Pas lënies së kombëtares kuqezi si numri 2 i stolit të përfaqësueses shqiptare, krahu i djathtë i Gianni De Biassi-t, Paolo Tramezzani thotë se do t’i mungojë shumë Shqipëria dhe të gjithë njerëzit me të cilët ka punuar këtu. Trajneri i ri i skuadrës zvicerane të Luganos dha një intervistë të fundit për SuperSport për të gjithë eksperiencën e tij në vendin tonë.

“5 vjet me shumë suksese, i kam jetuar në mënyrë shumë intensive, shumë profesionale, duke kërkuar të jap maksimumin për Gianni-n, duke u vënë në shërbim të tij dhe të Federatës. Ishte një punë shumë impenjative, në fillim shumë e vështirë, por jam shumë i kënaqur për atë që ja kemi dalë të bëjmë për Kombëtaren Shqiptare, si dhe për atë që ju dhamë dhe transmetuam tifozëve dhe gjithë popullit”.

Padyshim që një raport i vecantë ka qenë ai me Gianni De Biasin, jo thjesht fjalë të mira për trajnerin e Kombëtares. Tramezzani e vlerëson maksimalisht.

“Ishte eksperienca e punës më e bukur dhe më e rëndësishme e jetës time, besoj se nëse sot arrita të vendosem në këtë situatë të favorshme, është pikërisht pasi pranë tij kam mësuar shumë, kam patur mundësinë për t’u rritur dhe për t’u përballur me gjërat, do të ruaj gjithnjë atë që më dha në aspektin futbollistin, në këndvështrimin e ndjenjave dhe miqësisa, dhe mbi të gjitha në këndvështrimin e raportit që kemi patur pasi mund të them që deri në këtë moment është personi më i rëndësishëm që kam gjetur në botën e futbollit”.

Tramezzani nis detyrën e trajnerit, e po ashtu dhe Bogdani e Bushi që deri para pak ditësh ishin pjesë e stafit të Kombëtares, duket sikur De Biasi është një shkollë e vërtetë futbolli.

“Po është dhe Bulku që ka qenë pjesë e këtij stafi, dhe ka qenë fat për ne që kemi patur mundësinë t’i qëndrojmë pranë në këto vjet dhe të jemi përkrah tij. Besoj se cdonjëri prej nesh ka dhënë dicka, një kontribut për të transmetuar atë që ai kishte brenda tij”.

Tani në rolin e trajnerit te Lugano, ndoshta mund t’i bënte punë atje dhe dikush nga lojtarët e Kombëtares, por Tramezzani e ka të vështirë të zgjedhë.

“Të ishte për mua do t’i merrja të gjithë. Jam kaq shumë i lidhur me këta djem me të cilët kam ndërtuar një raport të rëndësishëm këto vjet, ndaj nuk mund të zgjedh një. Janë të gjithë në zemrën time, por është e qartë se në këtë moment duhet të arsyetoj në interesin e një klubi që më dha këtë mundësi dhe prioriteti është të vazhdoj eksperiencën që kam bërë këtu në një tjetër realitet.”

Po Shqipëria, Shqiptarët, duket sikur që tani Tramezzani ka mall e nostalgji për vendin dhe njerëzit që po lë, një vend dhe nje popull që thotë se i ka mësuar shumë.

“Më keni mësuar se cfarë do të thotë të vuash në jetë, më mësuat se cfarë do të thotë të jesh krenar për atë që bën. Më bëtë të ndihem njëri prej jush. Kam marrë shumë më tepër se ajo që kam dhënë në këtë aspekt. Iki me kënaqësinë se kam kontribuar për të bërë të lumtur një popull të tërë, i cili meritonte t’i përjetonte emocionet që i dha skuadra”.

Ndoshta kjo ndaj Shqipërisë është një mirupafshim dhe jo një lamtumirë, ndoshta një ditë mund të kthehet në vendin e Shqiponjave, rrugët e së ardhmes askush nuk i di, e sigurt është se ky vend mbetet përgjithmonë në zemrën e Tramezzanit.

“Nuk e di cfarë mund të ndodhë pas disa vitesh, në jetë jam mësuar të punoj cdo ditë pa menduar shumë se cfarë mund të ndodhë dhe cfarë mund të rezervojë jeta. Jam mirënjohës që kam mundur të përjetoj 5 vjet këtë eksperiencë në këtë vend dhe të njoh direkt këtë popull që më parë nuk e njihja. Do t’i mbaj me vete këto ndjenja dhe kjo është një lidhje që do të zgjasë gjithë jetën”.

Akoma më emocionuese fjalët e fundit për Shqipërinë dhe njerëzit me të cilët punoi, këtu lotët bëhen të vështirë për t’u mbajtur.

“T’i falënderoj, t’i falënderoj me zemër, sepse bënë vërtet shumë si dashuri dhe si afeksion kam marë shumë, dhe është dicka e bukur të punosh kështu”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: