazhdueshme nga PD.

Balliu megjithatë ka deklaruar se zëvendësimi me Sokol Bizhgën nuk është reformë, por vazhdimësi e një sistemi bashkëpunimi mes pushtetit politik dhe krimit.

Deklarata:

Largimi i Ilir Prodës nuk është një lëvizje administrative. Është rezultat i drejtpërdrejtë i presionit qytetar, i protestave të opozitës dhe i denoncimeve të vazhdueshme të Partisë Demokratike. Është prova se pushteti i lidhur me krimin nuk është i paprekshëm.
Megjithatë, zëvendësimi i tij me Sokol Bizhgën nuk përbën reformë, por vazhdimësi. Ky emërim synon të garantojë vijimësinë e një sistemi bashkëpunimi mes pushtetit politik dhe krimit.

Për vite me radhë, qeveria e Edi Ramës ka lejuar dhe ka ushqyer depërtimin e krimit të organizuar në strukturat e shtetit. Siguria publike është politizuar, institucionet janë komprometuar dhe qytetarët janë lënë të pambrojtur.

Ngjarjet e fundit, përfshirë skandalet që prekin strukturat e rendit dhe sigurisë, tregojnë qartë se inkriminimi nuk është rastësi, por sistem. Kur krimi futet në polici, në administratë dhe deri në përfaqësim politik, kemi të bëjmë me kapje të shtetit.

Largimi i Prodës është pranim i heshtur i kësaj krize. Por zëvendësimi i një emri me një tjetër nuk mjafton. Problemi nuk është individi, por sistemi që e prodhon dhe e mbron.
Pasojat kanë qenë të rënda: cenim i sigurisë kombëtare, rritje e pasigurisë publike dhe viktima të pafajshme nga përplasjet e grupeve kriminale. Qytetarët shpesh kanë paguar çmimin e një sistemi që ushtron forcë ndaj protestuesve dhe tolerancë ndaj krimit.
Sot përballja është e qartë: ose me shtetin ligjor, ose me regjimin e kapur nga interesat kriminale. Partia Demokratike do të vazhdojë të përdorë çdo mjet demokratik për të çliruar institucionet nga ndikimi kriminal dhe për të rikthyer sigurinë dhe besimin tek shteti.
Qytetarët kanë treguar se rezistenca funksionon. Dhe ky është vetëm fillimi.
Beteja jonë është për një Shqipëri të sigurt, europiane dhe të ankoruar fort në aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët perëndimorë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb