Inter zëvendëson Hakimin e larguar te PSG. Klubi zikaltër arriti marrëveshjen me PSV Eindhoven për 12.5 milionë euro plus 2.5 bonuse në lidhje me Denzel Dumfries. Mbrojtësi holandez është tashmë nën urdhërat e Inzaghit.

Lojtari mbërriti në Milano mbrëmjen e së enjtes dhe sot u është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore. Pas Dzekos Dumfries është përforcimi i radhës i Interit. Këto lëvizje u bënë të mundur pas transferimit të Lukaku te Chelsea.

Përparësia ishte gjetja e zëvendësuesit për Achraf Hakimi, që mbajti një peshë të madhe në fitimin e titullit kampion. Profili i zgjedhur është pikërisht ai i Dumfries, anësori holandez i PSV i lindur në 1996. “Unë jam gati dhe i uritur”, – këto ishin fjalët e tij të para pas mbërritjes në aeroport.

Lojtari donte vetëm Interin. Everton insistoi gjithashtu, madje flitet për një ofertë më të madhe, por Dumfries foli me drejtuesit e PSV dhe ata pritën derisa Interi siguroi paratë me shitjen e Lukakut. Tani pritet vetëm prezantimi zyrtar nga klubi zikaltër.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb