Edhe pse hapja e merkatos së janarit është e afërt, Interi po shikon më shumë nga e ardhmja sesa nga e tashmja. Në selinë zikaltër, drejtuesit kanë nisur të planifikojnë goditjet për verën e ardhshme, duke pasur parasysh hapësirën e kufizuar për ndërhyrje gjatë sesionit dimëror. Prioriteti mbetet përforcimi i mesfushës, me vëmendje të veçantë te krahu i djathtë dhe qendra e fushës.

Dy emrat që kryesojnë listën janë Marco Palestra dhe Ederson, të dy lojtarë të Atalantës. Palestra, aktualisht në huazim te Cagliari, është një nga zbulimet e këtij sezoni dhe shihet si profili ideal për skemën 3-5-2 të Chivu-t, sidomos në një repart ku Dumfries nuk ofron më të njëjtat garanci si në të kaluarën. Edhe Ederson mbetet një objektiv i fortë për mesfushën, me brazilianin që në qershor mund të jetë lojtari i madh i sakrifikuar nga Atalanta për të financuar merkaton.

Interi do të nisë vëzhgimet nga afër që në përballjen e radhës së kampionatit në Bergamo, por çdo vendim konkret është i shtyrë për në fund të sezonit. Zikaltërit mbledhin informacion, përgatisin terrenin dhe presin momentin e duhur për të vepruar në merkaton e verës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb