Spanja është duke u përballur me inflacion të lartë, pasojë e krizës globale energjitike dhe ekonomike.

Ndërkohë qytetarët detyrohen të rrinë në ato që quhen “Rradhët e urisë” në përpjekje për të marrë ndihmë ushqimore.

“Ne shohim që çmimet rriten çdo javë, madje edhe për produktet bazë… Nuk ia dalim dot më”, thotë një 44-vjeçar, duke qëndruar përballë tregut të fruta perimeve, në Madrid.

Çdo të shtunë, ai merr sa më shumë ushqime të mundet nga një shoqatë e krijuar gjatë pandemisë, në mënyrë që të ndihmojë banorët në vështirësi.

“Unë fitoj 1200 € në muaj dhe gruaja 600 €” për një punë me kohë të pjesshme. Por ne kemi tre fëmijë. Kemi kosto të lartë jetese, 800 euro për qiranë dhe 300 euro për tarifa të ndryshme. Nuk kemi mundësi kursimi”, u shpreh Hugo.

Çdo fundjavë, mijëra njerëz si Hugo qëndrojnë në radhë në vende të ndryshme në kryeqytetin spanjoll për të marrë ushqim.

Në fillim të pandemisë, shërbimi spanjoll i Euronews raportoi për të ashtuquajturat “radhë urie” që lindin në të gjithë Madridin. Që atëherë, fenomeni është shtuar muajt e fundit nga rritja e inflacionit.

“Disa nga përfituesit nuk kanë të ardhura. Por kemi edhe gjithnjë e më shumë pensionistë me pensione të vogla ose njerëz që punojnë, por paga e tyre është e pamjaftueshme. Për disa familje është bërë e vështirë edhe blerja e një litri vaj ulliri apo e një kilogrami thjerrëza”, thotë një prej organizatave humanitare.

Sipas një studimi të publikuar në fillim të vitit 2022 nga Universiteti i Barcelonës, një në shtatë familje spanjolle përballet me “pasiguri ushqimore” për shkak të mungesës së aksesit në produkte të shëndetshme dhe ushqyese. 

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb