Të rralla janë bebet që nuk e kanë provuar të paktën një herë dhimbjen e veshit, por akoma më tragjike kjo situatë është për nënat dhe baballarët: bebi qan pa pushim, duke mos ditur ende të artikulojë mirë, tërheq fort llapën e veshit, ka temperaturë dhe është i shqetësuar dhe i grindur për 3-4 ditët e fundit. Kjo është klinika e një otiti media akut apo një infeksioni akut të veshit të mesit te fëmijët.

Kësaj tabloje klinike i ka paraprirë një infeksion viral i traktit të sipërm respirator me bllokim hundësh, sekrecione fillimisht të ujshme dhe pastaj të trasha dhe me ngjyrë të verdhë, ose edhe jeshile, temperaturë subfebrile deri në 38.5 gradë celcius, për 3-4 ditë.

Nëse ky proces do të vazhdojë, zgjidhja përfundimtare e tij do të jetë tabloja klinike e sipërpërmendur: dhimbje të forta veshi, temperaturë e lartë dhe rrjedhja e sekrecioneve në kanalin e jashtëm të dëgjimit, që fillimisht mund të jenë pak hemorragjike e pastaj me ngjyrë të verdhë e deri në purulentë.

Pas kësaj tabloje, shenjat klinike qetësohen, temperatura dhe dhimbja bien dhe vetëm sekrecionet nga veshi vazhdojnë. Në këtë zgjidhje normale të procesit inflamator, membrana timpanike apo daullja e veshit është çarë.

Veshi ndahet për lehtësi studimi në 3 pjesë:

Veshi i jashtëm (kanali i jashtëm i dëgjimit dhe aurikula apo llapa e veshit),
Veshi i mesit (kaviteti timpanik dhe 3 kockat e vogla të dëgjimit maleusi, inkusi, stapesi, që janë edhe kockat më të vogla të trupi tonë),
Veshi i brendshëm (labirinthi dhe kanalet semicirkulare përgjegjës për dëgjimin dhe ekuilibrin).
Një strukturë anatomike e rëndësishme që lidh hundën me zgavrën timpanikë pas daulles së veshit është Tubi i Eustachit, që barazon presionet ndërmjet veshit dhe atij atmosferik sa herë gëlltitemi, sepse normalisht është i mbyllur. Tek fëmijët ky kanal është më horizontal dhe më i gjerë, gjë që krijon mundësinë e kalimit të sekrecioneve nga pjesa e pasme e hundës në zonën pas daulles së veshit më lehtë se te të rriturit.

Gjatë procesit të rritjes, ky kanal bëhet më i hollë dhe më diagonal. Kjo është një nga arsyet kryesore pse fëmijët sëmuren më shumë nga infeksionet e veshit. Arsyeja tjetër është pamundësia apo mos mësimi prej prindërve i shfryrjes së hundëve dhe tërheqja mbrapsht e sekrecioneve për në vesh.

Mirëfunksionimi i të tre organeve ORL: vesh, hundë dhe fyt fillon nga një mirëfunksionim i hundës, pra, nga një frymëmarrje e mirë, e qetë ditën dhe natën dhe nga mungesa e sekrecioneve të shtuara që gjenerojnë në procese inflamatore apo infeksione.

Kjo është ajo që duhet t’u themi vazhdimisht prindërve, përveç faktit që duhet t’i mësojnë fëmijët e tyre të shfryjnë hundët.

Grumbullimi i sekrecioneve pas veshit dhe mbivendosja e infeksionit bakterial quhet pra otitis media akut ose infeksioni akut i veshit të mesit. Nuk duhet ngatërruar ky infeksion bakterial me sëmundjen e veshit të brendshëm apo Morbus Menier, që gabimisht në popullatë apo edhe nga mjekë njihet me një term të gabuar si “veshi i mesit”

70% e të sapolindurve dhe fëmijëve kanë të paktën një episod para moshës 2 vjeç, me një incidencë më të lartë në 3-18 muajt e parë. Kjo incidencë bie pas daljes së dhëmbëve të përhershëm.

Faktorët e mjedisit që ndikojnë janë:

a) rritja e fëmijëve në çerdhe
b) mosushqyerja me qumësht gjiri në të paktën 3-6 muajt e parë të jetës
c) ushqyerja me biberon shtrirë në shpinë për një kohë të gjatë
d) ekspozimi ndaj tymit të duhanit
e) faktori stinor

Në të gjitha rastet me dhimbje veshi, fëmija duhet vizituar nga mjeku ORL, për të vendosur një diagnozë më të saktë, e cila do të përcaktojë fillimin apo jo të një terapie medikamentoze me antibiotikë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb