Koha e të vërtetës për Shqipërinë e Sylvinhos. Kuqezinjtë presin në “Air Albania” Çekinë, në një takim mjaft me peshë për kualifikueset Euro 2024. Ish-lojtari i Shqipërisë, Hamdi Salihi, në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24 , në emisionin e drejtuar nga Trevisa Tufa, u shpreh optimist për të ardhmen e Kombëtares, për shkak të cilësive të mëdha që ka grupi.

 

 

Salihi, çfarë të mungon më shumë nga Kombëtarja, si është më bukur, ku janë emocionet më të forta, si lojtar, si pjesë e stafit, apo si tifoz?

Ndjesia si lojtar nuk krahasohet me asgjë tjetër. Do doja të përjetoja sërish ato ndjesi.

T’i e njeh në detaje këtë ekip, këtë grup, e besonit që do vinit në këtë pikë, të sfidonit Çekinë si kokë grupi, kujtoj që e nisëm me humbje përballë Polonisë…

Të them të vërtetën, u bënë vite që punojmë me këtë grup. Isha i bindur që rezultatet e Nations League nuk të jepnin ato që ky grup meritonte. Ne ishim shumë pranë një Play off për botërorin, dy vite më përpara. Kujtojmë që humbën me Poloninë. Isha i bindur që ky grup do bënte hapin tjetër. Hapi vonoi pak kohë, pra 1 ose 2 vite.

Salihi, ju keni qenë pjesë e stafit edhe te Edy Reja, edhe te Sylvinho, çfarë bëri ndryshe Sylvinho, si ka mundësi që ndryshojë imazhin e Shqipërisë në kaq pak kohë, çfarë bëri ndryshe nga Reja, përveç skemës sigurisht…

Sylvinho duke qenë trajner në moshë të re, kishte energji për të filluar nga fillimi. Për këto detaje, nuk kishte kohë Reja. Jemi duke kaluar një periudhë, ku përveç Brojës dhe Kumbullës, të gjithë po luajnë. Ne kemi anën më të rëndësishme, rezultatet. Kur nuk ke rezultatet, fillon humb lidhjen.

Fakt është që pas kohës tende, Shqipëria ka filluar të shënojë gola të çmendur, çfarë ka ndryshuar, tani të gjithë tentojnë kuadratin, të gjithë gjuajnë, ka qenë një ide, një udhëzim i Sylvinho-s, me Rejan psh kjo nuk ndodhte thuajse kurrë, shumë rrallë.

Këto janë detaje. Ne kemi fatin që janë pjesë e grupit lojtarë me aftësi të tilla. Ti i thua që të godasësh, por kur nuk e ka aftësinë, është e kotë.

Si një ish bomber që ke realizuar shumë gola fantastik, ke një preference, cili nga golat të ka pëlqyer më shumë?

Për mua goli i Asanit me Poloninë ishte i jashtëzakonshëm. Edhe ai i Bajramit, edhe ai i Asllanit në Ishujt Faroe, mund të themi se janë mjaft të bukur.

Fakt është gjithashtu që kemi sulmin më të mirë në grup, 8 gola në 5 ndeshje, a është kjo pika më e fortë e këtij grupi, kishim shumë vite që nuk shihnim një ekip kaq sulmues, duhet të vinte një brazilian që të shihnim një Shqipëri kaq sulmuese, apo ka të bëjë me brezin, me lojtarët që kemi në dispozicion? 

Trajneri gjithmonë ka meritat e veta te çdo gjë që  ndodh. Ka të bëjë edhe grupi. Në anën sulmuese po jepet një kontribut i rëndësishëm.

Dua të ndalem te dy lojtarë Salihi, mqs jeni imazhi i “bomberit” po bej një intervistë ofensive. Armando Broja, çfarë pret nga shkodrani yt?

Broja, u bë e disa-ta herë që ne e diskutojmë. Ai ka aftësi të jashtëzakonshme. Janë pak lojtarët që e kanë atë driblim me topin në këmbë. Shpresoj që vetëm të jetë mirë, pasi ka kaluar një dëmtim që do kohën e vet për t’u rikthyer.

Sylvinho theksoi se deri këtu kemi arritur pa Brojën, pra la të kuptohet që duhet ta fitojë vendin në një farë mënyre, ose i duhet kohe. A do të jetë pak më e vështirë tani për Brojën, pa një mungesë të gjatë, pas një dëmtimi të rënde, apo pret që Sylvinho t’i besojë menjëherë?

Sylvinho dhe çdo trajner tjetër, kjo është standarte. Në një ekip është forca e grupit. Kushdo që vjen më pas, duhet të shtojë forcën e grupit. Mos të ndalemi te forca individuale. Diçka e tillë do ishte gabim.

Ernest Muçi, po kalon një formë të shkëlqyer këtë periudhë, çfarë mendimi ka Sylvinho për këtë lojtar, po ju Salihi si mendoni, është momenti për t’i besuar më shumë një lojtari të tillë?

Po bëhet lider te një ekip që ka emër në Europë. Janë ndeshje specifike që duhen lojtarë specifikë. Kjo mund të jetë ndeshje e tillë që mund të zgjidhet nga lojtarë të veçantë.

-Zbresim pak më poshtë te dyshja Nedim Bajrami dhe Kristjan Asllani, çfarë ka ndryshuar tani, pse Reja e kishte të vështirë t’i besonte, çfarë bëri ndryshe Sylvinho, si e ke parë paraqitjen e tyre…

Si Bajrami dhe Asllani, janë lojtarë pak a shumë me të njëjtat cilësi. Bajrami po kalonte periudhë të vështirë te ekipi i tij. Të dy lojtarëve i është rritur shumë besimi. Janë momente të tilla kur i jepet avantazhi një lojtari, më pas i jepet dikujt tjetër.

-Çfarë sfidë pret përballë Çekisë Salihi? 14-Më jep një parashikim

Me 1-0 jam në rregull (Qesh). Shpresoj që të dalim mirë, rezultat pozitiv është edhe barazimi. Shpresoj mos të kalojmë në eufori.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb