TIRANE- Ina Zhupa do të jetë Zëdhënësja e re e Partisë Demokratike, duke zëvendësuar në këtë detyrë Oriela Nebiajn. Ditën e sotme, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka emëruar në detyrën e zëdhënëses së Partisë, Dr.Ina Zhupa.
Ina Zhupa është doktore e shkencave në Shkencat Politike, me një studim mbi demokratizimin dhe vlerat e shoqërisë shqiptare.
Ka kryer një master në Teori Politike në Universitetin La Sapienza në Romë dhe zotëron 5 gjuhë të huaja.
Zhupa është anëtare e Këshillit Kombëtar dhe kordinatore kombëtare në Partinë Demokratike.
Dr.Ina Zhupa ka spikatur në debatin publik në mediat e shkruara dhe vizive të vendit.
Eshtë pedagoge për shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Kush është Dr. Ina K. Zhupa
E lindur në 20.06.1987 në Tiranë, është Doktore e Shkencave në Shkencat Politike me një studim mbi Demokratizimin dhe Vlerat e Shoqërisë Shqiptare duke marrë vlerësimin maksimal. Ka studiuar në një Master për Komunikimin Politik të ofruar nga Universiteti La Sapienza Romë në bashkëpunim me Universitetin i Tiranës. Ka mbaruar Master Shkencash në Teori Politike dhe Bachelor në Politikë dhe Qeverisje në Universitetin e Tiranës me medalje ari të fituar për rezultate të shkëlqyera. Zotëron 5 gjuhë të huaja.
Aktualisht është pedagoge në departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës. Me përvojë në mësimdhënie në universitete shtetërore dhe private, ku ka shërbyer edhe si Dekane e Studentëve dhe Drejtuese e Zyrës së Karrierës, me eksperiencë pune me projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si edhe në dikastere shtetërore. Është e fokusuar në kërkimin e saj shkencor në çështje që lidhen me integrimin europian, vlerat e shoqërisë shqiptare, procesin e demokratizmit, teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare, qasjet dhe modelet mbi konfliktin, sfidat e tranzicionit.
Ka zhvilluar punë kërkimore në terren për matur realitetin dhe për ta përpunuar atë sipas metodave të shkencave sociale duke qënë edhe autore e një libri studim mbi sjelljen votuese. Ka marrë pjesë në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si edhe ka publikuar artikuj shkencor në revista të njohura shkencore brenda dhe jashtë vendit.
(el.sp/BalkanWeb)
