Deputetja e PD, Jorida Tabaku thotë se integrimi i Shqipërisë në BE është në një udhëkryq për shkak të mazhorancës.

Në një reagim në rrjete sociale, Tabaku shprehet se PS me kryeministrin Edi Rama po refuzojnë që të zbatojnë ligjin dhe drejtësinë ashtu siç kërkohet në çdo vend evropian, njësoj për të gjithë pa përjashtime e privilegje.

Mesazhi i plotë

Shqipëria përballë Zgjedhjes së Saj Historike

Shqipëria është realisht në një udhëkryq. Dhe ironia është se ata që e kanë sjellë vendin në këtë pikë janë e njëjta forcë politike që në vitin 2010 refuzoi të votojë tre ligje të rëndësishme, duke bllokuar institucionet për interesa të ngushta politike. Sot, po e njëjta parti dhe i njëjti kryetar partie e kanë degdisur Shqipërinë në një tjetër udhëkryq – atë të integrimit europian – sepse refuzojnë të zbatojnë ligjin dhe drejtësinë siç kërkohet në çdo vend europian: njësoj për të gjithë, pa përjashtime dhe pa privilegje.

Në një Shqipëri që renditet e fundit në rajon për fuqinë blerëse për frymë, që lëngon për pensione dinjitoze, që përballet me një klimë biznesi të pasigurt dhe ku zhvlerësimi i euros nga paratë e pista shoqërohet me rritje të përditshme të çmimeve të shportës, ky udhëkryq bëhet edhe më dramatik. Nuk është një ndalesë që e kemi zgjedhur. Është një pengesë që na është imponuar nga një model qeverisjeje që vendos interesin personal mbi interesin kombëtar.

Kjo aventurë politike, që përpiqet të ndërtojë mitin e një lideri të pazëvendësueshëm, e ka zhvendosur debatin nga standardet europiane te kultivimi i pushtetit personal. Por zgjedhja përpara nesh është e qartë: ose një sistem i mbyllur, ku korrupsioni institucionalizohet dhe pushteti përqendrohet në një dorë të vetme, ose një Shqipëri europiane – me institucione të forta, ekonomi të ndershme dhe drejtësi të barabartë për të gjithë.

Çdo shqiptar e di se cilën rrugë duhet të zgjedhë. Dhe përgjigjja nuk është vetëm një mendim. Është një qëndrim. Një akt qytetar. Një zë që duhet të dëgjohet. Prandaj të shtunën përballë Kryeministrisë në orën 18:00 bëje zërin tënd të dëgjohet!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb