KUCOVË- Është inauguruar sot Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë, një bazë që i jep Shqipërisë një rëndësi të re gjeostrategjike.

Gazetarja Eneida Petova raporton për Balkanweb se pjesë e ceremonisë ishin Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, Kryeministri Edi Rama, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar shqiptar, Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, përfaqësuesi ushtarak i Turqisë në NATO, gjenerali Yüksel Kayhan, përfaqësues të NATO-s dhe vendeve anëtare të Aleancës si dhe ambasadorë, përfshirë edhe ambasadorin turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay.

Në fjalën e tij presidenti Begaj u shpreh se kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes.

“Nga kjo bazë,ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive”, ka thënë Begaj.

Begaj theksoi se detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla, në fjalën e saj, duke iu referuar Shqipërisë, tha se vështirë të gjendet një vend anëtar i Aleancës i cili vetëm pas një dekadë e gjysmë anëtarësimi në Aleancë, të jetë bërë një partneri denjë, i sinqertë dhe kontribuues efektiv për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se baza është një tjetër element sigurie për rajonin e Ballkanit Perëndimor i cili tha ai e “dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse.Rama theksoi se riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është njëkohësisht edhe pjesë e ripërtëritjes dhe rritjes së mëtejshme cilësore të flotës ajrore.

“Dy helikopterët e rinj Black Hawk si dhe dronët Bayraktar janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë.Dua t’i shpreh një falënderim të posaçëm të gjithë atyre që kontribuuan duke filluar, sigurisht nga aleatët tanë të NATO-s me shpresën dhe besimin që kjo bazë e re taktike ajrore e NATO-s do të shoqërohet në vitet në vijim nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romano (Durrës), gjë për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n dhe jemi shumë besimplotë se së shpejti do të mund t’i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës”,u shpreh Rama.

Ministri Niko Peleshi u shpreh se baza përbën një prej investimeve më madhore të NATO-s në Shqipëri dhe sipas tij do të shërbejë si një bazë ajrore taktike dhe operacionale.

“Kuçova do të shërbejë si baza kryesore për forcat tona ajrore për të cilën vëmendja dhe investimi nuk do të reshtin deri në krijimin e një flote dinjitoze në shërbim të mbrojtjes së popullit tonë dhe aleatëve tanë. Helikopterët Black Hawk të siguruar me mbështetjen e partnerit tonë special strategjik SHBA-së si dhe dronët Bayraktar në bashkëpunim me Republikën e Türkiyes janë aktualisht në gatishmëri të plotë për të nisur fluturimin nga kjo bazë. Numri i tyre do të shtohet ndjeshëm në një të ardhme të afërm”, tha Peleshi.

Përfaqësuesi ushtarak i Turqisë në NATO, Gjenerali Yüksel Kayhan theksoi se uron që Baza Ajrore e Kuçovës të jetë një ogur i mirë për Shqipërinë dhe Aleancën.Kayhan tha se Shqipëria është zhvilluar në çdo fushë pothuajse në vitet e fundi dhe theksoi se mes Türkiyes dhe Shqipërisë ekziston një miqësi dhe vëllazëri e thellë historike për më shumë se 500 vjet.

Komandanti i qendrës së operacioneve ajrore të kombinuara të NATO-s, gjeneral Juan Pablo Sanchez De Lara, u shpreh se Shqipëria është integruar plotësisht në sistemin e mbrojtjes ajrore të NATO-s.

Ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto, në ceremoni tha se sot kremtojnë një moment domethënës. Crosetto theksoi se përurimi i bazës vjen në një moment ndryshimesh të thella dhe të shpejta në arenën ndërkombëtare dhe sipas tij përurimi është një pikënisje për bashkëpunime dhe nisma të përbashkëta në të ardhmen.

Drejtori i Shtabit të Përgjithshëm të Bazës Ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë,gjeneral brigade Aleksandêr Pando ka theksuar se,kjo bazë taktike e NATO-s në qytetin e Kuçovës do të shërbejë për mbështetjen e aktiviteve të NATOS-s,si ato ato operacionale ashtu edhe të stërvitjes.

“Në këtë bazë ndodhen edhe mjetet ajrore,që do të shërbejnë për aktivitetet stërvitore dhe aktivitete të tjera të Forcave të Armatosura shqiptare.Hapja e kësaj baze vjen pas një periudhe shumë-vjeçare pezullimi të aktivitetit të saj dhe kjo është arritur falë mbështetjes së qeverisë shqiptare dhe aletatëve tanë në NATO,të cilët investuan 55 milion Euro për ndërtimin e saj.Në Bazën Ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë ka aktualisht helikopterë Black Hok dhe në të ardhmen do të jenë edhe avionët pa pilot që janë blerë nga Turqia si dhe 4 helikopterë të tjerë Black Hok,që do të përdoren për trajnimin e personelit Pilot e Teknik”, tha Pando

Gjatë ceremonisë u realizuan edhe ekspozime dhe fluturime të mjeteve ajrore si avionë,helikopterë dhe dronët turq “Bayraktar” TB2,dronë që tashmë janë pjesë e Forcave të Armatosura shqiptare.Dy avionë F35,dy F16 dhe 2 Eurofighter demonstruan kapacitetet taktike dhe teknike të këtyre avionëve ushtarakë.Më pas u ngritën në qiell dronët Bayraktar,që u sollën pak ditë më parë nga Turqia dhe për herë të parë në ajër u ngritën edhe dy helikopterët e rinj “Black Hawk”. Për këtë bazë nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: