Në një kohë kur protestat qytetare në shumë vende të botës po kthehen në instrument presioni real politik dhe shoqëror, Shqipëria po reflekton një qetësi të pazakontë, edhe përballë skandaleve të rënda të qeverisë “Rama”.

Flutura Açka në këtë intervistë për gazetën “Panorama” rrëzon mitin e apatisë dhe flet për një shoqëri të lodhur nga politika, e shtypur nga pushteti dhe e zhgënjyer nga opozita. Sipas saj, shqiptarët nuk rrinë në shtëpi nga frika, por nga mungesa e shpresës. Qeveria – thotë ajo – sillet si një grup i strukturuar kriminal, ndërsa PD-ja është kthyer në bunker personal dhe fikës besimi. Ish-deputetja demokrate tregon se si mund të ringrihet opozita duke nisur, sipas saj, me tërheqjen pa kthim të z.Berisha, thirrjen e Kuvendit të Pajtimit Demokrat, zgjedhjen e një komisioni tranzitor zgjedhor, shpalljen e bashkimit të PD-së duke falur njëri-tjetrin dhe zgjedhje në bazë e në qendër.

Zj. Açka, Shqipëria e 2026-s ka një qeveri të akuzuar për korrupsion dhe lidhje me krimin, por edhe një opozitë që nuk arrin të mobilizojë qytetarët, ndërkohë që në shumë vende të botës shohim protesta masive dhe të përditshme për çështje politike apo sociale. Cilat janë, sipas jush, arsyet kryesore të kësaj apatie qytetare? Pse, opozita nuk po mbush dot sheshet?

Në të vërtetë, në të shumtën e herëve, për të ndrequr ndonjë të keqe të madhe që na bie, siç na ka rënë ne shqiptarëve këto ditë, nxitojmë të gjykojmë dhe të fajësojmë shoqërinë, si një trup i ngurtë, i ngathët, duke harruar se në momente të rëndësishme historike, shqiptarët i kanë mbushur sheshet dhe kanë diktuar fatet tona. Ajo që lexohet si apati, në të vërtetë është një lodhje, e thënë edhe më mirë, një horizont pritjeje. Ka shumë arsye të shpjegimit të kësaj lodhjeje të vërejtshme të shoqërisë shqiptare. Ne, politika, i kemi lodhur shqiptarët, ne jemi agresorët më të mëdhenj të tyre. Ndaj duket se sa flagrante dhe e paprecedentë është keqqeverisja, aq të tërhequr dhe të shkujdesur janë shqiptarët sot. Si të jemi në një depresion shoqëror. Sikur shoqëria shqiptare ka mërzitje më shumë me veten, më ngjan mua kjo. Madje, ndonjëherë më duket se shoqëria shqiptare mërzitjen e ka për nder. Si ta ketë diademë, medalje, ngaqë ka qejf të ankohet. Shpjegimi i kësaj hutie duhet parë me thjerrëzën e një shtresimi ngjarjesh dhe zhvillimesh shoqërore e politike, veçmas të dhjetëvjeçarit të fundit. Asnjëherë politika nuk ka qenë më dalëbesëse me shqiptarët, më shtypëse, më kontrolluese, deri në çmendi. Nga njëra anë, kontrolli i rreptë prej pushtetit, deri në frymën e qytetarit (edhe me format demokratike të kujdesit në familje dhe kalamaqërit!), dhe nga ana tjetër, saga opozitare me nota vuajeriste, si sillë e hidhur e përditshme.

Askush nuk flet për shqiptarët, as nuk dënohet për shtëpitë që nuk i blejnë dot, për rrugët që iu shkërmoqen, për ilaçet e helmatisura, për miellin kancerogjen, për spitalet vajmedet, për pensionet mjerane, për arratinë e fëmijëve nga sytë këmbët nëpër botë! Ky vend nuk ka asnjë hall tjetër, veçse kur i zë gripi, kur divorcohen, sa janë holluar, si iu rri balukja, politikanëve. Ky është një devijim i kontrolluar i mërzisë popullore, që askush nuk ka mundur t’ia dalë më parë deri në këtë malinjitet, sa rilindasit socialistë.

Po t’i shtosh kësaj mantrën se e keqja e shtresuar tashmë në Shqipëri, nuk mund të zgjidhet më nga vetë shqiptarët, por nga forca të tjera jashtë tyre, nga aleatë tanë strategjikë, të vetmit që kanë fuqi politike të ndreqin mallkimin që u ka ra për derë shqiptarëve nga politika e keqe, apo një grusht prokurorësh dhe gjyqtarësh specialë çudibërës mbi të cilët i kemi sytë të gjithë, panorama duket edhe më dëshpëruese.

Thagmat korruptive qeveritare, që i kalojnë tashmë edhe kufijtë e fiksionit, qarkullojnë në opinionin publik me një shpejtësi dhe shpeshtësi të atillë, që ai nuk arrin as t’i përthithë, madje janë kthyer në një argëtim në rrjetet sociale, kështu edhe detyrat që duhen zgjidhur në shesh, kemi vendosur t’i gjykojmë dhe dënojmë në cyper space. A ka mrekulli më të madhe se kjo për grupin e strukturuar kriminal që kemi në pushtet?

Qeveria “Rama” është përballur me një sërë skandalesh të rënda, nga aferat korruptive te çështjet e inceneratorëve apo lidhjet me krimin. Pse, sipas jush, këto skandale nuk po prodhojnë reagim masiv qytetar, revoltë popullore?

Me gjithë skandalet e rënda dhe korruptive që ju përmendni, nuk sheh asnjë reagim nga ana e qeverisë shqiptare për t’i mohuar dhe as ndonjë përpjekje për t’i justifikuar, kur ato janë vërtetuar tashmë. Aq tronditëse është kjo, sa të krijohet përshtypja se në të vërtetë, ne nuk kemi një qeveri që na drejton, si çdo vend europian dhe demokraci normale kudo në botë, por një bandë kriminale. Shqipërinë e drejton një grup i strukturuar kriminal, kusarë me pushtet, mafiozë të mbrojtur me ligj, të cilët (jo të gjithë!), jo vetëm janë të korruptuar, jo vetëm kanë vjedhur për vete dhe shokët e tyre, por kanë shkatërruar edhe atë pakogjë që kemi mundur të ndërtojmë si shoqëri në këto tridhjetë e pesë vite.

Ky grup i strukturuar kriminal, ka cenuar sigurinë tonë kombëtare, po shkombëtarizon shqiptarët, i ka përzënë me shkujdesjen e tij ligjore mbi 1 milion e gjysmë shqiptarë në dhjetë vitet e fundit, ka futur duart dhe ka zhbërë territorin, duke e betonuar në mënyrën më agresive të mundshme. Prapë, kjo është pak, kur mendon sistemin e rreptë të kontrollit, format perfide të shantazhit në familjet shqiptare, kastrimin e administratës publike nga pavarësimi politik dhe nga detyrimi për shërbim ndaj qytetarit. Kjo, pra, është një tradhti e lartë.

Por, prapë, kjo është pak. Të diktosh opozitën që do ti, të blesh me çdo çmim opozitarë të shitur për t’i përdorur kundër aksionit opozitar dhe të mbyllësh me votat e tyre, projektet e tua kriminale në pushtet, të favorizosh edhe me benefite kinseligjore një kinseopozitë, t’i luftosh me mjete të hapura dhe të fshehta dhe të asfiksosh lëvizje reformuese, lëvizje të reja, iniciativa të pambrojtura politike, të prodhosh klimë, kushte, mjete, ligje, kode e gjithfarë mjeti kundër tyre, nuk është veçse minim i demokracisë.

Në çfarë republike rrojmë? Çfarë do të bëjë SPAK-u në këtë katrahurë? Shtoji kësaj edhe agresionin që i ka ardhur pareshtur nga forca politike opozitare, e cila duhej të ishte aleatja e saj më e madhe. Opozita i motivon shqiptarët, por një opozitë motivuese. A është opozita jonë motivuese? Sheshet e zbrazura ku ulërin era flasin më shumë se dashnoret triumfatore dhe bijtë e etërve rrjepës me xhaketë europiane mitingashët.

A mendoni se qytetarët kanë humbur besimin te PD-ja si alternativë qeverisëse…?

Shqiptarët e njohin qeverisjen e PD-së dhe e dinë që në këto tridhjetë e pesë vite, ajo ka qenë një qeverisje e mirë në më të shumtën e saj, që ka reformuar vendin dhe e ka afruar atë shumë me Europën, deri atëherë, kur edhe qeverisja e saj u ngulfat nga korrupsioni dhe u bë e padurueshme për shqiptarët, zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Mosbesimi i shqiptarëve sot ka ardhur nga disa gabime të përsëritura, diku-diku edhe fatale për aksionin e së djathtës, i shtrirë ky në dhjetë vitet e fundit. Moskuptimi i sotëm i shqiptarëve lidhet, në përgjithësi, me lidershipin personal të zotit Berisha dhe të shpurës së tij personale, e cila me pak ndryshime, është ajo që shqiptarët refuzuan në vitit 2013, një pjesë madje e bartur si gravura qysh në kapërcyell të ‘90-s. Partia që solli lirinë, garën, meritën, të drejtën, entuziazmin, është kthyer në këto katër vite të fundit në fikëse e shpresës.

Vetë mënyra se si zoti Berisha u rikthye në PD, shoqërimi i rikthimit të tij me shumë përplasje, tensione, anatemim mes palëve, e shkatërroi PD-në. Shqiptarët e njohin drejtimin e Sali Berishës, e kanë votuar, e kanë çmuar. Demokratët ia njohin lidershipin historik. Por çdo hegjemoni e ka një cak, edhe kur e përligj me qëllimin e mirë, ajo bajatoset herëdokur. Sot PD-ja është një institucion i ngulfatur që nuk po u jep mundësi të rinjve të bëhen pjesë aksionit opozitar, ta drejtojnë partinë e tyre e kështu të qeverisin vendin me perspektivë europiane. Ka ardhur koha e një elite të re politike dhe e mbështetjes së saj duke u hequr në anë prej elitës së vjetër. Çfarë ka sjellë ndryshe në rikthimin e tij zoti Berisha, që të mund t’i tërheqë këto rrjedha të reja të ftohta të së djathtës, të cilat duhet dhe mund të sjellin freski? ‘Deshtë e vjetër, zor se mësojnë huqe të reja’, – thotë një fjalë e vjetër dhe këtu nuk po e përdor në konceptin fizik, por politik, të fjalës.

Ka zëra që thonë se një pjesë e shoqërisë është e “blerë” ose e kapur përmes punësimeve, ndihmës sociale apo presionit administrativ. Sa reale është kjo dhe sa ndikon në mungesën e protestave?

Nga mënyra se si u sollën qysh në krye, reformat që ndërmorën, planet e gatshme që kishin parapërgatitur në opozitë dikur, të linin të kuptoje që socialistët e kishin zënë shtruar dhe po përgatiteshin për pushtet të gjatë. Të paktën unë kështu e kam lexuar, nisur nga çmimi i kripur i këshilltarëve të tyre të huaj. Duket që kjo nuk u lexua, nuk u kuptua nga opozita, dhe PD nuk u kujdes që ishte vigjilente.

Jo vetëm kaq, gabimet fatale të saj, ku nga nxitimi, ku nga papjekuria politike, ku nga shitja politike e ku nga interesa të çastit të fragmenteve të saj të korruptuara në opozitë (një pjesë të të cilave shqiptarët mbase kurrë nuk do t’i mësojnë), e forcuan pushtetin e socialistëve. Paralelisht me këtë, si një shkërbim i frikshëm i metodave të Sigurimit famëkeq të Shtetit në diktaturë, socialistët ndërtuan një rrjet nepotik të të “tyrëve” në të gjithë piramidën e administratës dhe kaluan dora-dorës në fazën finale të kontrollit të butë të çdo shqiptari. Këtu nuk po flas vetëm për patronazhistët, por ndërhyrjen, në dukje bujare dhe dashamirëse, por brutale dhe dominuese, të çdo familjeje shqiptare, të çdo zyre vendore, të çdo biznesi, të çdo njeriu apolitik, i cili e kishte diku një hall për të zgjidhur dhe që i zgjidhej, me kushtin e vetëm të ishte njeriu i tyre. Gjatë fushatës së zgjedhjeve elektorale të prillit të vitit 2021, e kam kuptuar se çfarë i ka bërë pushteti i rilindasve, shqiptarëve, asisoj sa gjeta në fushatë kushërira të mia të fekthyera në socialiste, të cilat ishin gati të më vrisnin se mbathja karfica blu. Kam folur gjerësisht për këto deformime politike, që kanë ndikuar shumë në shoqërinë shqiptare në librin tim politik “Para se të iki”.

SPAK gëzon një mbështetje të fortë nga SHBA, ndërsa opozita jo rrallë e ka sulmuar… Pse ekziston ky kontrast mes qëndrimit amerikan dhe atij të opozitës shqiptare?

Të jem e sinqertë me ju, unë vetë jam në një proces analize të këtyre katër viteve të mia si pjesë e aksionit politik opozitar dhe disa momente i kam ende të paqarta për t’i shpjeguar deri në fund. Unë kam dyshimet e mia të forta, se me demokratët është luajtur një lojë e madhe, jo me mendimin për t’i përdorur thelbësisht ata, por për t’i kthyer në mburojë të fateve të një pjese të lidershipit, që gjithqysh, nuk e përligj asesi dhe e kam denoncuar me këmbëngulje. Sepse, ka shumë vendime, veprime, aksione, heshtje, që nuk i shpjegoj dot. Sigurisht në këtë, të themi, projekti, skenari mund të mos ketë rrjedhur në territorin politik, ashtu siç ka qenë i projektuar në hartën e tryezës, për shkak të befasive të zhvillimeve politike, por mbi të gjitha, prej kundërshtimit dhe rezistencës që ndodhi nga një grup jo i vogël, por shumë vendimtar, qëndrestarësh. Koha do të vërtetojë shumë shpejt, nëse e gjitha ajo çfarë ndodhi në katër vitet e fundit me PD-në, ishte mungesë përvoje politike, varfëri e aksionit opozitar apo një projekt i ndarjes së sinoreve dhe konflikt mbi “pronësinë” e saj.

Kostoja e gjithë kësaj heqakeqeje të demokratëve në këto katër vite është një parti e izoluar ndërkombëtarisht, e refuzuar si drejtuese e vendit nga shqiptarët më 11 maj 2025, e ndarë nga partneriteti me administratën amerikane me gjithë grimin që i kemi vënë këtij raporti, e përjashtuar nga silla e simotrave europiane dhe e kancelarive të saj dhe ç’është më e keqja, e përçarë, e hidhëruar, e keqkuptuar mes vedi.

A mund të vazhdohet kështu? Të vazhdosh kështu, të bësh sikur nuk e sheh këtë, është si të të ftojnë në kovaçanë e të të shpallin shurdh.

A po gabon opozita në raportin me drejtësinë e re dhe SPAKun, duke krijuar perceptimin se mbron individë dhe jo parime?

E kam lexuar gjithnjë si një pamençuri politike konfliktin e hapur të PD-së (më saktë, të një pjese të lidershipit opozitar) me drejtësinë e re, si një lexim i gabuar i temperaturës së entuziazmit të shqiptarëve ndaj SPAK-ut dhe GJKKO-së. Sigurisht, kjo do të kishte kërkuar një ndarje të fateve personale të të akuzuarve nga SPAK-u, me fatet e forcës politike, në mënyrë që forca politike të mos ndikohej, as të mos ndëshkohej prej shqiptarëve nga ky fat.

Jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por partia u vu në përdorim të një beteje personale, PD-ja u kthye në armorin personal të z. Berisha, edhe pse ishte açik e ditur se SPAK-u mbështetej nga administrata amerikane, e cila nuk e ndryshoi qëndrimin e saj as me ndryshimin e pushtetit në Amerikë. Të mos e kthesh në aleatin tënd në betejën opozitare një institucionin me besueshmëri aq të lartë (70-85%) mes shqiptarëve, është miopi politike. T’u shtosh kësaj, heshtjet e fijeve politike të barit rrotull lidershipit, si do të mundesh të fitosh besimin e shqiptarëve?

PD-ja është kthyer dhe po përdoret si zyrë avokatie. Madje, jo vetëm kaq, por avokatë të çështjeve personale dalin sheshit dhe fyejnë, qesëndisin, kërcënojnë, njerëz të zakonshëm, figura të djathta që e kritikojnë lidershipin e z.Berisha, si të jenë zëdhënës të partisë. Këta të tillët flasin në emër të demokratëve kundër demokratëve. A është normale kjo në një parti që kërkon pushtet?! Paramendo se ç’mund të të bëjnë këta po të jenë në pushtet!

Kthimi në një bunker me frëngji kundër SPAK-ut, etiketimi publik i drejtuesve të organeve të Drejtësisë së Re si askund në botën e civilizuar, e ka ftohur forcën tonë politike me shqiptarët. Dhe hendeku është thelluar përditë e nga pak. Fryma: ose siç mendoj unë, ose je armiku im! Qëndrimi akut: ose mua, ose kundër meje! Kjo është buka e përditshme opozitare. Këto sjellje, duke u lënë në rënie të lirë, kanë cenuar thelbin për të cilin PD-ja e nisi misionin e saj në 1990-n: lirinë.

Në këto kushte, kush mund ta rrëzojë Edi Ramën nga pushteti?

Unë e kam thënë qartë qysh në krye të herës se imitimi i PS-së është rreziku më i madh për PD-në. Dora-dorës PS-ja u kthye në pronë e një sekti të rrezikshëm, me nuanca të forta antikombëtare, Pseudo-Rilindjes Socialiste. Pak a shumë, në këto katër vitet e fundit, edhe Partia Demokratike u kthye në parti e Foltores, gjë që u përmbyll më 27 korrik 2024, me flirtin më të papranueshëm me pushtetin me votimin e Kodit Zgjedhor, i cili u parapri nga akti antiligjor prej mazhorancës së njohjes së Grupit Parlamentar të Foltores në shtator 2023, Amnistinë Penale dhe një sërë ligjesh të dëmshme për shqiptarët, që u kaluan në heshtje të plotë nga ana jonë. Partia Demokratike sot nuk është as partia e vitit 2021. Sikur të mos kishte vjedhur Edi Rama, PD-ja do të ishte në pushtet me diferencën e ngushtë prej 38 mijë votash, pa llogaritur mbi 85 mijë vota të pavlefshme, me dërrmi edhe këto vota të së djathtës. Me mijëra demokratë janë jashtë strukturave dhe as kinse bashkimi nuk i afroi, një pjesë janë larguar për fare, një pjesë po i blen ngadalë pushteti me dhurata të vogla të mbijetesës. Si mund të bëhen bashkë këto formacione të hidhëruara mes tyre, kur arsyeja që i ka ndarë është një gjë monolite mu në mesin e skenës sonë opozitare? Nuk mund të thuash “Esse non vedi”, pra, ka, por nuk e shoh. I ftoj demokratët ta shohin me dashamirësi për fatin e forcës së tyre politike!

Dhe si e shihni fatin e PD-së? Çfarë duhet të ndryshojë urgjentisht që të rikthejë besimin e qytetarëve dhe të mobilizojë shoqërinë civile kundër qeverisë?

Në prill të vitit 2022, pas zgjedhjeve të pjesshme vendore, kur u pa e qartë se sa fatale do të ishte po të vazhdonim të ndarë, unë publikova një platformë. Sigurisht me modestinë e përvojës sime, por të sinqertë, ama, të cilën e quajta Platforma Curzio, term që i referohet legjendës së gjeneralit romak Curzio, i cili, për të mbyllur gropën e hapur në Senatin e Romës, siç e këshilluan fatthënëset, duhet të hidhte aty gjënë më të çmuar të tij, shenjat e luftërave, pra, nderin e tij. Kështu që legjendari u hodh me gjithë kalin, arturinat, armët dhe nderin e tij, dhe gropa në Senat u mbyll, dhe Roma vazhdoi të prosperojë.

Çështja është se PD-ja nuk është në kohën e Curzios dhe gropën e kemi hapur vetë. Edhe më keq, nuk kemi as atdhetarë më, sepse kanë vdekur qysh në krye të shekullit XX për ne shqiptarët. Për ne, nderi do të jetë gjithnjë një fjalë folklorike për kohët e reja.

Gjithsesi, një manual i thjeshtë i zbërthim-mbërthimit të PDsë duhet ndjekur, shpejt dhe saktë. Nëse duam të fitojmë. Është një operacion i vështirë, por na siguron në pak muaj, ndoshta në pak javë, pushtetin:

Tërheqja pa të drejtë rikandidimi i zotit Berisha (në zbatim të statutit, nenit Basha, bashkë me Bashën). Krijimi i Këshillit të Pajtimit dhe Reformimit (ose me një emër tjetër), i cili do të zgjedhë një Komision Tranzitor Zgjedhor. Shpallja e zgjedhjeve në parti në një afat tre deri në gjashtë muaj. Thirrja e Kuvendit i Pajtimin Demokrat. (Të një pajtimi të vërtetë!) Shpallja e bashkimit të PD-së, pra, të demokratëve pa dallim, duke falur njëri-tjetrin. Zgjedhje në strukturat e reja, në bazë e në qendër.

Kjo mund të duket utopi dhe n’sa e njoh tani garnizonin qendror të PD-së, kjo është utopi. Kjo nuk më shqetëson, sepse unë fjalën kam. Nëse nuk ndodh ndonjë lëvizje përmirësuese, reformuese, freskuese, do të thotë që PD-ja nuk u mor që të reformohet, por që të posedohet, të përdoret, në pritje që dekompozimi i plotë i PS-së do të sjellë rotacionin, herëdokur. Rëndësi ka të presim.

Në disa raste, institucionet e drejtësisë kanë vepruar ndaj zyrtarëve të nivelit të dytë, por jo ndaj figurave të larta politike. A mendoni se po zbatohet drejtësia selektive kur bëhet fjalë për njerëz pranë kryeministrit?

Duket se ka një pakt të heshtur. Të vegjël vuajnë burgun e të mëdhenjve, asisoj që të mëdhenjtë iu garantojnë lirimin para kohe, me të gjitha mekanizmat dhe pushtetin që kanë në dorë, siç ndodhi me Amnistinë e fundit Penale, ku ne opozitarët u bëmë dorëzanë me dashamirësinë tonë. Është në modën e korrupsionit shqiptar: bëj ca muaj burg, por del i pasur. Ndaj, dënimi pa sekuestrimin është një aksion gjysmak dhe latyrisës.

Skandalet e inceneratorëve dhe disa kontrata të mëdha infrastrukturore janë cilësuar nga opozita si “aferat më të mëdha korruptive në historinë e vendit”. Pse qeveria ende nuk ka paguar një kosto politike për to?

Sepse 83 mandate e bëjnë të krekoset mbi pleh, ç’do të marrë në pushtet. Nuk ishte aq euforike, sa perfide, këmbëngulja për t’i marrë ato mandate. Paraja solli mandate, pastaj mandatet sollën para të re edhe më të madhe, paraja e re dhe më e madhe, solli mandate të reja e më të shumta. Aq sa tani nuk i mbajnë dot dhe i ka zënë zullumi i vet. Ky është një karrusel tronditës.

Çështja është se ç’do të bëjmë me dëmin e pariparueshëm, tunelet, rrugët, urat nën standard. Shihni dëmin e madh në qytetet tona, të cilat janë betonizuar, janë banuar pa u urbanizuar. Shiu i fundit, siç edhe u pa, na e shpëlau edhe atë bojë të propagandës që na kishte mbetur. Ndaj i jemi kthyer fenomenit të kasetave qeveritare, sepse qeverisja socialiste nuk ka më as gjuhë, as fytyrë, as fije brerje ndërgjegjeje për t’u përballur me të vërtetën.

A mendoni se çështja “Balluku” mund të kthehet në një moment kyç për hetimin e korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisë, apo do të mbetet thjesht një debat politik?

Çështja Balluku duhet ta kishte hedhur qeverinë, një qeveri të përgjegjshme them, jo një stan keqbërësish. Çfarë pret zonja Balluku? Çfarë do të ndryshojë më? Sigurisht, pas saj është Edi Rama, i cili kërkon vetëm kohë që t’ia hedhë edhe këtë herë, siç e ka bërë huq me të gjitha zullumet e deritanishme. Fakti që nuk e lëshon zonjën Balluku, siç ka bërë me dardhaxhinjtë e tij llupësa të mëdhenj deri tani, tregon që ai është pjesë e lojës dhe zjarri i ka ardhur shumë afër. Kjo mungesë e theksuar përgjegjësie, shpjegon se këta (socialisto-fashistë-rilindas) nuk kanë as frikë, as përgjegjësi, por nuk kanë as turp. Kaq normale u është bërë të zgjasin duar të marrin çfarë shohin, të ngrenë telefonin të zgjidhin çdo nyjë që iu del përpara, të çojnë shërbëtorët t’ua mbarojnë çdo hall, me makinat e shtetit, me taksat e shtetit, sa iu është bërë natyrë e dytë kjo jetë dhe kanë harruar se nuk janë në pronat e etërve të tyre. Madje, i bezdisin qortimet tona, thirrjet tona për dorëheqje, kërkesat tona për drejtësi. Kategoria morale e turpit nuk është në fjalorin e politikës shqiptare. Dikush duhet t’ua thotë!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb