Ashtu si Bayern e Arsenal, edhe Inter vijon ecurinë perfekte në Champions, 4 ndeshje 4 fitore, 12 pikë të plota. Në “San Siro”, ndaj modestëve të Kairat Almaty, ekipi i Chivu-t vuajti më shumë se sa pritej, edhe pse krijuan disa raste të pastra në start, madje pretenduan edhe për një penallti, për faull në zonë ndaj Bisseck. Kairat nuk qëndroi pasiv në këtë transfertë, madje në minutën e 42-të tronditën portën zikaltër, me topin që u përplas në traversë. Në limitet e fazës së parë, ishte kapiteni Lautato Martinez që tundi rrjetën duke bërë që në stadium të shpërthente festa.
Ishte e qartë që Inter e kishte marrë pak lehtë këtë takim, kjo u vërtetua edhe në minutën e 55-të, ku Arad i pa shqetësuar në zonë vendosi baraspeshën me një goditje të saktë me kokë. Për t’i dhuruar 3 pikët ekipit zikaltër mendoi Carlos Augosto, me mesfushorin që lëshoi një “predhë” të vërtetë nga distanca që u stampua në rrjetë në minutën e 67-të.
Inter menaxhoi me kujdes pjesën e mbetur të këtij takimi duke marrë një trepikësh me shumë peshë, i vetmi detaj pozitiv në sytë e trajnerit Chivu: “Marr përsipër përgjegjësinë, si trajner mbase nuk kam përcjellë sa duhet grindën tek ekipi, edhe pse luajmë çdo tre ditë. Mund të bënim më mirë, por marrim 3 pikë që janë thelbësore për klasifikimin. Të mos harrojmë, ndeshjet në Champions nuk janë kurrë të lehta. Zëvendësimi i Martinez? Ishte diçka e programuar. Mqs në pjesën e parë shënoi, u zhbllokua dhe udhëhoqi ekipin si kapiten, menduam që në pjesën e dytë të pushonte”, u shpreh Chivu.
(BalkanWeb)
