Për herë të parë, Kampionati Europian i Mundjes u mbajt në Tiranë, në një eveniment prestigjioz, aty ku më të mirët u përballën me njëri-tjetrin. Shqipëria mori rezultate pozitive në këtë event, përveç organizimit pothuajse perfekt, vendi jonë mori dy medalje argjendi, të cilat u siguruan nga Dudaev dhe Abakarov.

Nuk mund të mos ishte i lumtur, Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni. Prizreni, në një intervistë për Sport News në News 24, në bisedën me Trevisa Tufën u ndal të fliste për organizimin e Europianit, arritjet, sukseset, pritshmëritë dhe objektivat.

I ftuar special edhe Sahit Prizreni, president i Federatës Shqiptare të Mundjes. Sahit, nuk e di për ty, por kur të shoh mes Abakarov dhe Dudaev më dukesh presoni më i sigurt, më i mbrojtur në Shqipëri….

Kjo qëndron se të jesh me dy mundësa në krah, sigurisht që ndihesh komfort. Nuk jemi dy, por jemi 3. Jam i sigurt.

Na mungon edhe Chermen Valievi Sahiti, do kishte qenë një poker i shkëlqyer në studio, ju mungoi Chermeni, kam përshtypjen se do kishim tre medalje në këtë Evropian…

Në fakt, u ndje mungesa e Chermenit. Ai është kampion i Europës në fuqi dhe nënkampion i botës. Jam i sigurt që do kishim edhe një medalje ari në Botërorin e shkuar në Kroaci. Islam dhe Zelimkhan dëshmuan sa të rëndësishëm janë në arenën ndërkombëtare, që realisht e zbutën mungesën e Chermen. Kishim mungesa edhe në prodhimin vendas.Kishim Albina Drashin që nuk garoi dot për një dëmtim. Kishim Endrio Avdylin që nuk siguroi peshën në momentin e fundit. Gjithsesi, djemtë na gëzuan. Turqia me gati 90 milionë banorë mori vetëm një medalje bronzi, ndërsa ne morëm dy medalje argjendi. Duhet të jemi krenar me djemtë.

 

 

Sahit, ishe gjatë gjithë kohës pranë kryeministrit, çfarë po i shpjegoje, a i kërkove ndonjë gjë ekstra për mundjen?

Dua të them diçka që e mora vesh vetëm pas finales. Në finale nuk po e kuptoja, është ky Islami apo nuk është ky? Që në ndeshjen e parë me turkun ka bërë një tërheqje të fortë te pjesa e krahut, gjë që ky as trajnerëve nuk u ka thënë. 20 minuta para ndeshjes ka bërë një qetësues dhe kaq. Kjo ka ndikuar dhe jam i bindur se njëri prej tyre duhet të ishte kampion Europe. E vërtetova edhe vet, kur u konsultova me mjekun.

T’i kthehem pyetjes për Ramën, po i shpjegoja çfarë është mundja. Kampionati Europian është një mundësi shumë e mirë promovimi vlerash.Përmes sportit, mundësia për të treguar veten dhe për të promovuar veten, është e thjeshtë dhe e rëndësishme.

Për herë të parë Shqipëria organizoi një eveniment të tillë, një Evropian, si shkoi Sahit, çfarë përshtypje more, si u vlerësua, çfarë note do i vendosje?

Pardje kam marrë vlerësim nga Presidenti i Federatës Botërore. Një vlerësim ekselent, as vetë nuk e prisja për të qënë i sinqertë. Të marrësh një vlerësim të tillë, mendoj që kemi qënë në lartësinë e duhur. Përmes televizionit tuaj dua të përcjell një mesazh, mungesa e medias në evente të tilla është e vështirë për t’a kapërdirë. Prezenca e Kryeministrit i dha vlerë tjetër.

Më bëri mua përshtypje, apo këtë evropian kishte shumë mundës rus, kishte shumë mundës legjendar, edhe ai tanku turk, shihja kudo që flitej shumë për këtë evropian Sahit….

Europiani është nga më të rëndësishmit. Sot me globalizmin që ka ndodhur, shumë sportistë rusë përfaqësojnë vende të tjera. Kjo është kthyer në normalitet. Dihet që Rusia është shkollë që dominon, këtë e tregoi edhe kësaj radhe. Mendoj që ka qënë event fantastik.

A mendon se do të shpërbej ky evropian për organizime të tjera, edhe më të mëdha, a do të shpërbej ky organizim për të afruar edhe më shume të rinj në këtë sport?

Së pari ky event promovon sportin tonë në vend. 7 ditë event. Pjesëmarrja ka qënë e madhe, saqë salla ka qënë plot, e tejmbushur. Kjo tregon shumë gjëra, kjo të ngroh. Kjo sallë duhet të ishte mbushur nga djemtë dhe vajzat tona. Një sensibilizim ndryshe do vlente më shumë, do i jepte impakt tjetër.

Sahit, së fundmi qeveria bëri disa ndryshime në ligjet për sportin, në veçanti për sportin elitar, rriti shpërblimet, jeni të kënaqur si federatë?

Fakti që shpërblimet janë rritur do të thotë se djemtë dhe vazjat tona kanë mundësi më shumë për t’u vlerësuar nga ky ligj, ligj që është për t’u përgëzuar si iniciativë e qeverisë. Sot më shumë se kurrë, djemtë dhe vajzat tona kanë mundësinë të ndihen të vlerësuar. Ka akoma punë për t’u bërë, por shpërblimet janë diçka që duhen vlerësuar.

Si shqiptar që jemi, nuk rrimë dot pa pyetur, sa lek fituan çunat për këto medalje?

Me ndryshimin e ligjit, nëse do ishte ligji i vjetër, djemtë do fitonin nga 20 milionë lekë për vendin e dytë. Tashmë ata fitojnë 40 milionë lekë secili prej tyre. Vlen të thuhet edhe shpërblimi për trajnerët, që është 50% e kësaj shume. Trajneri merr 20 milionë lekë nga shpërblimi, gjysma e shpërblimit të djemve, jo nga pjesa e djemve.

Kam dy pyetje shkurt, a do të vijoni të huazoni sportistë dhe kur do vijë dita që të shohim edhe produkte të vendit të arrijnë në nivele si Dudaev dhe Abakarov?

Dita ka qënë në fakt, pasi kemi sjellë medalje bronzi dhe argjendi. Ne e kemi kryer misionin. Fakti që djemtë na kanë nderuar në mënyrën më të mirë të mundshme tregon shumë. Sot djemtë tanë kanë mundësinë ta prekin një medalist olimpik.

Jetesa e djemve në Tiranë…

Islami dhe Chermeni tashmë janë banorë me apartamente në Tiranë dhe kjo falë dashamirësisë së kryetarit të bashkisë. Ka ngelur Zelimi dhe mendoj se shumë shpejt e ai do ketë mundësi të jetojë në Tiranë, të sjellë familjen dhe të kontribuojë eksperiencën që ka mbi supe.

Sahit, për ju si Federatë, çfarë presim, cili është objektivi më i radhës.

Sporti i Mundjes të rritet në të gjitha rrethet në Shqipëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb