Rruga “Acharnon” në kryeqytetin grek Athinë këtë pasdite i përngjau një peizazhi të një zone të bombarduar diku në Kabul apo Bagdad, pas shpërthimit të fuqishëm në një dyqan me bombola gazi, që ndodhej në katin e parë të një pallati.
Shpërthimi ka ndodhur pak pas orës 16:00 dhe ka lënë të plagosur rëndë një punonjës të biznesit.
Fatkeqësisht ai ka pësuar djegie të rënda nga shpërthimi dhe zjarri i shkaktuar dhe është dashur të transportohet me autoambulancë në spital.
https://youtu.be/WxFKHWyJaCg
Zjarri që pasoi shpërthimin është përhapur edhe në katet e sipërme të pallatit, të cilat kanë pësuar dëme të mëdha materiale nga flakët.
Në aksionin për shuarjen e flakëve morën pjesë 36 zjarrfikës me 13 automjete dhe një kamion me shkallë speciale, ndërsa ndihma është dhënë edhe nga policia dhe Emergjencat Civile.
Shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga zyra hetimore e Brigadës së Zjarrfikësve. Atyre iu desh të prisnin me gurë fleksibël derën kryesore të pallatit dhe të nxirrnin me sukses një person të bllokuar na banesën e tij nga flakët dhe retë e tymit.
Gjithashtu, për shkak të zjarrit u ndërpre qarkullimi i mjeteve në rrugën Acharnon deri në rrugën Agios Meletiou, në të dy drejtimet.
