SHKODER- Procesi i votimit ka shënuar disa vonesa dhe incidente, në Shkodër, Krujë, Himarë e Vorë.

SHKODËR, RINIS PROCESI I VOTIMIT NË QV NË SHKOLLËN VETERINARE
Ora 18:50- Raportohet se ka rinisur procesi i votimit në shkollën Veterinare në Shkodër. Procesi u bllokua pas komisionari i PS-së, mori vulën dhe u largua.

TJETËR INCIDENT NË SHKODËR, KOMISIONERI I PS MERR VULËN DHE LARGOHET PAS NJË SHERRI
Ora 18:28- Kur na ndajnë vetëm 30 minuta nga mbyllja e procesit të votimit, një tjetër incident është regjistruar në Shkodër. Një komisioner i PS-së ka marrë vulën e votimit dhe është larguar, pas një debati mes komisionerësh. Incidenti është regjistruar në një qendër votimi në shkollën Veterinare në Shkodër.

LUKOVË, NXIRRET ME DHUNË FREDI BELERI NGA NJË QENDER VOTIM: BENTE PRESION KOMISIONEREVE
Ora: 18:08- Një incident është regjistruar në Lukovë, ku kandidati i PBDNJ-së në Himarë, Fredi Beleri është nxjerr me dhunë nga një qendër votimi.

Mësohet se Beleri ka dashur të votojë, por nuk ka pasur mundësi, për shkak se i ka humbur karta e identitetit. Për këtë arsye ai ka depozituar një kallëzim në polici.

Për të ushtruar të drejtën e votës ai ka marrë kopjen e kallëzimit që bëri në polici, por sërish nuk u lejua të votojë.

Thuhet se, Beleri ishte shoqëruar nga disa persona, duke ushtruar presion në qendrat e votimit. Në rastin konkret ka bërë dhe presion dhe në Himare, Mësohet se komisionet nuk kanë reaguar, ndonëse u kërkuar që ai të largohen nga ambientet e qendrës së votimit. Por vetëm në Lukovë, u arrit që kandidati të largohej, me kërkesë të forcave politike.

Ndërkaq, PDIU i bën thirrje simpatizantëve të saj të kërkojnë kartën e identitetit të e Fredi Belerit.

NGJARJET NË FINIQ, PBDNJ: KEQARDHJE PËR NDËRHYRJEN JO KOMODE TË DEPUTETIT MARTO
Ora:13:37- Ka reaguar sërish PBDNJ në lidhje me incidentin e ndodhur në Finiq. Kjo forcë ka shprehur keqardhje për atë që ata e quajnë ‘ndërhyrjen aspak komode, jashtë etikës dhe kuadrit ligjor të procesit të votimit të deputetit të PS-së, Andrea Marto. ‘.
“Zgjedhjet nuk fitohen me sajesa. Referenca tek personi I cili është sot në gjykimin e votës së sovranit përbën shkelje të kodit elektoral duke synuar ndikimin e votës.
Nuk është në traditën e popullit të zonës dhe në veçanti të elektoratit të PBDNJ-OMONIA, akuzë të cilën ngarkon deputeti në fjalë. Keqardhje e thellë që në defiçitin e tij elektoral tenton të stigmatizojë organizatën e cila e promovoi politikisht.”, citohet në reagimin e PBDNJ-së.

POLICIA E VLORËS: DEPUTETI MARTO DENONCOI SOT VËLLAIN E KANDIDATIT TË PBDNJ-SË, JANI BABI
Ora:12:30- Policia e Vlorës ka publikuar sot fakte të reja në lidhje me një incident të ndodhur dje në Finiq. Sipas bluve, mësohet se ditën e sotme është paraqitur në komisariat deputeti i Himarës Andrea Marto, i cili ka kallëzuar penalisht vëllain e kandidatit të PBDNJ-së për bashkinë e Finiqit, Jani Babi.
“Sarandë, më datë 21.06.2015, në Komisariatin e Policisë është paraqitur shtetasi Andrea Marto, vjeç 58, banues në Tiranë me detyre Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i cili ka kallëzuar faktin se rreth orës 00:20 të ditës së sotme është telefonuar nga një shtetas i cili i është prezantuar si shtetasi me emrin: Timoleo Babi, vjeç 48, banues në Sarandë, vëllai i shtetasit Jani Babi-kandidat i subjektit politik PBDNJ për Bashkinë Finiq, duke e kanosur për vrasje.
Policia e Sarandës sqaron se ka bërë të mundur shoqërimin e shtetasit Timoleo Babi për ta marrë në pyetje dhe po kryen të gjitha verifikimet në lidhje me këtë rast”, citohet në njoftimin e policisë.

PBDNJ: DENONCOJMË INCIDENTET ME FYERJE NË 3 QENDRA VOTIMI NË KONISPOL
Ora:12:24- Partia Bashkia për të Drejtat e Njeriut ka denoncuar sot incidentet me fyrje dhe sharje që sipas saj kanë ndodhur në ambientet e qendrës së votimit nr. 4731, QV 4731/1 dhe QV 4731/2 (Xarrë) në Bashkinë e Konispolit.
“Partia Bashkia për të Drejtat e Njeriut dhe kandidati saj për Bashkinë e Konispolit, z. Anastas Guda kërkojnë të merren masa për parandalimin e incidentit dhe zhvillimin e procesit të votimit në ambiente të qeta.”, citohet në reagimin e PBDNJ-së.

FINIQ, KANDIDATI I PBDNJ: DUAN TË MANIPULOJNË ZGJEDHJET, MË KANË SHOQËRUAR VËLLAIN NË POLICI
Ora 12:20- Kandidati i PBDNJ-së, Jani Babi për Bashkinë e Finiqit ka deklaruar për Neës24 se po tentohet të manipulohen zgjedhjet. Ai ka thënë se prej 3-4 orësh vëllai i tij është shoqëruar në polici me pretendimin se ka kërcënuar deputetin e PS-së Andrea Marto.
Votimet kanë shkuar normalisht deri tani, por maxhoranca kërkon të manipulojë votimet. Vëllai im është shoqëruar në polici. Ne i themi të ndalojnë revanshin se ne do ta ruajmë votën me forcë dhe fitorja është e vdekur. U them të mos merren më këtë punë. Vëllai im ka 3-4 orë në polici. Ne jemi komunitet paqedashës”, tha Babi.

KONISPOL, SITUATË TENSIONI NË DISA QV NË XARRË
ORA 11:50– Në Bashkinë e Konispolit situata është tensionuar në korridoret e QV-ve numër 47311 dhe 47312. Militantët e dy forcave kryesore, PD dhe PS janë përplasur verbalisht, me sharje dhe fyerje.

LEZHË, GODITET ME SENDE TË FORTA NJË PERSON
Ora:10:30- Një incident është regjistruar sot në Lezhë, në një lagje të komunitetit rom. Mësohet se një i ri është goditur me sende të forta nga një person, në lagjen ‘Skënerbeu’. Sakaq, drejtori i Policisë së Lezhës, Ajet Zyberi tha se ngjarja ka lidhje me zgjedhjet.

GODITET ME GRUSHTE KOMISIONERI I PS NE SHKODER
Ora: 09:30- Është ndërprerë procesi i votimit në fshatin Bardhaj. Shkak i kësaj ndërprerje mësohet se është bërë një incident, ku Komisioneri i Partisë Socialiste Kol Ndre Pepaj është qëlluar fizikisht nga disa persona që mendohet se janë mbështetës të PD. Policia po zbardh rrethanat e ngjarjes dhe po procedon kundër autorëve.

(m.k/ed.me/ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: