India ka konfirmuar të mërkurën se ka nisur operacion ushtarak kundër Pakistranit, duke goditur “infrastrukturën terroriste” në Kashmirin e administratuar nga Pakistani.

Ky është një përshkallëzim i madh i tensioneve mes dy vendeve fqinje.

“Këta hapa vijnë pas sulmit barbar në Pahalgam, ku u vranë 25 qytetarë indianë dhe një shtetas nepalez,” – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes së Indisë, duke iu referuar një sulmi muajin e kaluar ndaj turistëve në Kashmirin e administruar nga India.

“Veprimet tona kanë qenë të fokusuara, të matur dhe të paeskaluara në natyrë. Asnjë strukturë ushtarake pakistaneze nuk është vënë në shënjestër. India ka treguar përmbajtje të konsiderueshme në përzgjedhjen e objektivave dhe në mënyrën e ekzekutimit” – thuhet në këtë deklaratë.

India tha se nëntë vende ishin në shënjestër gjithsej.

Ushtria e Pakistanit tha se tre lokacione ishin goditur me raketa.

“Pakistani do t’i përgjigjet në kohën dhe vendin që do të zgjedhë vetë. Ky provokim i neveritshëm nuk do të mbetet pa përgjigje”, tha zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze, Ahmed Sharif Chaudhry, për Geo TV.

Burime ushtarake pakistaneze thanë se u goditën pesë lokacione në Kotli, Ahmadpur East, Muzaffarabad, Bagh dhe Muridke.

Tre nga këto vende – Kotli, Muzaffarabad dhe Bagh janë në Kashmirin e administruar nga Pakistani. Ahmadpur East dhe Muridke janë të dyja në provincën Punjab të Pakistanit.

Dy civilë në Kotli, në Kashmirin e administruar nga Pakistani, dhe një fëmijë në Bahwalpur të Pakistanit, janë vrarë në sulmet ajrore të Indisë, tha një zëdhënës i ushtrisë pakistaneze.

Gjeneral lejtnant Ahmed Sharif Chaudhry shtoi se 12 civilë të tjerë u plagosën në Ahmedpur Sharqia në Bahwalpur, sipas raportimeve nga media pakistaneze Geo News.

Ai tha gjithashtu se një familje, përfshirë një fëmijë, kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e një shtëpie të shembur.

Militantët hapën zjarr ndaj njerëzve që po vizitonin Baisaran, një livadh në majë të malit, tre milje (5 km) nga Pahalgam.

Disa të mbijetuar të sulmit thanë se burrat hindu ishin në shënjestër specifike të personave të armatosur.

Pakistani ka mohuar përfshirjen në sulme, por policia indiane thotë se dy nga katër militantët që dyshon për sulmin ishin shtetas pakistanezë. Një kërkim nga forcat e sigurisë është ende në vazhdim.

Si India ashtu edhe Pakistani kanë njoftuar një sërë masash hakmarrëse kundër njëra-tjetrës, duke përfshirë mbylljen e kufijve dhe pezullimin e një traktati për ndarjen e ujit të lumenjve. Trupat nga të dyja palët kanë shkëmbyer gjithashtu zjarr me armë të lehta.

Kryeministri indian Narendra Modi kishte thënë më parë se vendi do t’i ndjekë autorët e sulmeve “deri në skajet e Tokës”.

 

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb