Një makinë u përplas qëllimisht në hyrjen e selisë botërore të lëvizjes fetare hebraike Chabad Lubavitch në Brooklyn, New York City, të mërkurën mbrëma, në një incident që autoritetet po e hetojnë si krim urrejtjeje. Sipas Policisë së Nju Jorkut, nuk u raportuan të lënduar. Shoferi i automjetit u arrestua në vendngjarje dhe në makinë nuk u gjetën eksplozivë. Incidenti ndodhi në 770 Eastern Parkway, një nga ndërtesat më të rëndësishme fetare për komunitetin Chabad-Lubavitch.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, tha se i dyshuari “e drejtoi makinën e tij qëllimisht dhe në mënyrë të përsëritur drejt ndërtesës”, duke e cilësuar aktin si “të tmerrshëm” dhe “thellësisht shqetësues”. Ai theksoi se antisemitizmi nuk ka vend në qytet dhe se çdo formë dhune apo frikësimi ndaj komunitetit hebre është e papranueshme.

Shefja e Policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, konfirmoi arrestimin e shoferit dhe bëri të ditur se rasti po trajtohet si krim urrejtjeje. Ajo shtoi se masat e sigurisë janë shtuar rreth vendeve të kultit në qytet.

Zëdhënësi i Chabad Lubavitch, Moti Seligson, tha se autori u arrestua “pothuajse menjëherë” dhe falënderoi autoritetet për reagimin e shpejtë. Sipas ABC News, automjeti ishte një Honda gri me targa të New Jersey-t. Hetimet për motivet e sulmit janë ende në vazhdim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: