Kreu i Grupit parlamentar të PS, Taulant Balla në një komunikim me mediat nga Kryesia e Kuvendit, foli lidhur me përplasjet mes ish-ministres së Jashtme, Elisa Spiropali dhe kryeministrit Edi Rama, javët e fundit.

Balla ka mohuar që Spiropali, sipas tij, të ketë shprehur pakënaqësi në mbledhjet e grupit parlamentar. Megjithatë, i pyetur nëse ka vendim nga grupi i PS për Elisa Spiropalin, Balla tha se analiza bëhet në fund të sesionit.

“Çdo fund-sesioni bëjmë një analizë për performancën e çdo deputeti. Më pas kërkohet përmirësimi i performancës. Spiropali nuk ka shprehur shqetësim në mbledhje grupi. Nuk kam dëgjuar gjë”, tha ai.

Balla ka deklaruar gjithashtu se PS synon që në zgjedhjet lokale të fitojë në 61 bashkitë e vendit.

Pjesë nga komunikimi me gazetarët:

Balla: Është normale që deputetë në grupin e PS të kenë propozime, të kenë kritika. Kjo është demokracia brenda grupit parlamentar dhe PS. Këto në korridore në rrjetet sociale nuk i ndjek unë.

A keni marrë një vendim sa i takon Spiropalit pasi është thënë që do merret vendim grupi për qëndrimin dhe mos votim për çështjen e  Ballukut?

Balla: Kemi një rregull që në cdo fund sesioni bëjmë një analizë të punës së çdo deputeti. Kryesia e grupit parlamentar i paraqet grupit një raport, kur të vijë ai moment…

Pra PS do të presë fundin e korrikut për një vendimmarrje për zonjën Spiropali?

Balla: Për performancën e cdo deputeti të PS është rregull, atëherë bëhet një performancës. Janë rregulla që ekzistojnë në çdo grup parlamentar

Kritikat që Spiropali adreson në rrjetet sociale i ka shprehur në mbledhjen e grupit parlamentar?

Balla: Jo nuk i ka shprehur, nuk i kam dëgjuar në mbledhje grupi

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb