Tirana synon titullin kampion edhe këtë sezon, teksa aktualisht renditen në vendin e 3-të me 22 pikë. Pritshmëritë janë të mëdha, grupi është mjaft i mirë, me edicionin që gjendet në javën e 16-të. Trajneri i bardhebluve, Julian Ahmataj ka dhënë një intervistë ekskluzive për Sport News 24 në emisionin e drejtuar nga Trevisa Tufa, ku foli për barazimin në derbi, për problemet që ka hasur ekipi deri tani dhe natyrisht për ecurinë në të ardhmen.

 


-Një pikë në derbi, çfarë shije ju la?
Më mërziti shumë rezultati, por ajo që në kënaq është loja dhe potenciali që shfaqi skuadra. Kjo gjë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi gara është shumë e gjatë, do ketë edhe shumë derbi, këto sfida duhet të na gjejnë në maksimumin tonë.

-Pesë derbi pa fitore, sa rëndon kjo te ambienti, te lojtarët?
Kjo ndihet në këmbët e lojtarëve. Ne jemi përpjekur t’ia heqim këtë mendim, por kjo është psikologjike, do të vijë gradualisht, duke pasur formë të mirë lojtarët mposhtin anën psikologjike dhe japin perfomancë të mirë.

-Çfarë nuk shkon për momentin, nuk është një ekip i ndërtuar nga ju, por besoj e keni krijuar një idetë të qartë tashmë? Ku është problemi i Tiranës?

Që nga fillimi, pas verës, Tirana pati një rënie të nivelit të lojës, pavarësisht se mori disa rezultate, por ritmi i ndeshjes ishte gjithmonë në ulje. Kjo besoj, në këto momente, kemi pasur një rritje të nivelit, kjo të jep garanci për të ardhmen, kjo është pikënisja, duhet të mbajmë ritëm të lartë dhe formë të mirë

-Në letër, problemi kryesor duket mbrojtja, 21 gola të pësuar, vetëm Kukësi ka bërë më keq. Çfarë do të thotë kjo statistikë?

Është një problem pasi në futbollin modern të mbrohet më të gjithë lojtarët. Tirana afroi shumë lojtarë me emër, por më shumë mendoi për sulmin, duhet të mendosh edhe për mbrojtjen, pasi është një komponent shumë i rëndësishëm në futboll. Një skuadër që pëson shumë gola bie psikologjikisht, rëndohet situata, shkon deri në situata jo të këndshme, ndaj duhet impenjimi i të gjithëve

-Ju përmendët sulmin, por Tirana në verë bëri investime edhe në mbrojtje, duke afruar lojtarë me emër si Doka, Hoxhallari, Mici…
Është e vërtetë, ne kemi potencial, lojtarët që janë afruar kanë kualitet, e kemi shprehur këtë, që kemi një skuadër me kualitet, por duhet angazhim dhe sakrificë në çdo ndeshje. Një ndeshje mund të zgjidhet me një episod, ose e kundërta, për sekonda mund të prishet një ndeshje, një rezultat pozitiv. Kjo duhet të na vejë përpara pëgjegjësisë për të dhënë më të mirë të gjithë bashkë.

-Çfarë i duhet Tiranës për të dalë nga ky moment jo pozitiv?

Në futboll është shumë e thjeshtë. Nuk ka asnjë ilaç tjetër përveç stërvitjes, punës. Stërvitje e fortë, përqendrim, angazhim maksimal, sakrificë, duke bëra të gjitha këto, vijnë dhe rezultatet pozitive.

-A ka ndikuar në klub ndryshimet në staf? Largimi i Shehit, më pas Osmani

Ndryshimet gjithmonë japin oshilacione deri sa të stabilizohet situata. Në futboll nuk duhet të shohësh pas, duhet para nga e ardhmja. Objektivi është e ardhmja, çfarë ka kaluar ka kaluar, nuk kthehet më, por duhet të kuptojmë se çfarë kemi bërë gabim për ta përmirësuar.

-Sa e vështirë ka qenë për ju personalisht këtë periudhë, pranove një bast në një moment delikat

Është e vërtete, sepse unë isha i stabilizuar te Akademia, duke qenë krye trajner. Kishim rezultate të mira, një grup shumë të mirë, por ndryshimi i stafeve na solli një lloj oshilacioni edhe tek Akademia edhe këtu. Por gradualisht gjërat po stabilizohen.

-Çfarë mendon presidenti Halili, çfarë kërkon nga ju Ahmataj?

Te Tirana nuk ka asnjë pikëpyetje në raport me pritshmërinë që ka ndaj stafit, apo skuadrës. Gjithmonë kërkohet titulli kampion, nuk ka asnjë alternativë tjetër, por kjo nuk na vendos në presion, jemi mësuar me këtë, kështu ka qenë gjithnjë te Tirana, u bëmë vite këtu.

-A është janari, një mundësi për të ndryshuar fatet e këtij sezoni. A do të ndërhyni në mëkato, ku ka nevojë Tirana të ndërhyjë?

Ne i kemi lojtarët, duhet të japim maksimumin çdo javë, pra kjo është që ne duhet të bëjmë. Pastaj, çdo skuadër ka nevojë për përmirësim, për lojtarë të shëndetshëm, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë pjesë, për të afruar lojtarë. Në dalje nuk besoj se kemi lojtarë për të larguar, për të hequr, e kemi grupim, por mund ta përforcojmë me ndonjë lojtar, kjo besoj do të na bëjë më të fortë. Ku ka nevojë? Të gjithë skuadrat kërkojnë sulmues, sidomos në Ballkan, në vendet e vogla, pasi është e pamundur që sulmuesit e mirë t’i mbajnë. Në këtë aspekt, mund të na largohet ndonjë sulmues i mirë, për të cilin kanë ardhur oferta të mira, kjo mund të na detyrojë të futemi në merkato për të gjetur një sulmues tjetër.

-Mos është Hasani ky sulmues, flitet prej kohësh që mund të largohet
Janë të gjithë lojtarët e sulmit që po kapin një formë të mirë. Besoj se për të gjitha ata ka oferta, oferta që mund t’i interesojnë klubit, por kjo duhet parë pasi ne nuk dëshirojmë të cenojmë strukturën e skuadrës pasi mund të na shfaqen probleme në të ardhmen.

-Njëmbëdhjetë pikë larg kreun, ka vend për t’u shqetësuar?
Nëse kjo garë do të ishte si dikur(me formulën e dikurshme) besoj do të ishte shqetësuese, por jo e pamundur. Me këtë format, diferenca sigurt është e madhe, por nuk është e pamundur, ulet koeficienti i vështirësisë pasi në fund do të kemi përballje direkte. Ne do të mundohemi ta kapim kreun edhe gjatë rrugës, por e rëndësishme është që të kapim formën më të mirë në fund.

-A mbetet titulli objektiv? Ka ndryshuar diçka?

Është e padiskutueshme, në çdo moment. Tirana e ka në ADN këtë, edhe nëse luan me akademinë, sërish do të kërkohet titulli. Kjo shihet edhe te tifozët, te arma jonë kryesore, te ata që na japim një motivim ekstra, shihni tifozët, janë shumë të ndjeshëm për këtë, edhe ata kërkojnë gjithnjë fitoren, është genetike e këtij klubi.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb