Emisioni “Vetting” në News24 vijoi edhe këtë të enjte me temën e sulmit të paprecedentë të policisë ndaj News24 që çoi në heqjen e sinjalit të transmetimit dhe plaçkitjen e dhunimin e ambienteve të punës së gazetarëve në godinën ku ndodheshin studio e News24, në kundërshtim të plotë me vendimin e gjykatë së Tiranës.

Në dosjet më problematike që janë marrë në ambientet e godinës së News24 dhe konkretisht në zyrat e gazetarëve, janë dosjet më të mëdha sikurse ishte ajo mbi zv/kryeministren Ministren Belinda Balluku, ku u favorizuan persona të lidhur me familjen e saj në tendera publikë.

Po ashtu, u morën edhe dosjet mbi zv/ministrin Ceno Klosi, ARRSH, Tatimet dhe institucione të tjera.

Kyeredaktori Olsi Avdiaj u shpreh se, “kur vajtëm pamë redaksinë, ishte në gjendje të mjerueshme”.

“Nuk kishte ngelur asgjë. Tavolina nuk kishte, kompjuterat ishin fije-fije domethënë, çdo e dhënë që kishim ne në redaksi, ishte shkatërruar, kanë arritur të marrin edhe kartat e televizioneve me pagesë”.

Sipas kyeredaktores Anila Ahmataj “u prek kompjuteri im, dosjet e mia përfunduan aty ku nuk i gjeta dot, të paktën dosjet numrat e kontakteve edhe shumë materiale të cilat i kisha të ruajtura mbi tryezën time dhe në sirtarët e tavolinës time nuk i gjeta”.

Ndërsa drejtori i BalkanWeb, Leonard Quku  u shpreh: “Është bastisur dhe është plaçkitur njëra nga godinat nga KAYO dhe Policia Ushtarake”.

“Pra kolegët tanë dhe sot e kësaj dite nuk i dinë ku i kanë sendet e tyre personale”, thotë Quku.

Kryeredaktorja e Gazetës “Panorama”, Valentina Madani shprehet se “materialet që vinin dhe nga qytetarë të ndyshëm kryesisht ankoheshin për çështje të pronësisë që ishin në proces zhvillimi, ato nuk gjenden sot”.

“Ishin materialet e gazetarëve, dosje të ndyshme, analiza në përpunim që sot nuk i kemi për shkak të situatës që u krijua, të rrethimit të godinës nga forcat e Policisë dhe të Ushtrisë”.

Sipas drejtorit të Panorama Online, Fation Binjaku është një rast i paprecedentë futja e IKMT pa pritur  vendimin e gjykatës dhe shembja e urës së transmetimit të televizionit ku ishin lidhur serveri, arkiva, transmetimi dhe regjia.

“Të ndërhyjë dhe ta dëmtojë atë me ekskavator domethënë është rast unikal”, tha Binjaku.

Sipas kryetarit të AGSH Isa Myzyraj “ka qenë formë e pastër kërcënimi, intimidimi ndaj gazetarëve ndaj medias, por dhe ndaj lirisë së medias mbi të gjitha ka qenë një skenar i mirëorganizuar një skenar i cili është përgatitur dhe është zbatuar nga disa persona që kanë vendosur për ta shkelmuar ligjin shqiptar dhe ligjin ndërkomëtar”

Sipas gazetarit Artan Hoxha, “jemi në 2025 dhe nuk ka asnjë motiv, asnjë arsye, asnjë vendim gjyqësor asnjë procedurë ligjore që ja mundëson kujtdo autoritetin shtetëror ti fikë sinjalin në transmetim direkt një media aq më tepër televizionit më të madh informativ në vend dhe kjo ishte gjëja e padëgjuar e pamotivuar dhe sot nuk gjej dot një arsye se përse duhet të shkosh deri në këtë hap”.

Kështu, vendimi i gjykatës u zëvendësua me vendimin e një kompanie. Dhe shteti heshti.

Ndërsa më tej avokatja shtoi “përmbarimi nuk duhet të punojë me urdhëra. Nëse ka punuar me urdhëra është fare hapur në shkelje të ligjit.

Përmbarimi duhet të punojë vetëm me vendime gjykate”.

Sipas avokates Margarita Kola “Strasburgu  e ka vendosur këtë standardin që gazetari nuk është i detyruar të japë burimin e informacionit.

“Pikërisht Strasburgu e ka vendosur këtë standard  për ta ruajtur gazetarin, sepse në qoftë se gazetari është i detyruar të japë burimin e informacionit, atëherë ai është gjithmonë i rrezikuar.

Ai është gjithmonë i shënjestruar, sepse gazetari për shkak të profesionit që ka, mundet të zbulojë dhe të gjejë materiale dhe informacione për njerëz që mund të jenë në shkallët e larta të pushtetit, domethënë që mund të kenë akses, të përdorin forcën e tyre kundër gazetarit, pushtetit të tyre ndaj gazetarit.

Prandaj është shumë e rrezikshme sepse sot bëhet tek Neës24 nesër mund të ndodhi në një media tjetër.

Duke dekonspiruar punën e gazetarëve, me qëllimin e vetëm mbrojtjen e njerzëve të korruptuar dhe që kanë abuzuar me pushtetin duke shkelur ligjin”, thotë avokatja Margarita Kola.

Më tej ajo shton se “duhet të shfrytëzoni të gjitha mjetet ligjore që ju jep ligji qoftë kundrejt përmbaruesve, qoftë kundrejt policisë së shtetit”.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb