Një lajm i dhimbshëm ka prekur zemrat e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Risela Llapushi, një infermiere vetëm 25 vjeçe, me banim në Belgjikë, ka ndërruar jetë pasi humbi betejën me sëmundjen e rëndë në mëlçi.
E re, në lule të rinisë, me një profesion fisnik dhe një shpirt human, Risela nuk ia doli të kryente transplantin jetik të mëlçisë që do t’i shpëtonte jetën.
Shpresa e vetme për të ishte një ndërhyrje urgjente në një spital të specializuar në Turqi, me një kosto prej 100 mijë euro.
Përballë kësaj sfide të pamundur për familjen e saj, të afërmit bënë apel për ndihmë publike, duke hapur një llogari donacionesh në platformën GoFundMe dhe duke kërkuar mbështetje në media mes tyre edhe në BalkanWeb, ku apeli u publikua dhe shpërnda me shpejtësi.
Reagimi i shqiptarëve ishte i menjëhershëm dhe prekës. Brenda vetëm disa ditësh nga publikimi i thirrjes për ndihmë, u mblodhën afro 46 756 mijë euro, falë solidaritetit të qindra kontribuuesve që u preken nga historia e Riselës dhe që besuan në një mrekulli.
Mesazhet mbështetëse, lutjet dhe shpresa ishin të shumta. Por, për fat të keq, gjendja shëndetësore e Riselës u përkeqësua shpejt dhe ajo ndërroi jetë para se të mund të kryente ndërhyrjen.
(BalkanWeb)
