Ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, ka bërë një rrëfim të pazakontë në podcastin e Ditmir Bushatit “Public Square”, rrëfim ku përfshihen intrigat e Perëndimit dhe misteret e botës diplomatike.

Kotzias flet pa dorashka për luftën në Ukrainë dhe dyzimin e fuqive të mëdha.

“Që pas Luftës së Dytë Botërore, është hera e parë në Europë që një Fuqi e Madhe përpiqet të aneksojë një pjesë të një shteti tjetër në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, në kundërshtim me atë që është pranuar në Helsinki gjatë Luftës së Ftohtë, si dhe në kundërshtim me të drejtën e një kombi për të ekzistuar. Ukraina ka bërë atë që kanë bërë nganjëherë vendet e vogla apo të mesme gjatë Luftës së Ftohtë. Ukrainasit rezistuan përkundrejt mendimeve dhe planeve të Perëndimit dhe përkundrejt shpresave të rusëve që për katër a pesë ditë do t’ia dilnin të pushtonin Kievin”, pohon Kotzias.

Për Kotzias, shovinizmi dhe nacionalizmi janë në rritje në rajonin tonë.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të ruajmë paqen në të gjithë kontinentin dhe të mos lejojmë që paqëndrueshmëria në Ukrainë të zbresë drejt nesh, sepse e kujtojmë shumë mirë se çfarë ndodhi me luftërat në Jugosllavi. Është shumë e vështirë t’i mbash këto luftëra jashtë kufijve tanë, që të mbrojmë popullsinë. Mendoj se kjo luftë është një histori shumë e keqe. Ndaj, na duhet të mbrojmë vlerat e të drejtës ndërkombëtare dhe të njerëzimit, në mënyrë që asnjë Fuqie të mos i shkojë në mendje që të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë”, thotë Kotzias.

Duke folur për negociatat që çuan në Marrëveshjen e Prespës, Kotzias zbulon detaje interesante duke vlerësuar rolin dhe kontributin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Dy ish-ministrat që ngritën mekanizmin e dialogut mes Shqipërisë dhe Greqisë për zgjidhjen e çështjeve me interes të ndërsjellë mes të dy vendeve, thonë se besimi dhe vështrimi nga e ardhmja janë element kyç për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Kotzias nuk kurseu edhe një kritikë për qeverinë greke, e cila sipas tij “nuk ka interes të vërtetë për politikë të vërtetë, por kujdeset vetëm për dukjen e komunikimin, duke ushtruar një politikë të jashtme brenda partisë së tyre, as brenda vendit jo”.

Kotzias dhe Bushati diskutuan edhe për raportin e BE-së me Ballkanin Perëndimor, 20 vjet nga Samiti i Selanikut.

Kotzias mendon se BE është në një faqe krejt të re.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb