Vllaznia duket se ka ndryshuar fytyrë me ardhjen e Qatip Osmanit në pankinë. Shkodranët renditen në vendin e dytë dhe pritshmëritë për këtë sezon janë të mëdha. Në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24, në emisionin e drejtuar nga Trevisa Tufa, trajneri i njohur, Armando Cungu u shpreh optimist për arritjet e mundshme të ekipit për këtë sezon. Cungu thotë se për përballjen mes Vllaznisë dhe Tiranë, favorit janë të besuarit e Osmanit.

 

 

Cungu, e prisje këtë rikthim të Vllaznisë në këtë formë?

E prisja. Me ndryshimin e stafit, prisja Vllazni tjetër. Nuk ishte ndonjë çudi e madhe. Problematika e Vllaznisë u shfaq që nga organizimi, por u kap shpejt situata dhe u kthye gjithçka në rrugën e duhur.

Çfarë ndryshoi trajneri Osmani, se grupi është po i njëjtë?

Mos harrojmë që ka qenë një grup që vinte nga Maqedonia, por nuk mund të tregonin asgjë për fanellën e Vllaznisë. Vllaznia mund të humbiste shërbimet e Alivodës. Djem të rinj, djem shkodranë, janë të nevojshëm për skuadrën. Çdo lojtar që ka cilësi të mira, duhet t’i japësh mundësinë të tregojë veten. Ka ndryshuar atmosfera në ekip, çka vihet re në dëshirën për të luajtur futboll. Ka një atmosferë shumë më pozitive.

Me të drejtë tani tifozët ëndërrojnë edhe titullin, në këndvështrimin tënd, a mund realisht Vllaznia, ky ekip të rikthejë titullin në Shkodër?

Patjetër që po. Duke parë disa ekipe me oshilacione, Vllaznia mund të përfitojë. Vllaznia ka një rritje, dëshira dhe ambicia natyrisht shkojnë duke u rritur. Vllaznia i është afruar Egnatias kryesuese, ndërsa ka krijuar një distancë me vendin e 3-të. Në Final Four gjithçka nis nga zero.

Dihet që finalen e këtij sezoni do të zhvillohen në Tiranë, në Air Albania, a do ta penalizojë ky fakt Vllazninë?

Besoj që po. Aty do kenë mundësinë ekipet që të tregojnë veten. Natyrisht të ardhurat do të jenë edhe më të mëdha nga biletat.

A mendoni se nëse nuk do të ishte kjo skemë, Vllaznia do të ishte sërish në garë për titull?

Nuk mund ta them këtu. Egnatia ka një farë zbritje në nivel loje, e thashë edhe më parë. Në një garë të tillë, duhet të mbash një ritëm konstant. Nëse s’do ishte Final Four, Egnatia do ishte e shkëputur, mbase edhe 10 pikë më shumë, me atë ritëm që kishte.

Këtë fundjavë luhet klasikja e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana, kë sheh favorit Cungu?

Duke parë javët e fundit të Vllaznisë dhe Tiranë, natyrisht fut edhe faktorin fushë, unë mendoj se shkodranët janë favorit për të fituar. Po shikoj një rënie të lirë të Tiranës, gjithsesi nuk mund të thuash kurrë fjalën asnjëherë në futboll.

A rrezikon Tirana të mbetet jashtë fazës “final four”? A e sheh të kërcënuar?

Egnatia, Vllaznia dhe Partizani janë të sigurta. Të gjitha tjerat janë për Final Four, përveç dy vendeve të fundit në rënditje. Ka shumë ndeshje deri në fund, gjithçka mund të ndodhë.

Si e parashikon ndeshjen Vllaznia-Tirana?

Nuk di të parashikoj, flas me logjikë sportive dhe profesionale.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: