TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi në një status të tijin në Facebook shprehet se do t’i kërkonte Kuvendit një interpelancë urgjente më kryeministrin Rama për zgjedhjet, por duke qenë se Kuvendi nuk do mblidhet nesër Patozi i drejtohet kryeministrit me këtë status, ku ndër të tjera thotë se vetëm Rama mund t’i shpëtojë këto zgjedhje.

“E kam kërkuar këtë interpelancë sepse mendoj se ti je përgjegjësi kryesor për fatin e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri, por edhe ngaqë mendoj se ka ende kohë, ndonëse jo shumë, për t’i shpëtuar ato. Gjatë muajve të fundit je përpjekur të mos flasësh vetë për këtë cështje, duke bërë sikur nuk ta ndjen shumë. Por e ke bërë gjithësesi përmes të tjerëve dhe nuk është e vështirë të kuptohet që nuk ti ke as më të voglën dëshirë ta trazosh mocalin e fëlliqur të ambjentit elektoral në Shqipëri, pasi vetëm kështu mendon se fiton sërish. Ti nuk ke asnjë detyrim ta marrësh në konsideratë mendimin tim, por unë ndjehem i detyruar që ta them se e ke keqkuptim të madh këtë”.

Më tej ai i shpjegon Ramës arsyet pse votimi elektronik nuk është tekë e PD, por domosdoshmëri akute në Shqipëri, ndërsa shton: Të takon ty vendimi për fatin e zgjedhjeve e Shqipëri, ndaj nuk ka nevojë të fshihesh pas letrës së OSBE-së dhe shpjegoja atyre, se edhe për shkakun tënd, ky vendi ynë i bukur dhe i dashur nuk mund të konsiderohet, as si Franca, as si Kroacia, madje as si Maqedonia, kur vjen puna për zgjedhjet. Sepse të tillë e kemi bërë veten. Mësoje edhe Gramozin që përgjegjësinë për zgjedhjet tona e marrim vetë dhe nuk e ka OSBE-ja, megjithë respektin e palëkundur për të”.

Duke shtuar se votimi elektronik është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë, Patozi përmend edhe shembullin e Francës, e cila, sipas tij ka ndryshim të madh me Shqipërinë.
“Tani dy fjalë pse votimi elektronik është e vetmja zgjidhje dhe një përgjigje për ata që na përmendin shembujt e Francës apo Gjermanisë. E di ku është ndryshimi ynë me ato vende të respektuara? Fare “i vogël” është, në fakt. Se tek ata njeriu është zgjidhja, ndaj makina shikohet si problem, sepse ajo edhe mund të gabojë. Ndërsa tek ne njeriu është problemi, ndaj edhe makina është e vetmja, që shikohet si zgjidhje. Kaq e thjeshtë është”,- thotë ai.

“Edhe ne e dimë që makina mund të gabojë, bllokohet, prishet, por jemi të përgatitur ta marrim këtë rrisk, sepse gjykojmë se është e keqja më e vogël. Tek e fundit, ajo do të gabojë pa dashje dhe mbase masa e dëmit do të jetë njësoj për të gjithë. Ndërsa po ta lemë në dorë të njerëzve të qeverisë ka vetëm një rezultat, masakër të votes”,- shton ai

Me votimin elektronik vendi sipas tij, do shpëtojmë nga një lukuni komisionerësh dhe numëruesish, do i jepet fund epopesë së gjatë të numurimit, privilegjit të pajustifikuar të dinosaurëve të politikës për të bërë pazar me votat e partive të tjera.

“Zoti kryeministër, Duke mos dashur të zgjatem pafundësisht, të ftoj ta marrësh seriozisht këtë kërkesë, që trajtohet edhe nga kjo interpelancë. Nuk është thjesht pikëpamja e një opozitari, madje as thjesht qëndrimi zyrtar i Partisë Demokratike, por më shumë nevoja e fortë e shoqërisë shqiptare për të nisur një kapitull të ri të komunikimit politik në vend. Të gjitha të këqijat, që trashëgojmë sot dhe që i kemi pranuar bashkarisht edhe përmes akteve të forta, i kanë rrënjët tek zgjedhjet e këqija”,- shton Patozi.
(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: