Gjatë mbledhjes së Komisionit për Turizmin, Kulturën dhe Diasporën, kryetarja Ina Zhupa përplas me dy deputetët socialistë, Arkend Balla dhe Erion Malaj lidhur me çështjen e dhunës në protestat e opozitës.
Gjatë debatit, Zhupa u shpreh:
“Për shtetin, më e rrezikshme është ajo që quhet dhunë strukturore. Dhuna që prodhon varfëria, dhuna që prodhon arroganca e pushtetit, dhuna që vjen nga pamundësia për të shkolluar fëmijët, dhuna që prodhon shteti kur të nxjerr nga shtëpia. Ajo është dhuna më e rrezikshme ndaj qytetarëve shqiptarë. Ajo është arsyeja pse Shqipëria nuk ka arritur të kthehet në një demokraci funksionale.
Në raportin e fundit të Transparency International, ne ishim vetëm me 39 pikë nga 0–100, që është shkalla e matjes, duke u konsideruar një shtet i korruptuar dhe larg standardeve demokratike. Dhuna e korrupsionit është kur nuk arrin të bësh asgjë pa pasur para për të korruptuar dikë, kur nuk fiton dot një të drejtë që të takon. Këto janë tipare të shteteve me prirje diktatoriale, të cilat, edhe pse nuk rrahin njerëz në rrugë, ushtrojnë dhunën e një pushteti që të shtyp.
Kjo është dhuna që ka prodhuar kjo mazhorancë ndaj qytetarëve. Reagimet e tyre në shenjë revolte nuk mund të krahasohen kurrë me dëmin që u ka shkaktuar qeverisja.”
