Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, në një deklaratë për mediat theksoi se me skandalet e publikuar me aferën e inceneratorëve, kryeministri Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen.

Gjithashtu Kryemadhi thekoi se Shqipërinë që pret të çelë negociatat me Bashkimin Europian, dhënia fund e pandëshkueshmërisë, barazia e të gjithëve para ligjit, zyrtarë apo qytetarë qofshim, është më jetike se ndërrimi i emrit të një kryeministri të korruptuar me një tjetër të ngjashëm me të.

Pjesë nga fjala:

Dorëheqja e menjëhershme e Kryeministrit është më e pakta, siç do të kishte ndodhur në çdo vend normal europian, POR veprimi i shpejtë dhe i plotë i drejtësisë, për të çuar përpara zyrtarët përgjegjës të shkeljeve ligjore të koncesioneve të inceneratorëve, dhe ata përgjegjës për anën financiare të saj, është akoma dhe më i rëndësishëm.  Sepse për Shqipërinë që pret të çelë negociatat me Bashkimin Europian, dhënia fund e pandëshkueshmërisë, barazia e të gjithëve para ligjit, zyrtarë apo qytetarë qofshim, është më jetike se ndërrimi i emrit të një kryeministri të korruptuar me një tjetër të ngjashëm me të. Shqiptarët sot po vazhdojnë të paguajnë koncesionin e inceneratorit të Tiranës 80 mijë dollarë në ditë.  80 mijë dollarë në ditë per inceneratorin e Tiranes, nga xhepat e qytetarëve më të varfër shkojnë në xhepat e pronarëve të inceneratorëve, që sot janë në arrati nga drejtësia, rrugëve te evropës, e këto para që i zhvasin nga qytetarët i ndajnë me qeverinë.  80 mijë dollarë në ditë per inceneratorin e Tiranes, që ata i marrin pa të drejtë, pasi jo vetëm që incenerator në Tiranë sot nuk ka, dhe Autoriteti Përgjegjës që ndjek zbatimin e kontratës duhet menjëherë të kërkojë ndërprerjen e pagesave dhe koncesionit për mospërmbushje kontrate, por siç e vërtetojnë faturat fiktive që kemi bërë publike, investimi 128 milionë euro që privati ka marrë përsipër, është justifikuar me fatura fiktive, pa kryer në të vërtetë investimin që i jep të drejtën koncesionarit të përfitojë tarifën e shërbimit 29 euro/ton. 80 mije dollarë në ditë për inceneratorin e Tiranës, ndërkohë që sot na dalin barinj milionerë, mbledhës kanaçosh milionere, pleq nëpër azile milionerë dhe njerëz që kanë ndërruar jetë, që shiten për publikun si pronarë kompanish që po punojnë në ndërtimin e inceneratorëve. Raporti i fundit i Komisionit Europian e përcakonte borxhin publik të Shqipërisë në 82.7 % shifër rekord në rajon.  Ky borxh publik ka shkuar në kontrata koncesionare korruptive, ndërkohë që 80 mijë dollarë në ditë për inceneratorin e Tiranës janë vjedhja e përditshme, që heq bukën nga pensionistët, familjet në nevojë, fëmijëve, mjekëve, mësuesve dhe i shkojnë luksit të qeverisë dhe makinerisë së propagandës së tyre për të mbajtur qytetarët e mashtruar dhe të nënshtruar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb