Titulli i Partizanit vijon të jetë një temë diskutimi, gjithashtu reagimi i “moderuar” i Tiranës. Po kaq zhurmë bëri dhe largimi i stafit të “demave” ende pa u zbehur “magjia” e titullit. Ervin Fakaj, ish futbollisti i Kombëtares, në një intervistë për “News24”, shprehet se kjo është një çështje me e thellë, problemi është se futbollit në Shqipëri po i humbet besimi, çudira që mund të ndodhin vetëm këtu:

-Fakaj, e meritoi titullin Partizani, a duhet të ndihen të vjedhur te Tirana?
Nuk është thjesht kush e meritoi, apo kush u ndje i vjedhur, duhet parë pak më thellë. Ku po shkon kampionati dhe futbolli shqiptar? Kampionati shqiptar po humbet nga viti në vit tifozët, sepse besimi sa vjen e bëhet më i ulet. Dua ta lidh pak me fundin e kampionatit belg apo gjerman, se çfarë emocioni të jep futbolli i vërtetë, futbolli i besueshëm. E kundërta ndodh te ne, futbolli ka humbur besimin. Fakti që sot njëra skuadër qesh dhe tjetra qan, edhe përpara disa viteve tjera ka qarë e njëra ka qeshur, është e sigurt që nesër do të ndryshojnë vendet, kjo të bën të mendosh se nuk është çështje kush e fitoi apo kush e humbi, unë besoj që futbolli duhet të bashkohet dhe të largojë njëherë e mirë këtë mosbesim te tifozët. Unë nuk besoj se edhe vetë lojtarët e kanë atë kënaqësi që duhet të kenë kur fitojnë titullin, apo edhe kur e humbet prapë ti ke emocion. Unë besoj që ai emocion për momentin në Shqipëri është i shtirur, nuk është i vërtetë

-Titulli nuk mjafton në Shqipëri, Partizani bën të njëjtin veprim siç bëri me Gegën, largohet menjëherë Drejtori Sportiv dhe trajnerin, si të duket kjo lëvizje?
Kjo është në të njëjtën vazhdë. Nuk ka mundësi që të fitosh me emocion të vërtetë një ndeshje futbolli dhe pastaj të ndodhin gjithë këto ndryshime tek ekipi që fiton, është e pamundur. Antwerp në Belgjikë fitoi kampionatin me një gol në minutën e 94-të. Është sikur ata tani të heqin të gjithë stafin, atje nuk ndodh kjo, nuk ndodh sepse atje është futbolli i vërtetë, atje futbolli të jep emocione, është e pamundur të ndodhin këto gjëra. Kush është rreth futbollit, kush e ndjek futbollin e kupton se çfarë dua të them.

-Colella flet në Itali dhe thotë mezi pres të luaj në Champions, nuk kam asnjë problem me kontratën, pastaj paraqet dorëheqje të parevokueshme, ka diçka që nuk shkon?
Për mua nuk është normale që një staf teknik, nëse t’i e fiton titullin me 100% zotësi, dhe e ndjen që e ke të merituar atë titull, nuk para ndodhin kështu ndryshimesh.

-Ndryshe ndodhi te Tirana, humbën gjithçka brenda pak ditësh, por rinovuan me Shehin. Ishte e drejtë?
Është e njëjta rrjedhojë, pra njëra skuadër që fiton titullin e ndryshon komplet, ndërsa tjera që ndihet e “vjedhur” konfirmon dhe lufton për ta konfirmuar stafin. Është një paradoks që ndodh vetëm në Shqipëri.

-Një vit më parë, të gjithë ekipet shqiptare, përveç Laçit, dështuan në Evropë, pse vjen kjo, pse ndodh?
Problemet e futbollit shqiptar dihen kush janë. Është normale që kur t’i zhvillon një kampionat që nuk është në lartësinë e duhur, kur futbolli për hir të së vërtetës e ka humbur atë besueshmëri, në momentin që përballesh me një futboll të vërtetë siç është ai Evropian, ku ty nuk të fal njëri gjë, ku nuk mund të marrësh diçka të pamerituar, aty dalin problemet e futbollit tonë dhe do të vazhdojnë të shfaqen.

-Fakaj, Kombëtarja ka nisur grumbullimin për dy sfidat e qershorit, kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe, a janë 6 pikët detyrim?
Absolutisht po. Nëse i matim forcat në raport me kundërshtarët që kemi, ky është grupi ku ne patjetër duhet të tregojmë se kush jemi, sepse rrallë herë kemi pasur një grup të tillë, kaq i ekuilibruar, ku ke shanse reale për të fituar dhe për të marrë pikët maksimale. Këto janë dy ndeshje shumë të vështira, e theksoj të vështira, sepse historia na ka treguar se kur futemi si favorit kemi hasur probleme. Sylvinho tani ka pasur kohë të vendos piketat, që të njoh lojtarët më mirë. Ideja është se janë 6 pikë që t’i nëse nuk i merr nuk ke më çfarë kërkon nga ky grup.

-Si të duket grupi i Sylvinjo-s, rikthehet Sadiku, vjen Muçi, por kemi mungesa si Broja, Balliu, Kumbulla, Gjasula, si pritet të luajë Shqipëria? Si duhet të luajmë në këto dy sfida?
Trajneri ka ardhur me ide të qarta, ka rikthyer mbrojtjen me katër, edhe unë kështu mendoj, kështu duhet të vazhdojë. Unë besoj se Shqipëria e ka cilësinë dhe kualitetet për të fituar kundër këtyre dy kundërshtarëve. Shqipëria e ka detyrim të fitojë, nëse dëshirojmë të qëndrojmë në lojë duhet të fitojmë me patjetër. Ky është një presion, është presion ku duhet të tregojmë, a kemi këllqe për ta mbajtur

-Fakaj, ka marrë një shpjegim, pse nuk je ftuar sërish në Kombëtaren e veteranëve, çfarë ndodhi në të vërtetë, është diskutuar shumë kjo teme?
Të jem i sinqertë nuk kam dashur të jap shpjegime. Unë jam që fëmije pjesë e futbollit, besoj do jem pjesë e futbollit gjatë gjithë jetës. Është diçka e turpshme, pavarësisht se kujt i ngelet turpi. Le ta mbajë turpin ai që e bëri edhe pse e di që turpi këtu në Shqipëri “hahet me bukë”, nuk ka problem. Nuk kam çfarë shpjegimi të jap, thjesht më vjen turp që bota ime, bota e futbollit, bie në nivele të tilla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb