Më 25 Qershor, Tirana do të shndërrohet në një pikëtakim të politikëbërësve, drejtuesve të biznesit, investitorëve, akademikëve, ekspertëve të teknologjisë dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik, në kuadër të edicionit të dytë të AI Business Summit, kushtuar një prej forcave më transformuese të ekonomisë globale: Inteligjencës Artificiale.
Nën temën “AI in Practice”, AI Business Summit II do të zhvillohet më 25 Qershor në Innovation Hub, Piramida e Tiranës. Samiti organizohet nga Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA), në bashkëpunim me kompaninë globale Accenture, nën kujdesin e Ambasadës së Greqisë në Tiranë dhe me Raiffeisen Bank Albania në cilësinë e Platinum Partner.
Pas suksesit të edicionit të parë, AI Business Summit II do të vendosë në qendër të diskutimit zbatimin konkret të Inteligjencës Artificiale dhe mënyrën se si ajo po krijon vlerë reale për biznesin, institucionet dhe ekonominë.
Samiti do të bëhet një platformë dialogu ndërmjet institucioneve, biznesit, akademisë dhe partnerëve ndërkombëtarë për të diskutuar mundësitë dhe sfidat që Inteligjenca Artificiale sjell për ekonominë, investimet dhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë.

Për më shumë se dy dekada, Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri ka kontribuar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Sot, ajo vazhdon të luajë një rol aktiv në promovimin e investimeve, inovacionit dhe partneriteteve që krijojnë vlerë për të dy vendet.
Për z. Denald George Tafani, President i Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri, AI Business Summit II është një mundësi për të sjellë në të njëjtën tryezë aktorët që po formësojnë të ardhmen e ekonomisë digjitale:
“Inteligjenca Artificiale nuk është më një vizion për të ardhmen, por një realitet që po transformon mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe bëjmë biznes. Përmes AI Business Summit II, synojmë të krijojmë një hapësirë ku idetë takohen me përvojën, teknologjia me biznesin dhe inovacioni me mundësitë reale të zhvillimit.”
Më shumë se një konferencë, AI Business Summit II synon të jetë një katalizator për dialog, bashkëpunim dhe ide të reja, duke vendosur Tiranën në qendër të diskutimeve mbi të ardhmen e Inteligjencës Artificiale në rajon.
Teksa Inteligjenca Artificiale po kalon nga vizion në realitet, AI Business Summit II sjell në Tiranë diskutimin mbi mënyrën se si kjo teknologji po transformon biznesin, institucionet dhe ekonomitë.
Për Shoqatën e Biznesit Grek në Shqipëri, samiti është pjesë e një angazhimi më të gjerë për të mbështetur iniciativat që nxisin inovacionin, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë, Greqisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Më 25 Qershor 2026, Tirana do të jetë vendi ku vizioni takohet me zbatimin.
