Agjencia e inteligjencës rumune ka deklaruar se ka zbuluar një rrjet sabotimi të koordinuar nga Rusia, të cilin autoritetet e Bukureshtit e lidhin me një zjarr të rënë në shtator në një strukturë industriale në Rumaninë qendrore, pranë një kompanie shtetërore të prodhimit të armëve.
Sipas deklaratës së agjencisë, personat që koordinonin aktivitetin nga Rusia kishin përcaktuar një sërë objektivash në zonë, përfshirë objekte shtetërore dhe private të prodhimit të armëve, si dhe struktura të tjera me rëndësi ushtarake dhe industriale.
Hetimet kanë zbuluar përfshirjen e disa shtetasve nga ish-shtetet sovjetike, të cilët jetojnë në vende të Bashkimit Evropian. Autoritetet rumune, në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese të disa vendeve evropiane, po vijojnë procedurat ligjore lidhur me aktivitetin e tyre.
Sipas autoriteteve, tre shtetas të huaj, dy bjellorusë dhe një ukrainas, janë nën hetim për këtë çështje.
Ndërkohë, Rusia ka mohuar vazhdimisht akuzat se qëndron pas akteve të sabotimit në vende të ndryshme të Evropës.
Hetimet për rastin në Rumani vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe lidhjet e mundshme të personave të dyshuar me rrjetin e pretenduar të sabotimit.
