Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar sërish pas ndërhyrjes së policisë dhe ndalimit të punës së gazetarëve të News24, duke e cilësuar këtë veprim si një “krim shtetëror” dhe një praktikë të papranueshme për një vend që synon integrimin në Bashkimin Evropian.

“Është e paimagjinueshme që policia apo ushtria të marrin kontrollin e plotë mbi një grup mediatik, duke i konfiskuar praktikisht të gjitha pajisjet e punës,” tha Bardhi, duke denoncuar gjithashtu përgatitjen e një aksioni nga IKMT në godinat ku ndodhen News24, BalkanWeb, Gazeta Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

Sipas tij, ky veprim jo vetëm që shkakton dëme të konsiderueshme financiare për median, por rrezikon t’i kushtojë taksapaguesve shqiptarë miliona euro në dëmshpërblime. Bardhi theksoi se shteti duhet të veprojë vetëm në bazë të procedurave ligjore dhe jo të ndërmarrë veprime të tipit “vetëgjyqësi”, duke krahasuar aksionin me mënyrën si vepron mafia.

“Shqiptarët nuk mund të mbajnë kosto për llogari të dëshirave të pushtetit për të shuar çdo zë kritik. Inatet personale të Belinda Ballukut nuk mund të dëmtojnë as median dhe as shtetin,” deklaroi Bardhi, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të aksionit dhe rikthimin e funksionimit normal të mediave.

Postimi i plotë:

Zaptimi i paligjshëm i një grupi mediatik është krim shtetëror. Është e paimagjinueshme në një shtet demokratik, që pretendon antarësimin në BE, që Policia apo Ushtria të marrin kontrollin e plotë mbi një grup mediatik, duke i konfiskuar praktikisht të gjitha pajisjet e punës.

Së fundmi, IKMT po përgatit një aksion në godinat ku ndodhen News 24, Balkanweb, Gazeta Panorama dhe Gazeta Shqiptare, duke mos marrë në konsideratë dëmin e konsiderueshëm financiar ndaj një media, dhe duke e bërë potencialisht shtetin shqiptar të paguajë miliona euro dëmshpërblim nga taksat e shqiptarëve.

Institucionet shtetërore kanë detyrimin të veprojnë në përputhje me procedurat e parashikuara nga ligji dhe jo të bëjnë vetëgjyqësi. Nëse kanë një vendim gjyqsor të formës së prerë që i jep të drejtë atyre, duhet të shkojnë në gjykatë për të marrë urdhër ekzekutimi, dhe më pas i drejtohen shërbimit përmbarimor.

Shteti nuk vepron si bandë, që pushton një institucion mediatik në mesnatë, nëpërmjet një krimineli si Ardi Veliu. Por dërgon zyrtarisht një njoftim shkresor, sëbashku me vendimin gjyqësor për “lirim e dorëzim sendi”, fakt që ska ndodhur, por është vepruar me vetëgjyqësi, njëlloj siç vepron mafia.

Inatet personale të Belinda Ballukut, nuk mund të dëmtojnë as median dhe as shtetin. Prandaj duhet të ndal menjëherë show-n, të tërheq çdo urdhër të paligshëm që i është dhënë IKMT për të prishur ndërtime brenda ambineteve të punës së mediave të uzurpuara nga shteti, si dhe të lejojë vijim e aktivitetit mediatik.

Shqiptarët nuk mund të mbajnë kosto për llogari të dëshirave të pushtetit për të shuar çdo zë kritik. Prandaj ndaluni dhe respektoni ligjin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb