Në mes të zhvillimeve të krizës së emigracionit/ refugjatëve në Europë, vdekja në Tiranë e 99-vjeçares, Nexhmiije Hoxha, bashkëshortes së Enver Hoxhës, “Vejushës së Zezë” të Ballkanit, kaloi gati pa u vënë re në lajmet e përditshme. Gruaja “merimangë”, sikurse e quanin në Shqipërinë postkomuniste, dha për gazetën “Kathemerini” dhe gazetarit në fjalë, dy intervista(publikuar më 3 mars 2020 – shënim i redaksisë), ku me lutjen e saj, njëra prej tyre, duhej të publikohej vetëm pasi ajo të ndërronte jetë.

Kjo që publikohet është intervista e parë dhe do të vijojë edhe e papublikuara, që në thelb është intervistë e Nexhmije Hoxhës ndaj vetë Nexhmije Hoxhës, një lloj manifesti, ku duket qartë filozofia e regjimit diktatorial. E konsiderova si detyrim, që të realizoja dëshirën e saj.

INTERVISTA E PARË

Përktheu për ResPublica: ELEANA ZHAKO

Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e Enver Hoxhës, ishte 81 vjeç, kur e takova për herë të parë në 2004-ën dhe kishte një qashtërsi të admirueshme mendimi. Shkruante libra për jetën e saj me udhëheqësin shqiptar, përndjekjet dhe peripecitë pas ndryshimit të regjimit, ndiqte në distancë zhvillimet politike dhe ishte krenare “për gjithçka ndërtuam gjithë këto vite”. Jetonte në një apartament të vogël e të varfër në Laprakë, në periferi të Tiranës, në drejtim të aeroportit, ku gjatë regjimit komunist ndodheshin pularitë. Nuk kishte shtëpi të sajën, pasi siç më tha “demokratët refuzojnë vetëm mua të më japin, gjithë të tjerëve u dhanë”. Merr një pension prej 80 dollarësh dhe e ndihmojnë fëmijët.

E bija mori një depo dhe e transformoi në apartament; dhe atje u vendos e plotfuqishmja dikur Nexhmije Hoxha, që të kalojë vitet e mbetura, në shoqërinë e kunatës së saj shumë të moshuar dhe të kujtimeve të një epoke të kaluar, që për të tjerët ishte periudha më e errët e Shqipërisë, kurse për vetë Nexhmijen, ishte ajo kur ndodhi rilindja e popullit shqiptar.  Nuk donte të fliste me gazetarë grekë, sepse kishte pasur një eksperiencë të hidhur. E pat vizituar më parë një reportere greke dhe “shkroi në një revistë, gjëra që më tmerruan dhe që natyrisht, s’i kisha thënë”. U desh të ndërhynte djali i saj, Iliri, një karakter i qetë dhe i kulturuar, që të bindej.

Kur e takova, pas një rrebeshi të madh në Tiranë, ishte errësuar dhe na u desh bashkë me fotoreporterin të kalonim nga një rrugë e pandriçuar, gjithë baltë, e cila të shpinte në hyrjen e shtëpisë së saj.  Na uroi mirëseardhjen e buzëqeshur dhe na gostiti me kafe tradicionale shqiptare dhe raki, kafenë që i kushtoi 1800 ditë burg. Në kohën e qeverisjes sonë s’kishim fenomene të tilla. Jo se s’binte shi, por pusetat ishin të pastruara, ekzistonin kanale për largimin e ujrave, jo kjo katrahurë, që ndodh tani ishte komenti i saj i parë, kur na pa të qullur e me baltë.

E thjeshtë, e sjellshme dhe krenare, duhej të ishte një grua shumë e bukur në rininë e saj, mjaft të shihte dikush portretin e saj rinor, që varej në mur. Kisha përballë meje për katër orë, fytyrën më të urryer të Shqipërisë postkomuniste. Gruaja merimangë”, “vejusha e zezë”, “shtriga”, “përbindëshi i Hoxhës”, siç e quanin pas shfronësimit gjithë ata, që gjatë sundimit absolut të të shoqit, dridheshin prej saj, ose i binin në gjunjë. Në sallonin e vogël, mbizotëronin fotografitë e Hoxhës dhe në bibliotekë veprat e tij.

Enveri me Nexhmijen në një pozë të ëmbël dashurie, në breg të liqenit në Pogradec; Nexhmija me Enverin e me tre fëmijët e tyre dhe nipërit e mbesat; një fotografi gjigande e Enverit në një nga vendpushimet e Partisë në pozë të shkujdesur; një pikturë e madhe ku ndodhet ajo me bashkëshortin e saj e partizanë të tjerë gjatë mbledhjes së Pezës në vitin 1942, një moment historik për shqiptarët, ku u krijua dhe fronti antifashist.

Këto janë nga të paktat objekte, që mundëm të shpëtojmë. Të tjerat na i morën dhe ende i mbajnë. Bëhet fjalë arkivin personal të burrit tim, arkivin tonë familjar, fotografi, dhurata personale dhe 25.000 libra të Enverit. Nuk them të na kthejnë pas ato që janë shtetërore, por dua të më kthejnë objektet e vyera personale dhe familjare, që i mbajnë në mënyrë të paligjshme”. Nexhmije Hoxha, u arrestua menjëherë pas rënies së sistemit dhe u dënua me 12 vite burg. E akuzuan për shumë gjëra: shpërdorim pushteti, orkestrim torturash e ekzekutimesh gjer për shpërdorim paraje publike për mbikonsumim kafeje. Gjithë akuzat e tjera ranë poshtë dhe gjyqi i saj do të mbetet në kronikat politiko-gjyqësore “si gjyqi i kafeve”.

***

Si u fut kafeja në përndjekjen tuaj?

Pas varrimit të tim shoqi në 1985-n, kaluan nga shtëpia me mijëra njerëz për të na ngushëlluar dhe sipas zakonit shqiptar u nxjerrim kafe. Kjo u konsiderua shpërdorim dhe më futën në burg. Ishte një akuzë qesharake që shkaktoi zemërim ndërkombëtar, por ata kishin qëllimet e tyre.

Si ishin kushtet në burg? Patët ndonjë trajtim të veçantë si e burgosur politike?

Mizerabël. Qëndrova në burg 1800 ditë dhe kalova periudha shumë të gjata në izolim. Më mbajtën në burgun e Burrelit, të Tiranës dhe më pas në burgun e sigurisë së lartë në Tepelenë, tok me 40 burra kriminelë të së drejtës penale. Mbi një vit e gjysmë, flija pa krevat në tokë, pa ngrohje, pa gjë fare. Kisha tualet të përbashkët me burrat, dilja në oborr një orë në ditë e shoqëruar nga një rojtar, pashë para syve të mi të thereshin burra me thikë. U kisha kërkuar të më shpinin në burgjet e grave, por ma refuzuan kërkesën. Më larguan vetëm kur iu desh qelia ime, që të vinin brenda Fatos Nanon. I kisha vënë qëllim vetes të mos gjunjëzohesha, të mos rrëzohem dhe nuk u mposhta.

Kaq vite në burg, a menduat, që në të njëjtat qeli u kalbën për dhjetëvjeçarë të tërë me mijëra bashkatdhetarë tuaj me “krimin” e vetëm të mospajtimit politik me regjimin e Enverit? – e provokova.

Po, sigurisht që më kaloi ndërmend, por s’jam unë përgjegjëse, për çka kishin bërë njerëzit që u burgosën, sepse me siguri që diçka kishin bërë, kishin shkelur ligjet e shtetit”, përgjigjet e vazhdon:  Nëse do të kisha hyrë në burg për arsye politike, do ta pranoja, por jo ama për kafetë. Edhe unë, edhe familja ime, që atëherë ndodhemi në izolim të plotë dhe jetojmë në kushte  përndjekjeje politike. Një shkrim bëri im bir, Iliri, që të mbronte të atin e vet dhe e vunë në burg. Njëmend, përse duhet të paguaj unë, për çka ndodhi kaq vite në Shqipëri?

Thonë disa, që ajo grua nuk është penduar, nuk do të kërkojë falje për të shkuarën. Dhe unë u përgjigjem: mund të kërkoj falje para popullit, në rast se populli e dëshiron. Nuk mund të shpreh pendesë para atyre që shkatërruan Shqipërinë, që shkulën nga themelet industrinë, që shembën kombinatet, që vithisën njerëzit në pasiguri, nuk e ndiej para tyre.

Besoj se e dini që imazhi që ka mbizotëruar në botën jashtë për bashkëshortin tuaj kaq vite, ishte ajo e një diktatori gjakatar, e tiranit. Të njëjtën gjë thonë edhe tani, shumë bashkatdhetarë tuaj që mund të flasin lirisht.

Njëmend, që disa tentojnë ta shfaqin Enverin si tiran, si shtazë. Por, e vërteta është ndryshe. Ishte një njeri i ëmbël, i sjellshëm me gruan e tij, i dashur me fëmijët e nipërit e mbesat. Lexonte shumë, fliste frëngjisht, dëgjonte muzikë klasike, i pëlqenin Shtrausi, Bethoveni e Çajkovski. Në kohën e lirë i pëlqente të lozte me nipërit e mbesat, kishte dobësi ndaj prindërve të vet. Ishte i kujdesshëm me njerëzit dhe e donin veçanërisht. Nuk do mund të rezistonte 40 vjet në pushtet, nëse populli s’do ta donte. Shqiptarët tani e kuptojnë se ç’humbën.

Pyes veten sesa i dashur dhe “i kujdesshëm me njerëzit” mund të ishte, kur si udhëheqës, dërgoi në togat e ekzekutimit mijëra njerëz dhe akoma më shumë njerëz në burg, duke shkatërruar jetën e tyre dhe të familjeve të tyre.

(Fytyra i mori ngjyrë tjetër)

Tani që kanë pushtetin, morën boritë e thonë gjëra të përbindshme. E vërteta është, që s’ishin mbi 4000 veta, ata që u përndoqën për arsye politike. Pjesa tjetër ishin të dënuar civilë. Të dhënat nuk janë të miat, por të trupit gjyqësor. Ne nuk e mohojmë që kemi qenë të ashpër, e themi edhe sot. Por, s’do mundeshim ta mbronim ndryshe këtë shtet të vogël nga fuqitë e huaja, që deshën ta shpërbënin. Dakord, le të thonë të këqijat, por mos ta fshehin punën madhore që bëri Enveri për popullin. Nuk mund ta pranoj që burri im ishte një kriminel.

Ndoshta ju mërzis, por nuk do të këmbëngul në anën njerëzore të bashkëshortit tuaj, që mirë bëni që e mbroni. Në këtë shtëpi, banoni bashkë me motrën e dashur, siç e quajtët, të Enverit. Kjo grua mbeti vejushë, pak kohë pas martesës së saj, ende vajzë e njomë, dhe kjo ndodhi ngaqë Enveri i dërgoi në pushkatim të shoqin, pra kunatin e vet dhe i shkatërroi jetën. Nuk arrij dot ta perceptoj, nuk e di në arrini Ju.

(Nuk tregoi ndonjë shenjë bezdisjeje, as tronditjeje…)

Dëgjoni. Kunati im ishte Ministër i Jashtëm në qeverinë kuislinge gjatë pushtimit të vendit dhe Enveri e kishte paralajmëruar, që atëherë. Kur më vonë u zhvilluan gjyqet e bashkëpunëtorëve të gjermanëve, ai që mund të lehtësonte aktakuzën kundër tij, qe ish sekretari i Partisë dhe Ministri i Brendshëm, Koçi Xoxe. Por ai, u zbulua se ish agjent i jugosllavëve, priste që t’ia kërkonte këtë gjë Enveri, që më pas ta përdorte kundër tij, por im shoq nuk e bëri. I tha të motrës: shko te Koçua, mos ndoshta ia fal, unë s’mund të ndërhyj në punët e Drejtësisë. Dhe kështu, dhëndri i tij u dërgua për pushkatim. Nuk bëhej ndryshe…

Si u njohët me bashkëshortin tuaj?

E pashë për herë të parë një konferencë partie në Korçë, në vitin 1941. Unë punoja atëherë në rininë komuniste, ai ishte drejtues partiak dhe gati u dashurova me të, që në momentin e parë. Në atë kohë unë isha 21 vjeçe, e re, spontane. Nuk e di në ju kanë thënë, por edhe Enveri ishte një burrë shumë i bukur. Përveç bukurisë së tij, më impresionoi e folura e tij marramendëse. Takoheshim fshehtazi, se s’ishte zyrtarizuar dhe më vonë u martuam.

(Nexhmije Hoxha ishte anëtare aktive e regjimit.  Shërbeu si anëtare e Komitetit Qendror të Partisë, punoi për “demokracinë popullore” nga poste të ndryshme. Shumë njerëz pretendojnë, që kishte ndikim të madh tek Enveri dhe disa thonë, që në vitet e fundit të jetës, kur Enveri qe shumë i sëmurë nga efektet e diabetit, ajo drejtonte në të vërtetë Shqipërinë)

Çfarë përgjigje u jepni atyre që thonë, se kur bashkëshorti juaj ishte rënduar shumë, ishit ju drejtuesja e vërtetë e vendit?

E di këtë, por është një mit që u përhap dhe përhapet nga të gjithë ata që deshën e duan ta poshtërojnë e të shkatërrojnë imazhin e tij. Kam të dhëna, dokumente, që dëshmojnë se gjer në çastin e fundit nënshkruante vetë e merrte vendime. Nuk ka asnjë dyshim, që deri momentin e fundit kishte mendim të qartë dhe punonte shumë. Unë isha sekretarja e tij. Ngaqë kishte vështirësi me shikimin, i lexoja gazetat dhe shkresat dhe shkruaja, ato që më diktonte. Shumë herë lodhesha dhe kur i lexoja një shkresë si pa mendje, ai më korrigjonte duke më thënë, që s’është ashtu, kthehu sërish në pikën e mëparshme. Këto, dy javë para se të vdiste.

Më kujtohet, kur ishte në prag të vdekjes, i erdhi një faks me një nga fjalimet e Konstandinos Karamanlis. Unë e lexova shpejt, por ai këmbëngulte kthehu pas, që të shohim si e tha atë, ma lexo sërish. Nuk më kujtohet tamam se çfarë ishte, por ai këmbëngulte. Po ju them këtë histori, që të kuptoni se sa mirë që ishte deri në fund.

Në fillim nuk m’i jepte fakset t’i lexoja, në vazhdim ama i lodheshin sytë. Isha gjithmonë afër tij, pasi pësonte kriza diabeti. Kur në fund, i kishin vënë serume në shtëpi, do bëhej një ceremoni për hapjen e kufijve në Kakavijë dhe thërriti në shtëpi një sekretare, që t’i thoshte s’e çfarë duhej të bëhej. Donte të përcaktonte dhe detajet se kush do të shkonte, çfarë do të bënte konkretisht. I prezantuan një plan, që parashikonte një ceremoni me pak zyrtarë e diplomatë, por ai pyeti, që përse mos të bëjmë një festim të madh popullor, të vijnë njerëz të thjeshtë nga të dy anët e kufirit e të takohen, të këndojnë e të kërcejnë. Atëherë një ministër i tha, që ekziston frika të na ikin njerëzit në anën tjetër të kufirit. Enveri iu përgjigj që ishte i sigurt, që s’do të ikte kush dhe vërtetë, që kështu ndodhi.

Vërtet, nëse s’kishit frikë, se do iknin njerëzit nga Shqipëria, përse e kishit rrethuar vendin me tela korrenti?

Shqipëria ishte një vend i vogël, që duhej të mbronte kufijtë e vet, nuk qemë as Bashkimi Sovjetik, as Kina, që edhe ato ruanin kufijtë e tyre. Sikurse e dini mirë, nuk ishin të pakta herët që armiq tentuan të hyjnë në Shqipëri, që të na bënin keq. Kishte rrethe armiqësore, që nuk ia donin të mirën Shqipërisë.

Mund të më tregoni disa nga gabimet e Enver Hoxhës?

Enveri nuk bënte gabime. Nuk mund të quhet gabim eksperimenti që bëmë te një shoqëri e re. Gjithçka bëmë këtu, në ekonomi, në kulturë, për njeriun, ishin gjëra të reja. Ne bëmë një eksperiment, hapëm një rrugë të re për herë të parë në këtë vend. Ndodh të bësh ndonjë gabim në ekonomi, por nuk quhet tamam gabim. Shihni rolin që pati Enver Hoxha në stabilitetin e Ballkanit. Nuk e them unë, e theksojnë politikanë të mëdhenj të rajonit, gjithë analistët politikë. Është e ditur që çështja kosovare ndikonte në marrëdhëniet tona me Beogradin, por kurrë s’erdhi Enveri në konfrontim me jugosllavët, se e dinte se ç’pasoja do të kishte në rajon. Në marrëdhëniet me Greqinë ishte shumë i kujdesshëm. Ndonëse ekzistonte ligji i luftës, nuk arritëm në ekstreme. Në çdo bisedë që bënte burri im me turqit, a nënshkruante ndonjë marrëveshje, e merrte gjithmonë parasysh Greqinë. Nuk donte të shkaktonte mospëlqime. E informonte gjithmonë palën greke.

Sipas mendimit tuaj përse dështoi eksperimenti juaj?

S’mund ta them unë, nëse dështoi komunizmi apo socializmi. Ne ende s’kishim arritur të vendosnim socializmin në Shqipëri, ishim në fazën e parë, vetëm pak vite dhe nëse u bënë disa gabime, jo vetëm te ne, por edhe në shtete të tjera, ne shihnim se ç’mund të bënim gjatë kësaj kohe. Çfarë vendi gjetëm e ku e shpumë. Gjetëm një Shqipëri në Mesjetë, atë morëm nga Ahmet Zogu, me bujqësi të prapambetur, sëmundje që bënin kërdinë. Ne themeluam demokracinë popullore. Gjithçka u bë nga fillimi.

Binte shi edhe në kohën tonë, por s’kishte përmbytje. Atëherë ama kishte kanale të pastra. Tani përmbytet qyteti. Kjo tregon se çfarë është bërë. Kur morëm pushtetin në Shqipëri, vetëm 365 njerëz kishin mbaruar gjimnazin, 95% e popullsisë ishte analfabete. Nuk mund të bënim gjëra spektakolare. Nuk kishte as rrugë, as trena, as elektrifikim, as industri. Shqipëria ishte i vetmi vend, që s’e kishte kaluar kapitalizmin, shkuam direkt nga feudalizmi në socializëm. Duke parë në televizor, disa atëherë pandehnin se kapitalizmi ishte i mirë dhe do t’i bënte menjëherë të pasur. Por, ata që shkuan sot në ato vende, sidomos rinia, e panë, që gjërat s’ ishin ashtu siç dukeshin. Jam e sigurt, që me ndryshimet që ndodhën, populli shqiptar s’fitoi asgjë. Te ne gjithçka shkoi mbrapsht, nga centralizimi shtetëror, shoqëria u hodh në det të hapur dhe kush arriti të dilte, vijoi kaosi, anarkia.

Me këtë rast do t’iu them diçka, që dua ta shkruani: im shoq kishte një dashuri të veçantë për popullin grek.

A është e vërtetë, që para se të vdiste Enveri kishte caktuar si pasues të fshehtë Ramiz Alinë?

Jo, por të gjithë dinin që Ramizi do të bëhej. Kur jetonte Enveri, Ramizi u bë Kryetar i Parlamentit, që ishte njësoj me postin e Presidentit të Republikës. Kryeministri Mehmet Shehu kishte vdekur, Aliaj ishte tashmë drejtuesi i ri i departamentit të ideologjisë së Partisë. Partia e shihte që Aliaj kishte një lloj ngjitjeje.

Përderisa përmendët kryeministrin Mehmet Shehu, më thoni u vetëvra në të vërtetë apo e “vetëvranë” shërbimet sekrete të Partisë, siç thonë tani në Shqipëri?

E risjellin shumë shpesh këtë çështje, madje edhe tani së fundmi, por nuk ekziston asnjë dyshim që u vetëvra. Është e dëshmuar me fakte…

Sivjet, u festuan 60 vjet nga krijimi i Frontit Kombëtar të Shqipërisë, që u themelua nga Enver Hoxha dhe ju nuk ishit e pranishme. Përse?

Se gjithë familjen tonë e kanë vënë në izolim politikanët e sotëm. Unë nuk kam shtëpi, kjo dhomë është e vajzës sime. Gjithë pasurinë time, fotografitë e burrit tim, arkivin familjar, librat e tij, i mbajnë, dhuratat e mia personale, sendet e mia, të gjitha i mbajnë. Familja ime hoqi shumë, më mirë mos t’i përshkruaj. Dakord, na dëbuan nga shtëpia që ishte e madhe dhe shtetërore, por na sollën këtu, që s’ishte shtëpi por një depo, ne e rregulluam. Mua më arrestuan dhe bëra 5 vite burg, 1800 ditë.

Si e kujtoni rënien e statujës së Hoxhës në sheshin Skënderbej, ç’u bë atë ditë të 1991-it ?

Kur rrëzuan statujën e Enverit, ditën tjetër ulërisnin, që do të digjnin shtëpinë e Enverit dhe që do na varnin të gjithë. Dhe vërtet, që ditën tjetër erdhën dhe na rrethuan shtëpinë. Kishin marrë thasë, që të na plaçkisnin më parë dhe më pas t’i vinin zjarrin. Por Garda atëherë, që i ishte besnike Enverit, na mbrojti. Orët ishin shumë të vështira, ekzistonte rreziku të na vrisnin. Rojet këmbëngulën që të na largonin nga shtëpia, mua, fëmijët dhe nipërit e mbesat dhe të na fshihnin. Unë refuzova. Këto u bënë kur qe Kryetar, Ramizi. Atje afër ishte dhe një tank lufte. Shoferi bëri një xhiro rreth e përqark, ata u trembën e ikën. Ishim tre familje, kunata ime qe 90 vjeç, nipërit e mbesat të vegjël. Më vonë, mblodha çka munda nga objektet më të rëndësishme personale të tim shoqi. Librat e tij ishin rreth 25 mijë. Dokumentet shtetërore i ka shteti dhe kjo është e drejtë. Por, librat dhe dedikimet ndaj tij, përse s’m’i kthejnë? Janë pesëdhjetë libra me firma shkrimtarësh të njohur, si Andre Marlaux, etj.

Çfarë ndodhi tamam dhe e zhvarrosën gjatë natës bashkëshortin tuaj, që ta shpien në varreza të përbashkëta?

Ishte 3 maj i 1993-it. Isha në burg. I morën fëmijët në mesnatë në telefon dhe u thanë, që në 5 të mëngjesit të jenë te Varrezat e Dëshmorëve, që të marrin eshtrat e babait të tyre. Madje dërguan dhe dokument gjyqësore fshehurazi, me siguri, që të mos mësonte populli aktin makabër. U mblodhën fëmijët e shkuan atje, por nuk iu lejua të afroheshin. Morën eshtrat dhe i shpunë atje ku ndodhen tani, në varrezën e Yzberishtit. Fëmijët s’dinin si të ma thonin. Ky ishte momenti më i vështirë i jetës sime. Unë isha në burg dhe ata nxirrnin eshtrat e tij. Në traditën popullore, ky akt përbën përdhosje.

Pyetët ndonjëherë veten se përse kryeministri i sotëm Sali Berisha – doktori personal i burrit tuaj, u soll me kaq mëri ndaj bashkëshortit tuaj të vdekur, i cili më parë i kishte besuar gjënë më të çmuar, shëndetin dhe jetën e tij?

(Shpërtheu, duke ngritur për herë të parë zërin)

Berisha është një gënjeshtar. S’ka qenë kurrë doktor i Enverit. Nuk bënte pjesë as në grupin që e ndiqte. Ishte vetëm te komisioni i doktorëve për kurimin e anëtarëve të Komitetit Qendror. Ka qenë një komunist i betuar, që kur ishte 23 vjeç, por qëllimisht i pështjelloi gjërat, që të dukej i mirë para amerikanëve. Do t’ju zbuloj një ndodhi. Kur një herë, andej nga fundi, burrin tim u desh ta çonin në spital, Berisha shkoi në sallën e spitalit dhe e përshëndeti. Sikurse thoshte më pas i ngazëllyer, nuk do ta lante kurrë dorën, që të ruante përherë erën e Enverit.

Tentoi shumë herë të na afrohej, për të hyrë në grupin e mjekëve të Enverit, por kur mësova rreth biografisë së tij, që vjerra e tij kish qenë partizane e Titos dhe më pas punonte për shërbimet sekrete të Beogradit, thashë që ky njeri nuk do ta kalojë pragun e shtëpisë sime dhe s’e kaloi. Nuk e harroi këtë se është njeri hakmarrës dhe ndaj më dërgoi në burg me akuza qesharake.

Meqenëse përmendët emrin e Titos, dua t’ju pyes nëse njohët disa udhëheqës të huaj dhe ç’ përshtypje morët?

Stalinin s’e takova kurrë. Titon, dy-tri herë. Në vitin 1946 pata shkuar në Kongresin e Partisë në Beograd dhe më ftoi në shtëpinë e tij në darkë, si bashkëshorten e Enver Hoxhës. Qe atje dhe Rankoviç. Kam qenë shumë e re, e bukur dhe e çiltër atëherë. Më la përshtypjen e epshorit, që i pëlqenin gratë dhe që ishte lloji i njeriut, që i interesonte vetëm vetja e vet.

Hrushovi ishte karakter i paqëndrueshëm, njëherë thoshte kështu, njëherë ashtu, udhëheqës i paparashikueshëm, që arriti në pikën të hiqte këpucën e vet e t’i binte tribunës së OKB-së. Qe një sharlatan. Një herë na thoshte që do na jepte grurë, ditën tjetër e kthente, na thoshte, p.sh, ç’ju duhet të mbillni grurë, përderisa do ta hanë minjtë, mbillni më mirë portokalle. Ne atëherë kishim nevojë për grurë dhe ndaj kërkonim, por ai deshte ta paguanim me flori, që të na jepte. Kërkonte me ngulm, që t’i lejonim të ndërtonte bazë ushtarake në Butrint, por Enveri refuzoi.

Arsyeja ishte se nuk deshte të prishte marrëdhëniet me Greqinë dhe i parashtronte pyetjen Hrushovit, kundër kujt do shërbejë kjo bazë? Hrushovi u bë xhind, ulëriste, nuk e priste që do të merrte përgjigje negative nga Enver Hoxha. Bashkëshortja e tij ishte shumë e mirë, shumë më e mirë se Hrushovi, grua e ekuilibruar, fliste gjuhë të huaja, në ndryshim nga Hrushovi që s’dinte asnjë.

Mao Ce Dunin e takuat? Si ju duk?

Në vitin 1965 kisha shkuar në Kinë, e ftuar nga Parlamenti i Kinës. Më la përshtypje të veçantë. Ishte njeri i thjeshtë, shumë i afruar, bënte dhe humor. Ne e shihnim si Buda në fotografi. Më bëri përshtypje se ishte shumë i thjeshtë e i natyrshëm. Më pyeti sa popullsi kishte Shqipëria dhe i thashë 3 milionë. M’u përgjigj: Doni t’iu dërgoj unë 10 milionë? Kaq vend i vogël jeni? Jeni i vogël, por jeni si tigri që rend shpejt përpara, kurse Kina është e madhe dhe është si elefanti që ecën para, por dalëngadalë.

Si jetoni këtu, në një shtëpi të parehatshme?

Banoj me kunatën time, që është 90 vjeçe. Siç e shihni, s’kam as tavolinë që të shkruaj dhe shkruaj në këmbë. Më ndihmojnë edhe fëmijët, që vitet e fundit u mëkëmbën ekonomikisht. Gjithë shqiptarët morën shtëpi, përveç meje. U dërgova letër gjithë politikanëve që kaluan nga pushteti këto vite, por më shpërfillën. Marr një pension 80 dollarësh, e pastroj vetë shtëpinë. Jam 81 vjeç dhe nuk do të më gjunjëzojnë, siç nuk u gjunjëzova në burg. Të gjithë thonë, përse Enveri nuk u la nga një vilë fëmijëve të vet? Idiotësira. Enveri s’kishte asgjë, ç’të jepte?

E ndiqni situatën politike? Çfarë votuat në zgjedhjet e fundit?

(Të qeshura). E fundit është sekret. Ekzistojnë tani dy parti komuniste. Deklarova që nuk i përkas asnjërës prej tyre dhe nuk do t’i përkas, sa janë të përçarë. Ndonëse, programet e tyre nuk ndryshojnë, nuk mund të marr pozicion. Dera ime është e hapur për të gjithë.

Burimi: Kathimerini

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: