Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, konkurrenca midis dy superfuqive të atëhershme, SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, bazohej në numrin e përgjithshëm të armëve bërthamore dhe të trupave që mund të dislokonin në Europë, Atlantik dhe rrethin Arktik.

Sot, megjithatë, konkurrenca mbështetet në të dhëna krejt të tjera, përparimin në inteligjencën artificiale, nivelin e teknologjisë së procesorëve kompjuterikë dhe në aplikimet robotike që shfrytëzojnë zhvillimet e IA-së dhe shkencës kompjuterike.

Rusia është ndjeshëm prapa në të gjitha këto fusha, jo vetëm krahasuar me SHBA-në dhe Kinën, por edhe me disa vende më të vogla europiane.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar shpesh se Rusia duhet të jetë lidere në fushën e inteligjencës artificiale. Në realitet, sipas Eall Street Journal, vendi i tij ka mbetur prapa, ndërsa të tjerët avancojnë.

Ndërsa SHBA-ja dhe Kina garojnë për dominim në modelet dhe aplikimet e inteligjencës artificiale, dhe vendet e Europës e Lindjes së Mesme po investojnë fort, lufta në Ukrainë ka përmbysur ambiciet dikur të larta të Rusisë.

Në versionin rusisht të platformës LM Arena, ku përdoruesit vlerësojnë modele të inteligjencës artificiale, modeli më i mirë rus renditet vetëm në vendin e 25-të, prapa edhe modeleve më të vjetra të ChatGPT dhe Gemini të Google.

Sipas mjetit Global AI Vibrancy Tool të Universitetit të Stanfordit, i publikuar në nëntor, Rusia renditet në vendin e 28-të nga 36 vende të analizuara. Sanksionet perëndimore i kanë prerë aksesin Rusisë në materiale kritike si gjysmëpërçuesit dhe kanë paralizuar aftësitë e saj të prodhimit.

Kompanitë ruse tani varen nga ndërmjetës në vende të treta për të siguruar gjithçka, nga çipet e teknologjisë së lartë deri te abonimet bazë në ChatGPT. Moska është mbështetur gjithashtu ndjeshëm tek Kina, duke e thelluar varësinë ekonomike nga fqinja e saj.

Problemi rëndohet edhe nga “brain drain”, me talentet kryesore që braktisën Rusinë pas pushtimit të Ukrainës. Të shkëputura nga tregjet ndërkombëtare, kompanitë ruse të IA-së siguruan vetëm rreth 30 milionë dollarë fonde vitin e kaluar, ndërsa vetëm OpenAI grumbulloi mbi 6 miliardë dollarë.

“Rusia ka vite që ngec në zhvillimin e inteligjencës artificiale,” thotë Yuri Pondorozhny, ish-drejtues i industrisë ruse të teknologjisë. Pondorozhny, i cili ka punuar për versione ruse të Google Maps dhe Netflix, u largua nga Rusia pas nisjes së luftës në 2022.

Sot jeton në Londër dhe është drejtor i IA-së në kompaninë Finom. “Rusia tashmë e ka humbur garën dhe është e pamundur ta kapë diferencën,” thotë ai. Edhe drejtues të IA-së që punojnë ende në Moskë ndajnë të njëjtin mendim, duke theksuar se izolimi ekonomik dhe gjeopolitik i pengon kompanitë të financohen dhe të zgjerojnë tregun jashtë Rusisë.

Ndërsa inteligjenca artificiale po riformëson ekonominë globale, shtetet po luftojnë të sigurojnë kontrollin e tyre mbi infrastrukturën, të dhënat dhe modelet IA për të shmangur varësinë strategjike.

Edhe në fushën ushtarake, gatishmëria lidhet gjithnjë e më shumë me aftësitë e IA-së , nga sistemet autonome mbrojtëse te mjetet e vendimmarrjes në fushëbetejë.
Për Moskën, kjo është veçanërisht e rëndësishme përballë përplasjes së vazhdueshme me Perëndimin.

“Ne nuk mund të lejojmë varësinë nga sistemet e huaja,” deklaroi Putini në një konferencë për IA muajin e kaluar. “Për Rusinë, kjo është çështje sovraniteti shtetëror, teknologjik dhe vleror.”

Autoritetet ruse pranojnë disa mangësi, por pretendojnë se modelet vendase po përmirësohen shpejt.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb