Emisioni Vetting, News24
Në gusht të vitit 2023, Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport që zbulonte një situatë alarmante në spitalin e Onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Kanë kaluar më shumë se dy vite nga ky raport, por qeveria shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk kanë marrë asnjë masë për të ndryshuar problemin.
“Është viti i tretë që jam me kimioterapi, dy vite kam vazhduar në Durrës, e kam ble unë thotë doktori në Durrës, “Nazmi nuk kena ca bëjmë, bleje ti”, thotë, nuk kena ca bajmë. E kena ble dy vite, javë për javë, por 5 mijë lekë nuk janë pak”, shprehet për “Vetting” Nazmi Picirri, pacient te Onkologjiku. Nazmi Picirri nuk është i vetmi që e përjeton këtë situatë, por është ndër të paktët që del publikisht dhe e tregon. Kanë kaluar më shumë se dy vite që kur redaksia “Vetting” denoncoi situatën te Onkologjiku, por vazhdon e njëjta situatë. Sipas ekspertit të shëndetit publik Dr. Erion Dasho, kjo është një situatë shumë e rëndë.
“Ky është një problem që prek direkt sigurinë e pacientit, deri në sigurinë e jetës”, tha për “Vetting” eksperti Dasho. Historia e Nazmiut vendos në pikëpyetje jo vetëm spitalin e Onkologjikut, por të gjithë sistemin shëndetësor. Kur mungojnë barnat dhe fondet për pacientët, pse kontratat koncesionare paguhen edhe kur janë nën hetim? Sipas ekspertit farmaceutik Ilir Pecnikaj, janë të rrallë pacientët që dalin nga Onkologjiku dhe marrin trajtim të plotë. “Ky nuk është problem i mjekut, i spitalit por i mënyrës se si e trajton qeveria këtë problem”, tha për “Vetting” eksperti Pecnikaj.
Nga hulumtimet e “Vetting” dhe dëshmitë e grumbulluara rezulton se problemi lidhet edhe me mënyrën se si shpërndahen fondet në shëndetësi.
Një pjesë e konsiderueshme e investimeve shkon për kontratat koncesionare, disa prej të cilave janë nën hetim për korrupsion. Madje këto kontrata janë një ndër arsyet kryesore që pacientët me sëmundje tumorale nuk bëjnë analizat për të monitoruar parametrat shëndetësorë. Situata bëhet edhe më e rëndë kur mungesat e barnave prekin edhe fëmijët te onkopediatria.
“Mbas dy vitesh më thanë do e blesh në Tiranë, edhe këtu analizat kur i kena bo këtu në hyrje të Durrësit, i kena bo analizat një radhe te spitali, një radhe të privati, se s’ka, ”kalon data 20 s’ka” thotë spitali, shkoni bani te private”, rrëfen Nazmiu, duke demaskuar koncesionin e shëndetësisë për laboratorin e analizave.
Ndryshimi i ligjit deformoi tregun e barnave
Mungesa e barnave në Onkologjik nuk është vetëm problem furnizimi në një spital.
Kjo situatë lidhet edhe me mënyrën se si funksionon sistemi i barnave, nga ligjet që rregullojnë tregun shqiptar deri te institucionet që duhet të garantojnë cilësinë dhe sigurinë e tyre. Barnat janë mjeti kryesor me të cilin sistemi shëndetësor trajton pacientët dhe pa barna nuk ka terapi për sëmundjet kronike, tumorale, infektive dhe kardiake. Për këtë arsye, mënyra se si kontrollohen dhe futen barnat në treg ka ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e trajtimit.
Ndryshimet në ligjin e barnave gjatë viteve 2014, 2015 dhe më pas në 2021 kanë prekur kushtet e hyrjes së barnave në tregun shqiptar, kontrollin e çmimeve dhe rolin e institucioneve që garantojnë cilësinë. “Sot ne rendim pas barnave që kanë koston më të lirë dhe natyrisht që cilësia lë për të dëshiruar”, shprehet eksperti farmaceutik Ilir Pecnikaj. Ligji i vitit 2014 vendoste një filtër më të fortë për barnat që vinin nga vendet e Ballkanit. Për të hyrë në tregun shqiptar, ato duhej të ishin të regjistruara jo vetëm në vendin e origjinës, por edhe të qarkullonin në një vend të Bashkimit Europian.
Në vitin 2015 ky kusht u hoq me propozim të ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj. Pas këtij ndryshimi, një bar i prodhuar në një vend të Ballkanit mund të tregtohej në Shqipëri mjafton të ishte i autorizuar në vendin e vet.
Zyrtarisht kjo u justifikua me marrëveshjen CEFTA dhe lëvizjen e lirë të mallrave. Në praktikë, u hoq një filtër sigurie që shërbente si kontroll shtesë për cilësinë e barnave.
“Është një problem ku po thellohet hendeku midis cilësisë së barnave dhe pacientëve që kërkojnë trajtim”, thotë eksperti Pecnikaj. Në të njëjtën kohë u hoq edhe koncepti i negocimit të drejtpërdrejtë të çmimeve me kompanitë farmaceutike dhe u ndryshua përbërja e Komisionit të Çmimit të Barnave, duke përjashtuar disa përfaqësues të pavarur si Urdhrin e Farmacistëve dhe organizatat e pacientëve.
Kjo e përqendroi më shumë vendimmarrjen në administratë dhe uli kontrollin profesional dhe qytetar mbi çmimet dhe përzgjedhjen e barnave. Por ekspertët paralajmërojnë se kjo kërkon një sistem shumë të fortë kontrolli, për të garantuar sigurinë e pacientëve.
“Po të flasim për cilësinë e barnave është e frikshme ta themi. Ne e dimë që nuk e kemi cilësinë e duhur të barnave”, shprehet eksperti Ilir Pecnikaj. Problemet në sistemin e kontrollit të barnave kanë pasoja edhe më të rënda kur bëhet fjalë për fëmijët.
Një operacion i Policisë së Shtetit, i realizuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, zbuloi kontrabandë barnash, ku një pjesë e madhe e tyre ishin barna onkopediatrike.
“Fatkeqësia më e madhe është se një pjesë e madhe e barnave të kontrabanduara ishin për fëmijët me kancer”, thotë eksperti Pecnikaj. Në episodin e parë të emisionit “Vetting”, në 8 shkurt 2024 do të ngrihej alarmi për mungesën e barnave te onkopediatria ose e thënë ndryshe barnat për fëmijët me sëmundje tumorale konkretisht për “Actinomycin D”.
Në dokumentar, “Vetting” do të ngrinte pikëpyetje për autorizimin, gjë të cilën në raportin e fundit të publikuar në 2025 do ta konfirmonte Kontrolli i Lartë i Shtetit. Është konstatuar se bari Actinomycin D nuk ka patur kontratë apo autorizim tregtimi dhe ka munguar marrja e masave për sigurimin e tij në mënyrë të rregullt, duke pamundësuar trajtimin normal të pacientëve në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Madje në raport kritikohet Ministria e Shëndetësisë dhe Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor për 4 procedurat e gjata të autorizimit dhe mungesën e kontratave me importuesit, çka tregon mungesën e planifikimit. Për periudhën e auditimit, Actinomycin D është siguruar përmes donacionit (24 flakonë nga një spital në Izrael), gjë që sipas auditimit nuk garanton siguri të plotë për ruajtjen dhe efektin e barit, sidomos pasi nuk është evidentuar procesverbal i qartë i marrjes në dorëzim dhe hyrjes në inventar.
Nga verifikimi i kartelave për periudhën 2020- 2024 rezulton se 12 fëmijë kishin nevojë për këtë bar sipas protokolleve mjekësore. Nga këta, katër nuk e morën fare trajtimin, pesë e siguruan vetë barin, një u trajtua jashtë vendit dhe në dy raste u përdor një terapi alternative. “Për të bërë një kontroll të vërtetë të barnave niset nga regjistrimi duke bërë kontrollin fizik dhe kontrollin dokumentar të tij, deri te gjurmueshmëria e tij. Bëhet kjo sot? Nuk bëhet”, tha eksperti farmaceutik Pecnikaj.
Raporti thekson se edhe pse pas datës 20 janar 2020 nuk ka patur gjendje të këtij medikamenti në spital dhe në disa raste ai është përdorur pasi është gjetur privatisht ose nëpërmjet donacioneve.
Agjencia e Barnave nën dyshime për ndikime dhe favorizime
Një nga institucionet më të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë është Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, e cila ka përgjegjësi për analizat, kontrollin dhe gjurmimin e barnave në tregun shqiptar.
Por auditi dhe raportet zyrtare kanë zbuluar mangësi në funksionimin e këtij institucioni. “Farmakovigjilenca duhet të ndjekë çdo bar. Një bar mund të jetë shumë cilësor te prodhuesi, por transporti, temperatura apo lagështia mund t’ia humbasin cilësinë”, shprehet eksperti Pecnikaj. Sipas dokumenteve zyrtare, në vitin 2022 janë konstatuar mangësi në sigurinë e shëndetit publik, përfshirë mungesën e programeve vjetore për analizat e barnave dhe mungesën e inspektimeve për pajisjet mjekësore në spitale dhe laboratorë. 5 Sipas ekspertit Dasho, këto probleme kanë nevojë për analizë nga mënyra se si drejtohen sot institucionet shëndetësore. “Duke u përpjekur të centralizohen planifikimet te ministria krijohet konfuzion, ku disa medikamente mungojnë dhe disa të tjera skadojnë”, tha Dr. Erion Dasho.
Sipas auditit, Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia e Barnave nuk kanë arritur të garantojnë një sistem plotësisht të besueshëm për sigurinë e barnave. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit kritikon dobësinë e sistemit të farmakovigjilencës, pra monitorimin e efekteve anësore të barnave.
“Ky është roli i farmakovigjilencës, nga prodhuesi deri te pacienti”, thotë Pecnikaj. Një tjetër problem i evidentuar lidhet me listën e barnave të rimbursueshme. Nga qindra barna që figurojnë si alternativë e parë në listë, shumë prej tyre nuk janë importuar gjatë vitit 2023. Në disa raste, barna që figurojnë në listë nuk rezultojnë të regjistruara sipas kërkesave ligjore.
Kjo do të thotë se në letër ekzistojnë si alternativë për pacientët, por në praktikë nuk gjenden në treg. Auditimet kanë evidentuar gjithashtu mospërputhje në autorizimet për import dhe mungesë bashkëpunimi mes Agjencisë së Barnave dhe Doganave, çka rrit rrezikun që ilaçet të futen në treg pa verifikime të plota. Ndërkohë, dokumente publike tregojnë se Agjencia e Barnave ka kryer pagesa për një tender për përmirësimin e sistemit të barnave dhe pajisjeve me vlerë rreth 134 milionë lekë. Sipas të dhënave nga platforma “Spending.al”, kjo kontratë është lidhur në vitin 2022.
Në këtë rast ngrihen pikëpyetje për lidhje të mëparshme biznesi pasi Sokol Sinani, i cili ka qenë ortak me Ilir Beqaj te kompania “Intech +” deri në gusht 2013 dhe në vitin 2017 bleu aksionet e kompanisë DATA LOG (ish DATA- LOGIC), e cila më vonë rezulton aktive. Pyetja që shtrohet është si kompani me aktivitet të ulët ose periudha pasiviteti kanë arritur të përfitojnë kontrata publike me vlera të mëdha. 6 “Disa nga koncesionet kanë përfunduar në SPAK dhe jo më kot kemi edhe një ish ministër të akuzuar për këto kontrata”, shprehet eksperti Dasho.
Onkologjiku demaskon koncesionet e shëndetësisë
Përballja me sëmundjen e shekullit për pacientët me sëmundje tumorale nuk lidhet vetëm me barnat dhe cilësinë e tyre, por edhe me analizat.
Një person që merr kimioterapi duhet të bëj analizat pasi nëpërmjet monitorimit vlerësohet gjendja shëndetësore dhe mënyra se si do vazhdojë trajtimi.
“Tashi na kanë dalë problem analizat, nuk na bojnë analizat, shkojë te drejtori në Durrës, nuk kena ça bojmë, shkova dy herë në Ministri, nuk kena lekë thonë,” shprehet Nazmiu për koncesionin e laboratorit të analizave. Një pacient nga Onkologjiku, që lufton për jetën përditë demaskon me fakte alarmin që kanë ngritur mjekët, laboratori i analizave nuk siguron. Nuk është hera e parë që koncesioni i laboratorit të analizave ngre shqetësimin. Aktualisht të 4 koncesionet e shëndetësisë janë nën hetim nga SPAK, ku hetimet për sterilizimin kanë përfunduar me ish ministrin Ilir Beqaj i akuzuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Në fakt, nëse do të analizonim të gjitha problemet që ka shëndetësia shqiptare lidhen me fondet që shkojnë për kontrata koncesionare të cilat nuk ofrojnë shërbim. “Ministria bashkë me qeverinë i kanë fondet, ky (kryeministri) shkon inauguron një spital qenësh në një kohë që ne jena duke vdek në rrugë të madhe, ky është shteti jonë, që nuk pyet fare për ne” tha Nazmi Picirri.
I revoltuar, ai shpreh ndjenjën e zhgënjimit jo vetëm për shtetin, por edhe për faktin se edhe shërbimet që shteti ka marrë përsipër ti sigurojë, nuk i realizon siç është koncesioni i laboratorëve. “Po ne na kanë dalë problem me analizat, ne smundena me dal në diell. Thotë shko te mjeku i familjes shko merr një dokument atje, shko te spitali, gjë që është krejt fallco. Ata e dina që ne jena të sëmurë. Shko na bëj ato analizat! Mos na sillni rrugëve poshtë e lart”, deklaron pacienti Nazmiu.
Sipas tij, të dyja koncesionet janë me probleme, si ai laboratorëve, por edhe ai i Check- up. “Analizat i kena shumë problem, s’ka faj drejtori këtu në Durrës, që nga Kryeministri e deri te Ministria e Shëndetësisë kanë përgjegjësi”, tregon Nazmiu, duke kërkuar mbështetje nga institucionet. Koncesioni për shërbimin laboratorik në spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake në Shqipëri u fitua nga kompania “Laboratory Networks shpk”.
Kompania ka disa ortakë, mes tyre shoqëria shqiptare “Labopharma”, si dhe kompani të huaja si “AB Laboratory Solutions” nga Holanda dhe “Exalab” nga Franca. Procedura për këtë koncesion nisi në vitin 2016, ndërsa kontrata u nënshkrua në vitin 2019 me një afat 10- vjeçar. Kjo kontratë është nën hetim nga SPAK, ashtu si kontratat e tjera.
Në total, të 4 kontratat koncesionare të shëndetësisë pritet tu kushtojnë shqiptarëve 41.95 miliardë lekë ose 420 milionë euro deri në fund të vitit 2026.
FSDKSH, pjesë e dështimit të sistemit shëndetësor
Nga viti 2015 deri në vitin 2025, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka ndryshuar 10 drejtues midis skandaleve që ka kapluar këtë institucion. Drejtuesi i fundit në këtë institucion Spartak Zekja është vendosur nën hetim nga Prokuroria e Tiranës ndërkohë që vendin e tij e ka zënë Arti Papajani.
Nga raportet zyrtare FSDKSH- ja vazhdon të ketë probleme të shumta me pagesat ndaj koncesioneve, recetën elektronike dhe përditësimin e barnave të rimbursueshme. Auditimi ka shqyrtuar kryesisht vitin 2024, duke analizuar edhe zhvillimet e viteve 2023 dhe periudha të mëparshme kur është e nevojshme për krahasim.
Raporti evidenton se në vitin 2023, për koncesionin e Kontrollit Mjekësor Bazë (Check- up), janë paguar 876 milionë lekë për 475 mijë kontrolle të planifikuara, ndërkohë që realisht janë kryer 467 mijë kontrolle.
“Të gjitha këto kontrata kanë probleme, disa me nevojën, por edhe aty ku punojnë mirë dhe aty”, u shpreh eksperti Dasho.
Megjithëse në vitin 2023 u rrit numri i kontrolleve krahasuar me vitin 2022, u rritën gjithashtu sëmundjet kronike, recetat e rimbursuara dhe shtrimet në spital, çka sipas auditimit tregon se efekti real i kësaj mase nuk ka qenë i dukshëm në uljen e sëmundshmërisë. Kontrata e këtij koncesioni është firmosur në janar 2015 dhe bazohet në pagesë fikse vjetore për 475 mijë kontrolle, pavarësisht realizimit real. Për vitin 2024, auditi ka zbuluar dobësi në monitorimin e kontratave koncesionare.
Në rastin e Check- up, FSDKSH- ja realizon pagesat duke u mbështetur kryesisht në të dhëna statistikore dhe pa administruar dokumentacion të plotë mbi përmbushjen e detyrimeve kontraktuale Gjithashtu mungon dokumentimi i sistemeve efektive të kontrollit të brendshëm dhe mekanizmave për raportimin e problematikave.
Në koncesionin e laboratorëve për vitin 2024 janë kryer 4,6 milionë ekzaminime me një kosto totale 1,89 miliardë lekë, që përbën 102.6% të tavanit buxhetor të planifikuar.
“Unë i kam quajtur 4 kontratat koncesionare, i kam quajtur një vjedhje dhe futje duarve në xhepat e pacientëve”, tha Dr .Dasho.
Kjo tregon tejkalim të buxhetit. Për paketat shëndetësore, auditimi evidenton se nga viti 2020 deri në vitin 2024 nuk është bërë rishikim i plotë i përmbajtjes dhe çmimeve për shumicën e paketave, përveç dializës dhe fistulës. Askush nuk i ka ndjekur si duhet këto kontrata, raportet nuk janë të sakta dhe ka dyshime për manipulime në numra për të marrë më shumë para.
Pacientët kanë dalë të humbur sepse shërbimet janë grumbulluar te disa kompani private, disa analiza vonohen ose nuk bëhen fare, dhe njerëzit detyrohen të shkojnë vetë te privatët duke paguar nga xhepi. Kjo ka rritur kostot për familjet dhe ka përkeqësuar shëndetin e disa njerëzve për shkak të vonesave.
“Kam bo check up- in, para 100 herë, asnjë gjë, më dalin ato analizat sikur jam hekur, atë që e ka ajo Vilma Nushi,” shprehet pacienti Nazmiu. Koncesioni i Check-Up ashtu si koncesionet e tjera ka marrë pagesa për analiza të pakryera, ndërkohë që një pacienti nga Onkologjiku e ka nxjerrë me parametra shumë të mirë shëndetësorë.
Koncesioni i “Check-Up” është nënshkruar në vitin 2015 nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj për kontrollin mjekësor bazë të qytetarëve nga 40 deri në 65 vjeç. Kontrata u fitua nga “3P Life Logistic”, e lidhur me biznesmenen Vilma Nushi dhe ka një afat 10- vjeçar. Sipas marrëveshjes, koncesionari kryen kontrollet mjekësore dhe paguhet nga shteti përmes Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Çdo vit janë planifikuar rreth 475 mijë kontrolle.
Ky koncesion ka qenë shpesh objekt kritikash, pasi pagesat janë bërë sipas numrit të kontrolleve të planifikuara dhe jo gjithmonë sipas kontrolleve që janë kryer realisht. Megjithatë Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka përgjegjësi financiare dhe administrative me rëndësi të lartë edhe në sektorin e barnave të Onkologjikut.
Mungesat e barnave tumorale, një problem që përsëritet prej vitesh
Që nga viti 2020 e deri më sot, pacientët me kancer hasin probleme të rënda pasi nuk u sigurohen barnat nga spitalet. Pacienti Nazmi Picirri rrëfen se një nga barnat kryesore rezulton shpesh me mungesa.
“Flakoni, po flakoni është kryesori që duhet ta gjenim në shtet, unë i kam blerë për 4 muaj, më kanë ngelur në shtëpi për një muaj”, thotë pacienti Picirri. Në total rezultojnë 49 raste kur barnat janë sjellë me vonesë, shpesh pa asnjë dokument që të justifikojë arsyen e vonesës. Këto barna nuk janë ilaçe të zakonshme, por barna citostatike dhe terapi target, që përdoren për pacientë me kancer. Trajtimi me to bëhet me cikle të rregullta dhe çdo ndërprerje ndikon drejtpërdrejt në ecurinë e sëmundjes. Megjithatë, vonesat janë përsëritur nga viti në vit. Në vend që të trajtohen si raste të veçuara, ato shfaqen si një problem i vazhdueshëm.
“A e di çfarë sëmundje është kjo mo? Mos i raftë kujt kjo sëmundje! Kjo është sëmundje kanceroze. Ne e dimë se ne ca kena, por ti si shtet bëje të pamundurën, kena Kosovën që i çon në Turqi”, shprehet Nazmiu, duke sugjeruar që të gjendet një alternativë për trajtimin e sëmundjes. Kontratat mes spitalit, fondit dhe importuesve parashikojnë penalitete kur barnat nuk furnizohen në kohë.
Vlera totale e penaliteteve të llogaritura për vonesat arrin rreth 49 milionë lekë. Por këto penalitete nuk janë arkëtuar. Pra, importuesit kanë vonuar furnizimin ndërsa institucionet shëndetësore nuk kanë zbatuar masat ndëshkuese që janë parashikuar në kontratë. Nga analiza rezulton se një pjesë e konsiderueshme e barnave antitumorale të autorizuara për tregtim nuk janë importuar për periudha të gjata. Ka barna që, edhe pse janë të regjistruara dhe të miratuara, nuk kanë hyrë në tregun shqiptar për muaj apo vite. Ka barna që nuk kanë alternativë terapeutike. Një prej tyre është Daratumumab, që përdoret për mielomën multiple.
Në raste të tilla, mungesa e barit nuk është thjesht vonesë, por ndërprerje e vetme e mundshme e trajtimit. Janë konstatuar mangësi në regjistrimin dhe dokumentimin e plotë të hyrjedaljeve të barnave në inventar. Nuk ka një mekanizëm të unifikuar që të sinjalizojë në kohë reale mungesën e një bari dhe të aktivizojë masa emergjente për zëvendësim.
Në disa raste, barna të caktuara janë siguruar përmes donacioneve, jo përmes kontratave të zakonshme të furnizimit. Sipas ekspertit Pecnikaj, në Shqipëri afatet për rimbursim janë shumë të gjata, duke shprehur shqetësimin për mungesën e tyre. “Ajo që është më e dhimbshmja është situate me barnat për Onkologjikun.
Në Bashkimin Europian duhen nga 3 në 24 muaj që të futet në listën e rimbursimeve. E dini se sa është kjo në Shqipëri? Mbi 10 vjet”, tha eksperti Pecnikaj. Të dhënat tregojnë se vonesat dhe mungesat nuk janë episodike. Ato shfaqen në 2021, në 2022, në 2023 dhe në 2024.
Pra nuk kemi një problem të rastësishëm, por një model që vazhdon. Kur një problem përsëritet për katër vite radhazi, ai nuk është më aksidental. Trajtimi onkologjik nuk është fleksibël dhe nuk mund të shtyhet sipas mundësisë së furnizimit. Çdo cikël ka kohë të caktuar. Çdo ndërprerje ndikon në efektivitetin e terapisë.
Raporti nuk jep të dhëna për pasoja individuale 11 klinike, por fakti që ciklet janë shtyrë apo ndërprerë për shkak të mungesës së barnave tregon një rrezik real për pacientët. Sipas ekspertit farmaceutik Ilir Pecnikaj, një terapi për të sheruar një pacient, në komunitetin europian është 50 mijë euro dhe kjo nuk është shumë për vendin tonë.
“Ne duhet ti bëjmë tani ato krahasimet me ato që na ikin nga xhepi… Po ne po bëjmë gjithë këtë luftë për Tunelin e Llogarasë që thanë u vodhën 50 milionë euro. Ja ku dolën 1000 pacientë të sheruar”, shprehet eksperti Pecnikaj.
Në 17 korrik 2024, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave me kryetar deputetin e Partisë Socialiste Eduart Shalsi u zotuan se do t’i jepej zgjidhje këtij problemi në raportimin ndaj këtij Komisioni nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. “Vetting” i bëri një kërkesë për koment Kuvendit të Shqipërisë për arsyet se pse nuk janë marrë masa nga Kuvendi për problemet te Onkologjiku, por deri në publikimin e këtij materiali nuk pati asnjë reagim.
