Inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) vizituan instalime bërthamore iraniane javën e kaluar, deklaroi sot një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane, sipas mediave shtetërore.
Kjo vjen vetëm një javë pasi IAEA i kërkoi Iranit të “përmirësojë ndjeshëm” bashkëpunimin me inspektorët.
Agjencia ka kryer mbi 10 inspektime në Iran që pas konfliktit 12-ditor me Izraelin në qershor, por javën e kaluar theksoi se nuk i është dhënë qasje në instalimet kyçe si Fordow, Natanz dhe Isfahan – të gjitha të goditura nga sulmet ajrore amerikane.
“Për sa kohë që jemi pjesë e NPT-së (Traktatit për Mos përhapjen e Armëve Bërthamore), do të respektojmë detyrimet tona. Vetëm javën e kaluar, inspektorët e IAEA-s vizituan instalime bërthamore, përfshirë Reaktorin Kërkimor të Teheranit,”, tha Ismail Baghaei, pa përmendur instalimet e tjera.
Shefi i IAEA-s, Rafael Grossi, deklaroi javën e kaluar se Irani duhet të përmirësojë ndjeshëm bashkëpunimin për të shmangur përshkallëzimin me Perëndimin. Ai shtoi: “Irani nuk mund të thotë ‘unë mbetem në NPT’ dhe pastaj të mos respektojë detyrimet.”
Zyrtarët iranianë akuzojnë IAEA-n se ofron pretekste për sulmet izraelite të qershorit, të cilat nisën një ditë pasi bordi i IAEA-s votoi për të shpallur Iranin shkelës të NPT-së.
Tensionet rreth programit bërthamor iranian vazhdojnë të rriten, me Teheranin që insiston në të drejtën për pasurim uraniumi për qëllime paqësore, ndërsa Perëndimi dyshon për synime ushtarake.
