Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës Ina Zhupa e nisi mbledhjen me një debat të fortë me socialistët për skandalin e Vlora Hysenit dhe cenimin e sigurisë kombëtare.
Zhupa tha se zgjidhje është dorëheqja e Ramës.
“Mblidhen shkaktarët, diskutojnë si ta mbulojnë këtë skandal të radhës. Ata s’mund të jenë zgjidhja kur janë vetë problemi. 90% e tyre kanë vetë dosje në SPAK dhe janë pjesë e rrjetit të kreut të organizatës Rama.
Një patetizëm që, nga aeroporti, i trembur nga pyetjet e gazetarëve, bëri monologun: vetëm unë të shpëtoj, pa në djall të gjithë. Mori në mbrojtje Vlorën, se ka hallin e bisedave ku del edhe vetë. Më shumë ishte shqetësuar mos dilnin bisedat, sesa për skandalin.
Rama nuk i shërben dot sigurisë kombëtare kur ai vetë e katandisi shtetin në këtë gjendje: radarët që fiken për drogë, radarët që fiken për përgjime, radarët që fiken për vrasje. Një grup i strukturuar që ka zaptuar çdo qelizë të shtetit, me formën dhe vullnetin e Edi Ramës. Ndaj, i vetmi akt real që do të kishte vlerë për sigurinë kombëtare është dorëheqja e tij.”, tha Zhupa.
