Mbrëmjen e 6 shkurtit 2026, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën e Kryeministrit Edi Rama për shpalljen si antikushtetues të vendimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Rënda (GJKKO), që kishte pezulluar nga detyra Belinda Ballukun, zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Vendimi i Kushtetueses erdhi pas mosarritjes së kuorumit të nevojshëm prej 5 votash në favor të kërkesës, duke lënë në fuqi pezullimin e ministres nga detyra.

Kjo situatë ka ngjallur debate juridike dhe politike mbi mënyrën e interpretimit të vendimeve të ndara dhe fuqinë e ekzekutivit në raport me drejtësinë. Ish-kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, avokati Besim Hajdarmataj, sqaron implikimet e këtij vendimi.

“Nëse nuk ka shumicë, kërkesa rrëzohet”
Si interpretohet juridikisht një vendim i ndarë 4 me 4?
Hajdarmataj: Nëse nuk bëhet shumica prej 5 votash, si për pranim apo mospranim të kërkesës, atëherë Kushtetuta ka parashikuar se vendimmarrja është në disfavor të kërkesës, pra kërkesa konsiderohet e rrëzuar (neni 73 pika 4 i LGJK).

A mund të konsiderohet ky vendim si një “mosvlefshmëri” e vendimit të GJKKO për pezullim?
Hajdarmataj: Une nuk mendoj që ky vendim con në ‘mosvlefshmëri” të vendimit të GJKKO për pezullimin. Vendimi i GJKKO është i vlefshëm dhe në fuqi sa kohë nuk është ndryshuar nga një gjykatë më e lartë.

Autoriteti i Kuvendit dhe pezullimi i ministrit
A është e detyrueshme sipas Kushtetutës që një vendim për pezullimin e një ministri të kalojë për autorizim të Kuvendit?
Hajdarmataj: Sipas Kushtetutës dhe praktikës së GjK, vetëm masat që lidhen me lirinë personale (sipas vendimit në rastin e SB, vetëm arresti në burg dhe në shtëpi) kërkojnë autorizim paraprak nga Kuvendi.

Në rastin e Ballukut, cili qëndrim ka më shumë bazë juridike, ai që kërkon autorizim të Kuvendit apo ai që nuk e kërkon?
Hajdarmataj: Mendoj se për aplikimin e masës së pezullimit nga detyra për funksione që nuk janë atribuar për shkak të zgjedhjes (sipas ligjit elektoral) nuk ka pengesë për aplikim. Megjithatë, kjo pyetje do të marrë përgjigje përfundimtare në rastin e shqyrtimit të kërkesës së vetë subjektit në GJKKO.

4 me 4, pasiguri apo thjesht qëndrime të ndryshme?
A mund të interpretohet ndarja e gjyqtarëve si një pasqyrë e pasigurisë ligjore mbi këtë çështje?
Hajdarmataj: Ndarja e gjyqtarëve 4 me 4 në rastin e kërkesës së Kryeministrit mendoj që tregon thjesht qëndrime të tyre mbi çështjen dhe jo pasiguri. Qenia gjyqtar nuk duhet të reflektojë pasiguri.

A mund mazhoranca të përdorë këtë vendim 4 me 4, në favor të tyre apo për të dobësuar efektivitetin e SPAK/GJKKO?
Hajdarmataj: Nuk di se si mund të përdoret politikisht apo në forma të tjera, por juridikisht vendimi i pezullimit është aktualisht i pacenuar dhe një përgjigje përfundimtare për çështjen nëse mundet ose jo të pezullohet ministri do të marrë nga gjykatat kompetente (GJL dhe GJK në vijim, në raport me çështjet që mund të iniciojë vetë subjekti).

Rreziqet dhe precedentët
Çfarë rreziqesh juridike dhe politike ka interpretimi i vendimit në favor të ekzekutivit?
Hajdarmataj: Për mua, s’ka se si të interpretohet vendimi në favor të njërin apo tjetrin pushtet. Vendimi i GJK në këtë rast, sipas ligjit, është rëzim i kërkesës, sikurse parashikon ligji i GJK dhe sikurse është parashtruar edhe në njoftimin zyrtar të GJK.

Si mund të ndikojë një vendim i ndarë në besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese dhe sistemit gjyqësor në përgjithësi?
Hajdarmataj: Për këtë pyetje, unë preferoj të besoj dhe mendoj që votimi përfaqëson thjesht qëndrimin dhe mendimin e gjyqtarëve respektivë dhe asgjë tjetër përtej kësaj.

A krijon kjo situatë një precedent për konflikt të mundshëm pushtetesh midis ekzekutivit, legjislativit dhe drejtësisë?
Hajdarmataj: Mendoj që një vendimmarrje me shumicë e GJK do t’i kishte shërbyer qartësimit të raporteve mes pushteteve në këtë drejtim, duke shuar kështu edhe mundësinë e vijimit të një situate ‘konfliktuale’ në të ardhmen.

Cilat mekanizma ligjorë ose kushtetues ekzistojnë për të zgjidhur bllokimet e vendimeve në Kushtetuese?
Hajdarmataj: Një nga mekanizmat zhbllokues është pikërisht ky që ka parashikuar vetë ligji, duke përcaktuar se mosformimi i shumicës pas sjell rrëzon kërkesën. Nuk do të ishin para një situate të tillë nëse numri i gjyqtarëve do të ishte i plotë (aktualisht ka një vakancë), pasi për të mundësuar vendimmarrjen, trupat gjykues në çdo rast përbëhen nga numër tek anëtarësh.

Mekanizmat dhe roli i Parlamentit
A mundet Parlamenti të ndërhyjë për të qartësuar kompetencat në këtë lloj situate?
Hajdarmataj: Unë mendoj që në parim pezullimi nga detyra nuk është i paaplikueshëm për ministrin. Ministri nuk është i zgjedhur dhe me ligjin procedural penal, mbrojtja nga pezullimi është parashikuar vetëm për të zgjedhurin, me qëllim garantimin e ushtrimit të funksioneve si i tillë. Kjo edhe për shkak se pezullimi, nëse aplikohej në këtë rast, nuk aktivizon një mekanizëm zëvendësimi të përkohshëm, pasi funksionet e zgjedhura si rregull nuk delegohen. Çdo funksion tjetër i marrë për shkak të emërimit, caktimit, komandimit etj., të gjitha janë të pezullueshme./ Intervistoi: Etleva Skonja

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb