Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, mori pjesë në analizën vjetore të punës së Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, ku u prezantuan rezultatet e vitit të fundit dhe prioritetet për forcimin e mëtejshëm të kontrollit në tregun farmaceutik dhe atë të pajisjeve mjekësore.
Në fjalën e tij, Inspektori i Përgjithshëm theksoi rëndësinë kritike që ka ky sektor për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, duke nënvizuar se barnat dhe pajisjet mjekësore duhet të jenë plotësisht të certifikuara, të kolauduara dhe në përputhje të plotë me standardet ligjore, teknike dhe me standardet e Bashkimi Evropian.
Sula u ndal veçanërisht tek rreziku që paraqesin barnat kontrabandë, barnat e falsifikuara apo ato të skaduara që tentojnë të hyjnë në treg si dhe tek dhënia e shërbimit nga staf i paautorizuar dhe i paliçensuar duke theksuar se këto praktika përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe dëmtojnë besimin në sistemin e kontrollit.
“Ky është një sektor ku nuk mund të ketë kompromis. Barnat kontrabandë, ato të falsifikuara apo të skaduara nuk kanë vend në tregun shqiptar. Qasja jonë është dhe do të mbetet tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje në këtë fushë kaq të ndjeshme”, u shpreh ai.
Inspektori i Përgjithshëm theksoi se forcimi i kontrolleve dhe garantimi i përputhjes me standardet e Bashkimit Evropian janë elementë thelbësorë për modernizimin e sistemit të mbikëqyrjes së tregut dhe për rritjen e sigurisë së barnave dhe pajisjeve mjekësore për qytetarët.
Gjithashtu, ai nënvizoi nevojën për kontroll të shtuar ndaj farmacive sezonale, të cilat shtohen veçanërisht gjatë periudhës së verës në zonat turistike, si dhe për mbikëqyrje më të rreptë të depove farmaceutike brenda spitaleve, me qëllim garantimin e ruajtjes dhe shpërndarjes së barnave sipas standardeve të kërkuara. Sipas tij, këto pika kërkojnë vëmendje të veçantë inspektuese, sidomos gjatë sezonit veror kur rritet ndjeshëm fluksi dhe kërkesa për produkte farmaceutike.
Në përfundim, ai theksoi se Inspektorati i Përgjithshëm do të vijojë të mbështesë fuqizimin e mekanizmave të kontrollit dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, me qëllim garantimin e një tregu të sigurt dhe plotësisht të harmonizuar me standardet evropiane.
View this post on Instagram
