TIRANE

Në janar të këtij viti, kryeministri i vendit që e nisi karrierën e tij politike si ministër i kulturës, njoftoi shkrirjen e Ministrisë së Kulturës si dikaster më vete, dhe bashkimin e saj me dy të tjera. Vendimi ngjalli shqetësim në qarqet kulturore që gjithsesi kishin vënë në dukje pakënaqësi mbi buxhetet e politikat kulturore edhe me një ministri të përkushtuar.

“Ka legjitimitet të plotë shqetësimi i bashkimit të Kulturës me ekonominë, sepse të gjithë ata që në një farë mënyre që merren me kulturën e kanë të qartë se kultura e një populli ka një dinjitet t’i përkasë si mendim politik një dikasteri te veçantë” Ardian Ndreca, profesori i Filozofisë në Universitetin Urbaniana në Romë dhe lëvrues i lamive kulturore.

Ndreca i bën një skaner situatës kulturore në Shqipëri në një intervistë për News24, duke marrë në shqyrtim disa tema: nga menaxhimi i siteve të trashëgimisë kulturore me fondacion, te buxhetet, vëmendja ndaj kulturës në Ministrinë e re, institucionet e mbyllura, restaurimi i Muzeut Historik Kombëtar, mbingarkesa e Bibliotekës Kombëtare apo rikonstruksioni i Galerisë Kombëtare, Teatrit të Kukullave, dhe Cirkut.

“Më kanë pyetur në 2019 për një strategji për kulturën. Në fakt kanë qenë politika, jo strategji sepse strategjia mbetet, e politikat janë afatshkurtra. Ajo që më bënte përshtypje ishte se regjistrat e kulturës i nënrenditeshin regjistrave ekonomicistë. Më erdhi ne mendje kjo kur e pashë kulturën në një korporate me dy dikastere të tjera te kjo ministri nuk është më e fortë kultura dhe kjo nuk do shumë për t’u kuptuar, në rastin më të mirë është një prej 3 orientimeve, në rastin më te keq, orientimi më i dobët. Ajo që është pezulluar e dobësuar në Shqipëria, ka qenë vëmendje a e politikës, arsimit e shëndetësisë që janë sektorët që nuk mund të jenë aktiv. Është absurde të mendosh që kultura mund të jetë aktive në një shtet si ne”, tha Ndreca.

Kultura është në vetvete një proces, vëren Ndreca i cili shton se “do të ishte më logjike me e inkorporu me Ministrinë e Shëndetësisë meqë ka nevojë për ndihmë të shpejtë se sa me ministri të tjera”.

Sa i takon mbingarkesës së Bibliotekës kombëtare, mbylljes së muzeut, teatri kombëtar që është në një strukturë jo të përshtatshme, një cirk e teatër kukullash në ekzil, çka krijon një moment të mbrapshtë për kulturën edhe në ndikim afatgjatë, Ardian Ndreca thotë se “kjo bën pjesë të braktisja. Kultura. Shëndetësia e arsimi janë sektorët që janë braktisur, e janë institucione që janë krijuar në kushte historike shumë të vështira, për të cilat kanë punuar me vetëmohim breza të tëre. E kam fjalët për Bibliotekën kombëtare. Nuk e nderon shtetin tonë procesin përmes të cilit, këto institucione kanë shkuar, mbase jo drejt rrënimit se është fjalë e fortë, por sigurisht që tregon se nuk janë parësore për politikën. Mirëpo një shtet pa bibliotekë kombëtare tregon se ka një spesor kulturor të dobët. Njësoj pa teatër. Me premtime, patjetër. Politika e ka zanat me premtu, por e ka edhe ves mos e me e mbajt premtimet. Por faktikisht kanë kaluar disa vite dhe gjendja e bibliotekës, përmbytja që u shkaktua nga punimet në shesh, ka qenë një përmbytje tragjike për fondet. Tani ne nuk mund të gjykojmë se cilët libra janë lagur. Nëse ata libra janë në bibliotekë kanë vlerë, nëse nuk meritojnë te jenë në bibliotekë duhet të nxirren nga aty dhe të lirohet vend”.

Gjatë intervistës, vëren se kultura është depozitë dijesh përballë antikulturë dhe se buxhetet e ulëta, shpërfaqin peshën që i jep qeveria. Duke përmendur disa alternativa private të suksesshme në kulturë, ai thekson se nismat private nuk zëvendësojnë sistemin e politikat shtetërore. Ai nuk e sheh gjithaq, kulturën si motor zhvillimi për shkak të rrethanave historike e jo vetëm, por nga ana tjetër, “nënrenditja e kulturës te mentaliteti i tregut është me e mbytë në djep” sipas tij.
Menaxhimin e trashëgimisë me fondacione e gjen si qasje jo bindëse, ndërsa argumenton pse shteti nuk duhet të tërhiqet përmes mekanizmave të kontrollit.
Sa i takon mbylljes së Muzeut Kombëtar, Ndreca thotë se në 4 vite ai do të munde të ndërtohej nga fillimi dhe duke shprehur mosbesimin te shkenca e historisë në Shqipëri thekson kujdesin që duhet treguar në rikonceptimin e pavijoneve të tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb