Në një klimë politike gjithnjë e më të tensionuar, ku liria e medias dhe e fjalës së lirë po vihet në pikëpyetje, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ngre zërin kundër ngjarjes që tronditi opinionin publik, sulmi ndaj televizionit “News24” dhe gazetave “Panorama” dhe “Panorama Sport”.
Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, Tabaku e cilëson ndërhyrjen si një akt të paprecedentë, që cenon demokracinë dhe të drejtën për informim të qytetarëve. Ajo shpreh shqetësimin e saj për rolin e kompanisë KAYO, për të cilën thotë se ka persona pa certifikatë sigurie”. Jorida Tabaku tregon paralajmërimin që i bëri qeverisë dy vite më parë në Kuvend që të bënte kujdes për personat e tretë që do të përfshinte në KAYO. Me tone të forta dhe mesazhe të qarta, Tabaku kërkon transparencë, reagim institucional dhe mbështetje për median e lirë në një vend që aspiron integrimin europian. Sipas Jorida Tabakut, veprimet e ekzekutivit po dëmtojnë procesin e integrimit, duke e cilësuar qasjen e qeverisë si autoritare dhe të rrezikshme për rrugën drejt BE-së.
Zj.Tabaku, pak ditë përpara nisjes së legjislaturës së re parlamentare, qeveria nxori me forcë, me polici dhe ushtri nga godinat mediat “News24” dhe gazetat “Panorama” dhe “Panorama Sport”. Aty është vendosur kompania KAYO, një krijim i ri i qeverisë për të cilën ju jeni shprehur me kritika. Si e shihni sjelljen e qeverisë ndaj medias?
Sjellja e qeverisë ndaj “News24”, gazetave “Panorama”, Panorama Sport” dhe “BalkanWeb” është abuzive dhe arbitrare. Për të gjithë është shumë e qartë që kjo është një hakmarrje ndaj medias dhe gjithashtu, edhe një goditje ndaj lirisë së medias. Nuk ka asnjë arsye tjetër që qeveria nxjerr me forcë një media nga godinat, që prej disa dekadash ia ka mundësuar dhe ku media ka investuar mundin dhe të ardhmen e gazetarëve. E bukura është që këto ambiente iu dhuruan KAYO, një sajesë e qeverisë që kur ka ardhur në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave e kam kritikuar, por njëkohësisht kam paralajmëruar qeverinë që të bënte kujdes për personat e tretë që do të përfshinte në KAYO. Nuk kaluan as dy vjet dhe qeveria shqiptare ka përfshirë në KAYO persona që nuk kanë asnjë certifikatë sigurie, por që dyshohen me lidhje pranë qeverisë. Tani, nga një anë sulmohet “News24”, pasi nuk është një media e afërt me qeverinë dhe nga ana tjetër, godinat e saj i jepen një kompanie, që ka përfshirë në aksionet e saj njerëz afër qeverisë. Qartazi dhe dukshëm kemi të bëjmë me një hakmarrje personale dhe me mënyrën si bëhen gjërat në Shqipëri. Oborrit të qeverisë i jepet copa e luanit duke ia marrë tjetrit ndërkohë që kundërshtari internohet.
Goditja ndaj medias, por edhe autocensura si pasojë e presionit politik janë elemente që kanë goditur median në vendin tonë. Çfarë hapash priten në lidhje me integrimin në BE?
Liria e medias është provë kryesore për Kapitujt 23/24. Pa rregulla të qarta, pa pavarësi të rregullatorëve dhe pa mbrojtje reale të gazetarëve, integrimi ngec, sado konferenca të bëjmë. Njëkohësisht, sulmi ndaj “News24” është një dëshmi e sjelljes autoritare ndaj lirisë së medias. Problemi qëndron se këto sulme synojnë të ulin impaktin mediatik të një mediaje të caktuar, duke i ulur relevancën ndaj pushtetit, që gjithnjë e më shumë po kontrollon median dhe narrativën në vend.
Qeveria ka premtuar 2027-ën si vitin e integrimit të vendit në BE. Cilat janë ato pika që mund ta vërtetojnë këtë aspiratë të qeverisë apo ta rrëzojnë atë?
Viti 2025 ka qenë një vit test për qeverinë dhe jetën politike të vendit. Për herë të parë, si një vend që ka hapur negociatat, ne kemi shkuar në zgjedhje. Për këdo ka qenë dhe është e qartë që procesi i zgjedhjeve është ABC-ja e procesit të integrimit, pasi në vetvete zgjedhjet janë treguesi i vërtetë i demokracisë dhe respektimit të shtetit ligjor. Fatkeqësisht, për shqiptarët, zgjedhjet 2025 nuk mundën të prodhojnë një rotacion dhe mbi të gjitha prodhuan një nga raportet paraprake më të këqija të OSBE-ODIHR. Ky është sinjali i parë negativ për Shqipërinë në këtë fazë ku jemi. Datat e përcaktuara nga qeveria, pa një përmbushje reale kriteresh, më duken thjesht data; madje më duket ironike data e përcaktuar nga qeveria, pasi kryeministri negociatat i ka shpallur të hapura që më 2017, pra, dhjetë vite përpara premtimit të bërë prej disa javësh. Këtu vijmë në një tjetër pikë: kjo është një qeveri dhe shumicë e papërgjegjshme në procesin e integrimit. Mjafton të lexojmë deklaratat dhe të hulumtojmë veprimet e aktet e tyre në lidhje me integrimin për të parë mungesën e korrektësisë. Më 2017- n u ngjeshën në gjoksin e diplomatëve një “medalje” për hapjen e negociatave (diçka e pavërtetë që u faktua), pastaj nisi një tur ankesash ndaj vendeve të BE-së se përse nuk pranonin hapjen e negociatave, edhe pse lista e kërkesave të tyre (sidomos e Bundestagut) ishte e gjatë, ndërkohë që qeveria shqiptare vetëm ankohej dhe nuk punonte për t’i përmbushur. Përtej samiteve, që më së shumti dëshmojnë vullnetin pozitiv të Europës për të integruar rajonin, qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë nismë që ndihmon dhe shtyn përpara procesin e integrimit europian. Në këto kushte, detyra e qeverisë mbetet e njëjtë: reforma reale që prekin dhe ndryshojnë jetën e shqiptarëve. Fatkeqësisht, nuk shoh asnjë nismë në këtë prizëm. Shoh një shumicë që angazhohet në një premtim elektoral. Një qeveri që nevojën për reforma e sheh si një mantel për të mbuluar problemet e vendit që vetë i ka krijuar. Herë pas here shoh një qeveri që e përdor integrimin si një alibi për të ndërmarrë nisma në dëm të demokracisë.
Qeveria ka nisur të hapë disa grupkapituj me ritme të shpejta, duke rrëzuar pikërisht atë që ju pretendoni: mungesën e integrimit…
Është e trishtë ndërsa sheh një qeveri që gëzohet se hapen grupkapitujt, ndërkohë që ka dështuar të ndërmarrë nisma reale për të përmbushur nevojat që ka vendi dhe për të adresuar realisht reformat që i duhen Shqipërisë. Por, duke pasur parasysh që ne kemi një qeveri propagande dhe fasadë, që nuk shqetësohet për thelbin, por për imazhin, arrij të kuptoj deficitin. Ajo që më dhemb më shumë është se nga ky deficit vuajnë shqiptarët dhe e pësojnë ata. Procesi i negociatave u hap pasi vetë BE-ja ndryshoi metodologjinë — edhe kjo është shumë e rëndësishme për t’u kuptuar nga të gjithë ne. Ndryshimi kishte në fokus krijimin e grupkapitujve, por edhe misionet faktmbledhëse, që do të vijnë të shohin aplikimin e këtyre grupkapitujve nga vendet e BE-së. Jo më larg se në shtator, Partitë Popullore Europiane kanë për të ardhur në Shqipëri për të hetuar dhe vëzhguar nga afër ankesat tona si opozitë për procesin e zgjedhjeve. Ato kanë marrë dhe kanë lexuar raportin paraprak, por njëkohësisht do të vijnë të mbledhin informacione në lidhje me shqetësimet që ka politika, por edhe shoqëria civile. Çfarë vlere ka hapja e grupkapitujve kur shqetësime si mungesa e reformave substanciale apo ligjeve “në letër” pa një shtet funksional ligjor ngrihen në çdo takim të nivelit të lartë?! Nuk ka shumë rëndësi sa grupkapituj hap; kjo nuk është ndonjë garë grupkapitujsh. Rëndësi ka sa grupkapituj mbyll, sa realisht ke mundur të ndërtosh një administratë publike dhe një qeverisje që i përgjigjet ritmit që ka sot BE-ja. Kjo edhe për një arsye tjetër: Shqipëria duhet të jetë e përgatitur për përfitimet, por edhe për detyrimet—këto të fundit na duken shpesh si pjesë e një formule dhe ne harrojmë (apo qeveria nuk e shpjegon) se ka detyrime që duhet të përmbushen dhe që prekin plotësisht biznesin dhe jetët e qytetarëve. Për këto dy arsye, nuk e shoh të pranueshme alibinë e një shumice që ka shndërruar Kuvendin në një noter të ligjeve me porosi, të një shumice që ka votuar kontrata koncesionare në shkelje të hapur të MSA-së, e cila flet për “hapje grupkapitujsh”.
PD do të nisë shtatorin në opozitë, ndërkohë që vera ka qenë e mbushur me denoncime, ju thatë që një mision faktmbledhës nga PE do t’i drejtohet vendit, ndërkohë që është ende e paqartë nëse do të kemi një diskutim në PD për zgjedhjet?.
Ju e trajtoni situatën e zgjedhjeve dhe diskutimit të brendshëm si një mungesë debati në forcën politike, në të vërtetë unë kam parë për gjithë këto vite një debat brenda PD. Ndërkohë që pala tjetër nuk ka asnjë debat, aq sa po të shohim heqjet nga puna në pushtetin vendor (drejtor të bashkive që kanë bërë fushatë për PS) nuk kemi asnjë debat të brendshëm. Kjo do të thotë që PD do të ketë një riorganizim për të cilin duhet të presim mbledhjen e strukturave të larta, për të përcaktuar dhe rrugën që do të ndiqet. Ndërkohë ne nuk do ta humbasim marrëdhënien me qytetarin dhe do të jemi në terren për të nisur një diskutim të frytshëm në lidhje me shqetësimet e tyre dhe me përballimin e ndryshimeve jo pak abuzive që qeveria po përgatit në këtë mandat të sajin. Jam e bindur që shqiptarët janë sot më të qartë për rrezikun që i kanoset vendit tonë dhe për luftën që duhet të bëjmë të gjithë së bashku. Zgjedhjet 2025 kanë ekspozuar dhe problemet më të mëdha që ka demokracia jonë dhe përdorimin e shtetit si një mekanizëm për të supresuar votat. Për rrjedhojë, mendoj që beteja në Kuvend dhe beteja me në krah qytetarët është jetike dhe e domosdoshme. Alternimet kuptohet do të caktohen nga forumet drejtuese. Ju e keni parë shpesh sesi qeveria dhe shumica në parlament abuzojnë me pushtetin e tyre, duke i mohuar opozitës të drejtat legjitime dhe garantuara me kushtetutë; për këdo do të kemi një reagim të drejtë sikundër do të mbrojmë interesin e qytetarëve përmes formave të ndryshme duke përfshirë padyshim dhe protestat. Jam e bindur që pesha e skandaleve, por edhe sjellja arbitrare në kufi të harbutërisë e shumicës do të jetë më e dukshme në sytë e shqiptarëve mbi të gjitha, por edhe në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë.
A do të krijoni një “traffic-light scoreboard” parlamentar për progresin në kapitujt e sundimit të ligjit? Si do të verifikohet nga publiku?
Opozita do të punojë në maksimum për të mbajtur përgjegjëse mazhorancën në procesin e integrimit. Do të përdorim çdo instrument institucional në Kuvend, por edhe shoqërinë civile, think-tank-et, median dhe deri te partnerët tanë në Bruksel, për të kontrolluar dhe ndjekur procesin e integrimit. Ky nuk është vetëm një detyrim ndaj Kushtetutës, por edhe ndaj qytetarëve. Fatkeqësisht, qeveria ka abuzuar me durimin e opozitës në lidhje me procesin e integrimit. Ajo ka ngritur komisione paralele që kanë dubluar punën e opozitës dhe fuqinë që opozita ka pasur në Kuvend. Ka ngushtuar pafundësisht hapësirat legjitime të opozitës, duke e kthyer Kuvendin në një diktat të shumicës, ndërkohë që duhet të jetë krejt diçka tjetër. Kjo është shqetësuese. Fatmirësisht, sytë e vendeve të BE-së janë edhe në Shqipëri. Ne jemi një test për zhvillimin e këtij procesi dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për shumë arsye duhet të jemi të suksesshëm dhe të kujdesshëm; për këtë arsye, edhe opozita ka qenë shumë bashkëpunuese në procesin e integrimit. Por kemi parë një shumicë që sillet me dy fytyra: nga mungesa e ftesave për çeljen e negociatave ku opozita duhet të ishte e deri te zënia e hapësirave për të diskutuar tema të rëndësishme.
Cilat rekomandime të ODIHR-it do t’i kushtëzoni si të panegociueshme në reformën zgjedhore të këtij sesioni?
Ne po presim me shumë kureshtje raportin e fundit të OSBE-ODIHR për këto zgjedhje dhe padyshim presim edhe misionin faktmbledhës. Kryetari i PD-së, z. Berisha, dhe kolegë të tjerë si z. Bardhi, kanë ekspozuar në mënyrë të qartë dhe pa ekuivok dëshmi për abuzimin me zgjedhjet dhe për krimin zgjedhor. Të gjitha këto, plus edhe të dhëna të tjera, do të jenë pjesë e diskutimeve tona me misionin faktmbledhës, sikundër kanë qenë pjesë e diskutimeve tona në takimet që kemi pasur me partnerët tanë ndërkombëtarë. Fatkeqësisht, motori propagandë e ka veshur shqetësimin që kemi për zgjedhjet si një rrugë alibie për PD-në; në të vërtetë, kjo është gabim. Ne kemi evidentuar problemet dhe në të vërtetë, shumëkush e ka të qartë abuzimin me fondet publike, emërimet në qeveri dhe gjithashtu edhe përdorimin e bandave, por nuk ka vullnet politik për t’i zgjidhur ato dhe pikërisht kjo mungesë vullneti ngre akuzat që na drejtohen.
Ju keni shkruar një op-ed me deputetin e CDU në Bundestagun gjerman, Peter Beyer, në lidhje me rëndësinë e reformave dhe procesin e integrimit të BP, si edhe të krijimit të një mundësie që parlamentet e BE-së dhe Parlamenti Europian të bashkërendojnë punën me Komisionet e Çështjeve të BE-së në rajon. Si e shihni këtë perspektivë?
Gjatë mandatit të Komisionit të Çështjeve Europiane në Kuvend janë evidentuar disa hapësira për të rritur cilësinë e mbikëqyrjes parlamentare mbi integrimin. Komisioni është orientuar të vihet në funksion të procesit: u zgjeruan konsultimet me universitete, të rinj dhe grupe interesi që preken drejtpërdrejt nga acquis, me synim ta nxjerrim integrimin nga zyrat dhe ta lidhim me nevojat e qytetarëve. Paralelisht u forcua bashkëpunimi me komisionet homologe në rajon, pavarësisht vështirësive, dhe në tetor 2023 Tirana priti një mbledhje rajonale të kryetarëve të komisioneve si hap konkret drejt bashkërendimit. Në të njëjtën frymë po punohet që dialogu të zgjerohet edhe me partnerë si Turqia, Gjeorgjia dhe Ukraina, duke u përshtatur me sfidat e reja të BESË. Ndërkohë, kolegu Beyer është një emër i vjetër dhe njohës shumë i mirë i Ballkanit Perëndimor. Ai është edhe një nga njerëzit kyç në Bundestag, por edhe në CDU, në lidhje me procesin e zgjerimit dhe implementimin e Procesit të Berlinit në rajon. Kjo bisedë na shtyu të punojmë mbi një proces integrimi gjithëpërfshirës, për të pasur sa më shumë aktorë në lojë dhe rrjedhimisht, për të pasur një konsensus më të gjerë dhe solid për temën kaq të rëndësishme si integrimi. Sa më shumë zëra, aq më shumë mendime dhe një dakordësi më e madhe. Mbetet për t’u parë në vijim se si do të shkojë, Por opozita është e gatshme ta shtyjë përpara këtë proces me synim forcimin e kuadrit negociator.
Shqipëria ka mundur të përfitojë tri projekte nga Plani i Rritjes së BE-SË. Sipas jush, cilat janë pritshmëritë…?
Përpara se të kalojmë te pritshmëritë, duhet të shohim me kujdes lëvizjet e fundit të qeverisë në lidhje me ligjin e prokurimeve publike dhe reformën në administratë. Janë dy sipërmarrje që ndryshojnë thellësisht konceptin e qeverisjes dhe të shtetit. Të mos harrojmë që një nga arsyet e vonesës së hapjes së negociatave ishte fakti që socialistët, në opozitë, nuk votonin ligjin e bërë sipas standardeve të BE-së për Administratën Publike. Të mos harrojmë që socialistët, pasi u zbuluan aferat korruptive të inceneratorëve nga komisioni hetimor, rrëzuan me vota një paketë të plotë antikorrupsion të propozuar nga PD-ja, me alibi nga më të çuditshmet. Të gjitha këto veprime janë një shkak edhe më i madh për t’i parë lëvizjet e fundit si një përpjekje për t’i ikur integrimit. Ajo që kam frikë është se qeveria shqiptare po e trajton procesin e integrimit si një mënyrë për t’i ikur përgjegjësisë penale. Kjo është fyese për ligjin dhe padyshim, një goditje pas shpine për shtetin ligjor. Tani, sa mund të kemi angazhime nga një shumicë që shkon dhe gjen lloj-lloj formash për t’i ikur përgjegjësisë kushtetuese kur aplikon për fondet e BE-së, është e lehtë ta analizojmë. Deri më tani janë fituar projekte me vlerë 1 mld euro, por sa para janë hedhur realisht? Ne i kemi parë projektet dhe ato janë ende shumë larg zbatimit. Kemi parë mbledhje qeverie dhe angazhime për infrastrukturën, që sërish kanë dështuar të jenë gjithëpërfshirëse. Kemi humbur fondet e IPARD si pasojë e korrupsionit dhe sot bujqit po vuajnë nga mungesa e fondeve, ndërsa qeveria u ofron kredi me normë të lartë interesi.
Ju e keni kundërshtuar komisionin “Xhafaj”, ku së fundmi nuk mungoi edhe replika në distancë për të. A e shihni atë si një mundësi për të ndërmarrë reforma në shtetin shqiptar?
Komisioni “Xhafaj” u ngrit për të dubluar Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian që drejtohet nga opozita. Ishte një manovër dashakeqe ndaj opozitës, që në fakt u prit ftohtë nga institucionet e pavarura. Për të thënë të vërtetën, qeveria dëshmoi edhe në sytë e partnerëve atë që kemi parë ne si shqipfolës: traditën e vjetër të ndarjes dhe përçarjes. Për herë të parë nga krijimi i KKIE, Këshilli nuk mblidhej sepse kishte një urdhër për të marrë pronësinë e komisionit të integrimit dhe të procesit të integrimit. Kjo ishte qesharake, pasi një qeveri ka detyrimin të ndërmarrë reforma përmes dakordësisë dhe respektimit të rregullave për të cilat kemi rënë dakord. Ndërkohë, pamë një shumicë që i bënte bisht integrimit dhe shkoi të dublonte një komision që i takon opozitës. Në fund, komisioni në fjalë nuk mundi të prodhojë ndonjë gjë substanciale, pasi, afërmendsh, një komision i njëanshëm, sado që të përpiqet të paraqesë raporte gjithëpërfshirëse, ka mungesën e besimit të grupeve të interesit. Besoj dhe gjykoj se do të ishte në të mirën e dialogut dhe procesit të integrimit që komisione të tilla dubluese të mos jenë në asnjë legjislaturë të ardhshme. Gjykoj dhe shoh që Parlamenti i Shqipërisë ka të gjitha mundësitë për të ndërmarrë nisma ligjore, por edhe reforma reale, përmes komisioneve apo nënkomisioneve permanente. Integrimi Europian duhet të jetë një proces kombëtar që nuk mund të mbyllet në dhomat e kallkanta as të qeverisë dhe as parlamentit. Si një proces i tillë, ku përfitojnë shqiptarët dhe jo qeveritarët, integrimi duhet të jetë i arritshëm për njerëzit. Prandaj, vazhdoj të këmbëngul që nuk mund të kemi reforma të njëanshme partizane si kjo e komisionit “Xhafaj”. Nuk mund të kemi reforma që prodhohen në zyrat e kallkanit të parlamentit, por reformat duhet të jenë ato që prekin dhe ndryshojnë jetët e shqiptarëve. Shumica socialiste mendon se reforma është propaganda e pasaportës europiane, me të cilën i mbushën minutat televizive në fushatë dhe sot kanë përfunduar te zaptimi i hapësirave publike. Ndërkohë që për PD-së, që ka nisur procesin kur socialistët e bllokonin, procesi integrimit është angazhim i pafund për të përshtatur dhe ndërmarrë reforma. Nëse nuk ndryshon qasja e shumicës ndaj integrimit, e kam të vështirë të shoh një bashkëpunim për të ecur përpara. Gjithsesi, jam besimplotë që partnerët tanë do të jenë kësaj radhe më efektivë, ndërsa shqiptarët më këmbëngulës për të demontuar propagandën e integrimit që evokojnë socialistët./Gazeta Panorama
(BalkanWeb)
