Momente paniku u regjistruan pranë Shtëpia e Bardhë, pasi një 21-vjeçar i armatosur hapi zjarr ndaj agjentëve të Shërbimit Sekret amerikan, duke shkaktuar kaos në zonën e sigurisë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Uashington, ndërsa reporteri i CBS News, Aaron Navarro, po raportonte drejtpërdrejt nga jashtë Shtëpisë së Bardhë. Në momentin kur nisën të shtënat, gazetari hoqi kufjet, u ul menjëherë në tokë dhe u përpoq të mbrohej, ndërsa kamera vazhdonte të filmonte gjithë skenën dramatike.

Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u bënë virale në internet. Sipas autoriteteve amerikane, autori i sulmit, i identifikuar si Nasir Best, hapi zjarr në një pikë kontrolli të Shërbimit Sekret jashtë kompleksit presidencial. Agjentët reaguan menjëherë, duke e neutralizuar autorin pas shkëmbimit të zjarrit.

Në momentin e incidentit, presidenti Donald Trump ndodhej në Shtëpinë e Bardhë, por sipas një zëdhënësi të Shërbimit Sekret, ai nuk u rrezikua dhe nuk pësoi asnjë dëmtim.

Burime nga Shtëpia e Bardhë thanë se Nasir Best kishte pasur edhe më herët probleme me autoritetet. Në korrik të vitit 2025 ai ishte arrestuar pasi tentoi të hynte në Shtëpinë e Bardhë dhe më pas ishte dërguar në një institucion psikiatrik për shkak të problemeve të shëndetit mendor. Në reagimin e tij në rrjetin Truth Social, Donald Trump falënderoi agjentët e sigurisë për reagimin e shpejtë dhe profesional. “Falënderoj Shërbimin Sekret të shkëlqyer dhe agjentët e zbatimit të ligjit për veprimin e shpejtë dhe profesional që ndërmorën sonte kundër një personi të armatosur pranë Shtëpisë së Bardhë, i cili kishte një histori dhune dhe një obsesion të mundshëm me ndërtesën më të nderuar të kombit tonë”, tha republikani nëpërmjet Truth Social.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb