Ilnisa Agolli

Para disa javësh po shihja një emision bazik sa për të shtyrë të shtunën mbrëma dhe kuptova se gjithë jetën televizive e shkova me mediokër. Revoltat e përshkallëzuara nuk kishin nisur ende. Situata nuk ishte kaq dramatike. As protestat dhe qeveria në kulm. Në kulm, siç janë sot qindra mediokër. Që njoh dhe që shoh.

Njëfarë tradite tutkune kjo, që Sara Mile vendosi ta thyente në fillim të javës, në një stacion të madh kombëtar. Pikërisht në atë televizion ku Kryeministrin Rama, ende nuk e kemi parë të drejtojë gishtin dhe të nisë marshimin e akuzave, siç bëri me “News24”.

Natyrisht, Sara nuk do ta kishte bërë këtë nëse në median ku u shfaq, nuk do të punonin aq shumë tutkunë. Dhe kështu, në krye të javës, partia zgjodhi ta çojë tek kryetarja e tutkunëve. Në një stacion ku qeveria nuk flet asgjë dhë kokëboshët vazhdojnë paguhen çdo muaj, ndryshe nga media tjetër që përjargu këto ditë dhe jo që vetëm nuk ndahen rroga, por organizohen edhe sulme. Kështu sikur tha.

– Qëkur pasqyrimi i një proteste nga dita e parë u kthye në klauzolë të një lufte si ato në Lindjen e Mesme?
-Me kë e kishte z.Rama, me Iranin apo me Irfanin?

Sepse në këtë vend ka një zakon të çuditshëm: kur lajmi nuk të pëlqen, problemi nuk është më lajmi, por ai që e transmeton. Dhe kur realiteti të del nga kontrolli, gjithmonë gjendet një ekran për t’ia hedhur fajin. Sakaq turma e tutkunëve që nuk ka të ndalur, ndahet në dy kategori: tutkunë dembelë dhe tutkunë të kamur.

Elisa Spiropali i përket kategorisë së parë. Tutkunëve që shkruajnë letra dhe flasin për liri demokratike, me besimin e çuditshëm se mund të zhvishen nga statusi që u ka dhënë partia, sapo ajo fillon t’u rëndojë mbi supe. Atëherë, për të mos qenë më tutkune, Elisa zgjedh t’i kundërvihet të zotit me shkop. Ndërsa i zoti, partizan i mençur i shprehjeve popullore, e di mirë se një shkop nuk e prish shtëpinë ku është rritur.

Në këto dy grupe tutkunësh, është edhe Erion Braçe. Por ai ka zgjedhur rrugën më të shkurtër mesa duket. Të zhduket. Ka humbur këto ditë si ata pasagjerë që, pasi hipin në avion apo traget, i kap tmerri se mos vdesin. Dhe në vend që të shohin nga dritarja, mbyllin sytë e presin të mbaroj udhëtimi. Sidoqoftë, në mesin e gjithë kësaj turbulence që ma rëndon përditë virozën që po kaloj, njësoj si revolta e të rinjve që shohim në ekran, më shkon mendja tek Bela. Një zakon i bezdisshëm prej profesionit, një sorrolloj shqetësimi që u zhbë sapo më dërguan një video në celular. Një video me kryeveprën e Rilindjes: “Titanikun e Belës”.

Një film pa filtër, që të kujton anijen gjigante të fundosur më 15 prill të vitit 1912, pasi u përplas me një ajsberg në Oqeanin Atlantik. Një tragjedi që e njohim të gjithë. Vetëm se në versionin shqiptar, duket se kanë ndryshuar kordinatat, personazhet dhe mbi të gjitha, kuptimi i sakrificës. Deti ynë ndodhet në bulevard. Ajsbergu është diku përpara nesh. Ndërsa anija vazhdon të lundrojë me bindjen se është e pambytshme. Dhe ashtu si në filmin që na përloti dikur, edhe këtu në protokollin e anijes kemi një artist.

Vetëm se këtë herë nuk ndodhet në kabinën e vogël të një vapori, por në godinën e Kryeministrisë.

Në versionin shqiptar, Rose është Bela. Ndërsa Jack është Edi. Një tjetër piktor, që e njeh shumë mirë fundin e historisë. Por që në “Titanikun e Rilindjes” ka një ndryshim thelbësor. Jack-u i filmit sakrifikoi veten për të shpëtuar Rose. Ky Jack-u ynë duket i gatshëm të sakrifikojë një anije të tërë, me kapiten, ekuipazh dhe pasagjerë, vetëm që Bela të dalë e paprekur në breg.
Dhe këtu nis e gjithë kjo tragjikomedi.
Po kur do ta marrim vesh të vërtetën?

Ç’thonë tutkunët në median që nuk i është drejtuar akoma gishti? A po përgatiten të flasin për dallgët, për motin, për panikun e pasagjerëve? Apo të ftojnë edhe ndonjë ekspert detarie? Po për situatën kyçe se si kapiteni, që e pa ajsbergun, nuk e ndryshoi kursin, kush do të flasë? Mund ta bëj dhe unë tani që e mendoj, por deri sa të nisë emisioni im, më mbetet vetëm një pyetje:

A do të fundoset “Titaniku” i Belës, apo do të mbyten të gjithë të tjerët që ajo të dalë në breg? Apo ajo është Bela. Që sa për kujtesë, populli ynë ka një shprehje të bukur. Ma kujtoi ime më kur i thashë dua të bëj një shkrim për Belën dhe nuk di si ta quaj. E thjeshtë më tha: “Bela me tre thela”.

Kishte të drejtë. Është ky i vetmi film që Edi Rama nuk ka parë ende dhe që na kursen edhe atë shprehjen e tij të famshme “E kemi parë këtë fim”.

Hë, e kishe parë?

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb