ITALI-Kryeministri Edi Rama ishte ftuar mëngjesin e së hënës në televizionin italian RAI 3, në emisionin “Agora Estate”, ku foli për çështje të ndryshme. Si dhe herë tjetër, Rama theksoi dëshirën e shqiptarëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duke pranuar se është një proces i vështirë, madje për disa vende edhe i padëshiruar.
“Duket si paradoks pasi jo pak vende duan të dalin nga BE- si për shembull Britania e Madhe, por ne në Shqipëri duam të futemi me çdo kusht në Bashkimin Evropian. e dimë që rruga drejt Bashkimit Evropian nuk është e lehtë, por nevazhdojmë të besojmë në këtë projekt të madh”.
Më tej biseda është përqendruar edhe në atë që po ndodh në Greqi, ekzistenca e së cilës në euro dhe BE është vënë në diskutim. Situatën në këtë vend Rama e cilësoi komplekse. ‘Nuk mund të them nëse Greqia ka ose jo të drejtë, por Greqia është një vend që duhet modernizuar radikalisht’, u shpreh ai.
Lidhur me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Itali, Rama tha se kohët kanë ndryshuar dhe përmendi faktin që aktualisht ka edhe italianë që punojnë në vendin tonë. “Tashmë historia ka ndryshuar. 25 vite më parë ishin shqiptarët ata që shkonin në Itali, por tani janë italianët ata që vijnë në Shqipëri, duke theksuar këtu se janë të shumtë sipërmarrësit italianë që vinë në vendin tonë për të bërë biznes, duke marrë parasysh taksat e ulëta. Megjithatë ai shtoi edhe faktin se janë rreth 40 mijë shqiptarë që paguajnë taksa në Itali.
(a.n/BalkanWeb)

