Progresi i Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është ndalur vitet e fundit, sipas një draft-raporti të Parlamentit Evropian mbi Serbinë, në të cilin N1 ka pasur qasje, duke vënë në dukje se shqetësimet kryesore lidhen me “gjendjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit”.
Draft-raporti i Parlamentit Evropian për Serbinë vlerëson se progresi i vendit drejt anëtarësimit në BE praktikisht ka ngecur vitet e fundit, me shqetësime në rritje në lidhje me gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit dhe liritë themelore. Dokumenti thotë se “në vitet e fundit, progresi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE ka ngecur”, ndërsa shqetësimet kryesore “përqendrohen kryesisht në gjendjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit”.
“Në vitet e fundit, progresi i Serbisë drejt pranimit në BE ka ngecur, me shqetësime të përqendruara kryesisht në gjendjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit. Ka një numër çështjesh urgjente që duhen adresuar, në veçanti polarizimi dhe tensionet në rritje politike, nevoja për reforma strukturore në fushën e sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe çështje të tjera që lidhen me BE-në, si dhe nevoja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në përputhje të plotë me politikën e jashtme të BE-së”, thuhet në draft-raportin e nënshkruar nga raportuesi i Parlamentit të BE-së për Serbinë, Tonino Picula .
Dokumenti gjithashtu thotë se Serbia nuk ka bërë përparim të konsiderueshëm në përmbushjen e kërkesave të anëtarësimit në shumë kapituj negociues.
“Na vjen keq për faktin që Serbia ka bërë përparim të kufizuar ose aspak në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në BE në shumë kapituj të tjerë negociues. Negociatat e pranimit të Serbisë në Bashkimin Evropian duhet të përparojnë vetëm në bazë të përparimit të matshëm dhe të qëndrueshëm”, thuhet në dokument, duke specifikuar se i referohet fushave të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësisë së gjyqësorit, lirisë së medias dhe reformës së administratës publike.
Raporti shpreh gjithashtu shqetësim për situatën politike në vend në kontekstin e protestave masive që kanë ndodhur në të gjithë vendin që nga nëntori i vitit 2024.
“Këto protesta pasqyrojnë pakënaqësi të thellë midis qytetarëve dhe studentëve , të cilët kërkojnë llogaridhënie dhe reforma që lidhen me sundimin e ligjit.
Parlamenti Evropian vlerëson gjithashtu se “mënyra më e mirë për të zgjidhur krizën politike në Serbi do të ishte mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, me zbatimin e plotë të rekomandimeve të ODIHR-it dhe një proces zgjedhor transparent.
Dokumenti shpreh gjithashtu shqetësim për gjendjen e lirive themelore gjatë protestave dhe mënyrën se si autoritetet reaguan.
