Inter i Inzaghi-t pësoi një humbje të pastër 2-0 në “Allianz Arena”, por një humbje që nuk djeg, kualifikimi ishte mbyllur një xhiro përpara fundit, ndërsa trajneri zikaltër pati luksin të bëjë një rotacion të lehtë për ti dhënë frymëmarrje ekipit përpara sfidës kundër Juves në Serie A:
“Kemi kaluar një grup të rëndësishëm që na jep kënaqësi të mëdha. Zhvilluam një ndeshje të mirë të cilën mund ta zhbllokonim përpara se të pësonim atë gol naiv. Rasti i Mane? Për fat të mirë nuk ishte deçiziv, por nuk më kishte rastisur kurrë diçka e tillë”, theksoi Inzaghi duke pranuar se tashmë vëmendja është e gjitha në Serie A: “Duhet të ndryshojmë marsh, kemi përpara një sfidë të rëndësishme. Arrita të alternoj lojtarët këtë mbrëmje dhe jam shumë i kënaqur”, u shpreh Inzaghi pas ndeshjes.
I lumtur për këtë kualifikim u shfaq edhe Kristjan Asllani, në sfidën e tij të parë si titullar në Champions: “Kjo fazë grupesh ka qenë emocionuese dhe e vështirë, të gjithë ne donim ta mbyllnim me një fitore, por nuk i arritëm. Përballë kishim një rival vërtet të fortë dhe nuk arritëm t’i shënonim, por gjithsesi u kualifikuam dhe kjo është ajo që në fund ka rëndësi dhe na lumturon. Tani e gjithë vëmendja është te Juventus, jemi të vetëdijshëm se nuk duhet të lëmë më pikë në kampionat”, theksoi Asllani për faqen zyrtare të klubit.
I lumtur për këtë ecuri perfekte në Champions u shfaq Nagelsmann pas ndeshjes: “Në fund ishim skuadra më e mirë në këtë grup, shënuam shumë gola dhe pësuam pak, nuk ishte e lehtë, jemi të kënaqur më atë që kemi bërë. A mund të fitoj Inter Champions? Po, e njëjta gjë vlen edhe për ne. Nëse arrin të kalosh një grup kaq të vështirë mund të jesh favorit për të fituar Champions”, u shpreh trajneri i Bayern pas ndeshjes.
(BalkanWeb)
