Gjatë debateve në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë për projektligjin lidhur me aderimin e Shqipërisë tek “Bordi i Paqes”, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi se shteti shqiptar gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa qeveria, sipas saj, ndodhet në “listën e zezë” të kufizimit të vizave amerikane, duke iu referuar vendimit të fundit të Uashingtonit që përfshiu edhe Shqipërinë në listën e vendeve të pezullimit të vizave emigruese.
Zhupa theksoi dallimin mes marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA-në dhe, sipas saj, situatës së qeverisë aktuale.
“Vlerësimin për qeverinë shqiptare e keni para një jave, kur ishim vendi i vetëm anëtar i NATO-s që mori kufizime vizash, falë keqqeverisjes që po i përzë shqiptarët nga vendi dhe po i detyron të shndërrohen në azilkërkues dhe emigrantë të paligjshëm. Këto dy vendime janë të qarta: shteti shqiptar gëzon mbështetjen amerikane, ndërsa qeveria shqiptare është futur në listën e vendeve të botës së tretë që keqqeverisin, janë të korruptuara dhe me lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës”, u shpreh Zhupa.
Pjesë nga fjala
Partia Demokratike e ka të qartë dhe pjesë të statutit të saj orientimin proamerikan dhe perëndimor. Nuk ka asnjë surprizë në votimin tonë pro kësaj marrëveshjeje për shtetin shqiptar. Vota jonë kundër ishte sepse ajo nuk duhej miratuar me procedurë antikushtetuese, pasi kjo e cenon seriozitetin tonë si shtet në marrëveshjet me partnerët tanë. Ne duam të mbrojmë dinjitetin e shtetit, ndërsa ju sot treguat se kishit hallin që kryeministri të mos dilte i izoluar, pikërisht sot kur Vjosa Osmani ishte në Davos bashkë me anëtarët themelues.
Duhet të ndajmë atë që përfaqëson shteti shqiptar për SHBA-në dhe atë që përfaqëson qeveria shqiptare për ta. Amerika ka qenë përherë në mbrojtje të Shqipërisë, që nga presidenti Wilson dhe në përpjekjet pas viteve ’90 për të ndihmuar në çështjet e sigurisë, ekonomisë, zhvillimit, arsimit, kulturës dhe drejtësisë. Shteti shqiptar është anëtar i NATO-s dhe sigurisht do ta kishte këtë ftesë, pasi ka popullin më proamerikan, ndoshta në botë, dhe të gjitha partitë parlamentare me një linjë të qartë proamerikane.
Ndërsa vlerësimin për qeverinë shqiptare e keni para një jave, kur ishim vendi i vetëm anëtar i NATO-s që mori kufizime vizash, falë keqqeverisjes që po i përzë shqiptarët nga vendi dhe po i detyron të shndërrohen në azilkërkues dhe emigrantë të paligjshëm.
Këto dy vendime janë të qarta: shteti shqiptar gëzon mbështetjen amerikane, ndërsa qeveria shqiptare është futur në listën e vendeve të botës së tretë që keqqeverisin, janë të korruptuara dhe me lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës.
