Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një deklaratë të fundit në mbledhjen e KLP është ndalur tek performanca e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke theksuar se mes tyre ka profesionistë të shkëlqyer, por edhe të tjerë që lënë për të dëshiruar.

Ai theksoi rëndësinë e procesit të rregullt të vlerësimit, i cili zhvillohet çdo dy vjet nga BKH dhe Prokurorët e Posaçëm, për të garantuar standarde të larta në hetime.

“Kemi hetues të BKH-së shumë të mirë, që lehtësojnë punën e prokurorit, por ka edhe nga ata që nuk përmbushin pritshmëritë. Punohet shumë me ta, ka pasur mbështetje nga BE dhe projekte të tjera për rritjen e kapaciteteve të tyre,” u shpreh Dumani.

Ai vuri gjithashtu në dukje se kushtet aktuale të punës në godinën ekzistuese nuk janë të përshtatshme për ushtrimin efektiv të detyrës. Sipas tij, mbipopullimi në zyrat e hetuesve, ku deri në pesë persona ndajnë një hapësirë, krijon vështirësi serioze, sidomos në marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Megjithatë, Dumani u shpreh optimist për përmirësimin e situatës me përfundimin e godinës së re të SPAK, e cila pritet të jetë gati brenda këtij viti. “Në godinën e re janë planifikuar dhoma të veçanta për marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe të pandehurve, të pajisura me audio dhe video, elementë thelbësorë për garantimin e një procesi hetimor të standardizuar dhe transparent,” tha ai, duke adresuar këto shqetësime që ishin ngritur më parë edhe nga kryeministri Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb