Shkrimtari kolumbian dhe fitues i çmimit Nobel në letërsi Gabriel Garcia Marquez kishte një vajzë ilegale, një sekret që është mbajtur i fshehur nga të afërmit e tij, por që është zbuluar tetë vjet pas vdekjes së tij, nga një artikull i publikuar në shtypin kolumbian. I martuar prej 50 vjetësh me Mercedes Bacha, Garcia Marques ka pasur një lidhje jashtë martesore me një gazetare meksikane 33 vjet më të re se ai, Susana Catone.
Zbulimi është bërë nga e përditshmja El Universal, me qendër në Cartagjenë. Nga marrëdhënia e tij ka lindur një vajzë, Indira, që tani është 31 vjeç dhe është producentë kinematografike, por që nuk mban mbiemrin e babait të saj të famshëm. Autori i ‘100 vjet vetmi’ u takua me Susane Catone në Kubë për një intervistë.

“Pak para vdekjes së Gabriel Garcia Marquez, thashethemet arritën në veshët e mi dhe në këto tetë vjet jam përpjekur të verifikoj nëse informacioni ishte i vërtetë”, tha autori i artikullit, Gustavo Tatis për një radio lokale, që pranon se e ka konfirmuar lajmin nga biografia e shkrimtarit, nga disa familjarë dhe nga një prej miqve më të mirë të shkrimtarit. Por ai thotë se e ka mbajtur të fshehtë në respekt të gruas së Marquez, Mercedes.

Ekzistenca e kësaj vajze të fshehur ishte “sekreti më i shenjtë dhe intim” i Garcia Marquez. Lideri i “realizmit magjik”, Gabriel Garcia Marquez vdiq më 17 prill 2014 në moshën 87-vjeçare në Mexico City, ku jetoi një pjesë të jetës së tij.

Gruaja e tij vdiq në të njëjtën moshë më 15 gusht 2020.

Artikulli i El Universal nuk specifikon nëse Mercedes e dinte ekzistencën e Indirës. Ka shumë të ngjarë që Mercedes të ketë ndjerë atë që kishte ndodhur mes Susanës dhe Garcia Márquez, por ajo nuk foli kurrë për këtë, shkruan Tatis.

Garcia Marquez dhe gruaja e tij kishin dy fëmijë, Gonzalo dhe Rodrigo, të cilët vitin e kaluar botuan librin “Lamtumirë Gabo dhe Mercedes”, kushtuar ditëve të fundit të shkrimtarit te famshëm të letërsisë bashkëkohore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb