Incidente mes fermerëve dhe policisë po ndodhin në këto momente në Bruksel, ku sot po mblidhen ministrat e Bujqësisë të 27 vendeve të BE-së.

Rreth 300 traktorë janë vendosur në qendër të qytetit dhe rrugët më qendrore, Rue de la Loi, e cila është bllokuar. Nën tingujt e muzikës dhe parullave, fermerët ngritën barrikada të bëra me pleh organik dhe goma. Më herët policia tentoi të bllokonte kalimin e fermerëve, duke lëshuar ujë me presion, por protestuesit me traktorët e tyre thyen parmakët dhe iu afruan pallatit, ku do të mblidhen ministrat e Bujqësisë.

Më pak se një muaj pas atij që u cilësua si një mobilizim “historik” bujqësor në kryeqytetin belg më 1 shkurt, kur më shumë se 1300 traktorë vërshuan rrugët e lagjes evropiane, sot fermerët po kthehen për të shprehur zemërimin e tyre për mungesën e përgjigje nga autoritetet evropiane. Siç raporton gazeta belge Le Soir, demonstrata e sotme përfshin sindikatat bujqësore nga Wallonia dhe Flanders (pjesët jugore dhe veriore të Belgjikës), si dhe fermerë nga Franca, Italia, Spanja, Gjermania dhe Luksemburgu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: